1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Tone të moderuara nga Ankaraja

Edhe pse Turqia ka kërkuar mbledhjen e Këshillit të NATO-s pas qëllimit të avionit luftarak turk prej ushtrisë siriane, askush nuk është i interesuar për një përshkallëzim të situatës së luftës në Siri.

Recep Tayyip Erdogan është njeri i fjalëve të qarta dhe deklaratave plot temperament kur është fjala për sulme apo kritika. Por reagimi i qeverisë së Ankarasë pas qëllimit të avionit luftarak turk prej ushtrisë siriane është i matur dhe i butë.

Avioni i tipit F4 i cili u nis të premten e kaluar (22.06.2012) nga një bazë e forcave ajrore në krahinën e Malatja u rrëzua në afërsi të bregdetit të Sirisë. Ministri i Jashtëm turk, Ahmed Davutoglu, e akuzoi Sirinë se kishte qëlluar një avion turk në hapësirën ajrore ndërkombëtare, por pranoi megjithatë edhe se për një kohë të shkurtër, avioni mund të ketë shkelur gabimisht hapësirën ajrore të Sirisë.

Avioni ishte i paarmatosur, po kryente një fluturim stërvitor dhe nuk kishte asnjë lloj misioni sekret që lidhej me gjendjen e ngjashme me luftën civile në Siri. Zëvendëskryeministri turk Bylen Arinç tha se ky është një "incident alarmant" por që duhet që së pari të sqarohet. Edhe presidenti Abdullah Gyl njoftoi se Turqia do të presë hetimet.

Dorë më dorë me NATO-n

Edhe pse Turqia ka kërkuar mbledhjen e Këshillit të NATO-s ajo i është referuar nenit 4 të traktatit të NATO-s dhe jo nenit 5. Neni 4 i traktatit të NATO-s parashikon zhvillimin e konsultimeve të anëtarëve të aleancës, në qoftë se një nga anëtarët e saj mendon se i është kërcënuar integriteti politik apo siguria. Neni 5 ka të bëjë me ndihmën që i japin anëtarët njëri-tjetrit në rast të një sulmi të armatosur kundër njërit prej tyre.

Günter Seufert nga Fondacioni për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Berlin thotë për DW-në se NATO e ka shpallur vetëm një herë në historinë e saj gjendjen e sulmit të armatosur ndaj alenacës, pas sulmeve terroriste të Al-Kaidës të 11 Shtator 2001 në Shtetet e Bashkuara. Tani është fjala për qëllimin e një avioni luftarak, i cili me sa duket ka shkelur hapësirën ajrore të një vendi në të cilin për muaj të tërë zhvillohet një lufte e përgjakshme civile.

Një kundërpërgjigje ushtarake do të ishte e përligjur vetëm në rast se ushtria siriane do të sulmonte Turqinë. "Mendoj se Turqia po e mbledh NATO-n për të gjetur një linjë të përbashkët në çështjen e Sirisë" - thotë Günter Seufert.

Por me sa duket edhe Siria duket e prirur për të mos e përkeqësuar situatën. Siria nuk i ka kërkuar zyrtarisht falje Turqisë, por Siria nuk ushqen qëllime armiqësore ndaj fqinjit të saj, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme siriane, Xhihadi Makdissi, në faqen por qeveritare të internetit "Syria now". Për më tepër, edhe nga pala siriane flitet vazhdimisht për një "gabim pa dashje".

Situatë e vështirë gjeostrategjike

Askush nuk është i interesuar për një përshkallëzim të situatës ushtarake në Siri, për shkak se kjo mund të ketë një efekt destabilizues në të gjithë vendet fqinje të rajonit, thotë Martin Beck, drejtor i fondacionit Konrad Adenauer në Aman. Prej kësaj do të preken sidomos Libani dhe Jordania, por edhe territoret e kurdëve në Turqi, Iraku dhe Izraeli.

Stv. Vorsitzender des Forschungsrats, Projektleiter PB: Internationale Organisation, Demokratischer Friede und die Herrschaft des Rechts Hessische Stiftung Friedens- und Konfliktforschung

Dr. Matthias Dembinski

"Siria është përfshirë në shumë mënyra të ndryshme dhe në nivele të ndryshme në të gjitha konfliktet në Lindjen e Mesme," tha në një intervistë me DW Matthias Dembinski, ekspert për sigurinë pranë Fondacionit për Paqe dhe Studime për Konfliktet. Një ndërhyrje e Perëndimit mund të acarojë frontet fetare në Siri - alavitët kundër sunitëve apo të krishterët kundër sunitëve.

Shumë partnerë të aleancës kanë deklaruar se për të ndërmarrë një sulm ndaj Sirisë duhet një vendim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe sipas Dembinskit për momentin nuk ka ndonjë diskutin në këtë drejtim.