1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Tone të ashpra nga Moska

Presidentin që po largohet në SHBA, Obama, Moska e akuzon për mani hakmarrjeje dhe për dështim në politikën e jashtme.

Skandalin në Uashington e pasoi një furtunë zemërimi në Moskë. Tri javë para se të largohet nga posti i Presidentit, Barack Obama e ndëshkoi Rusinë për sulmet e dyshuara të piratëve të internetit ndaj SHBA me sanksione dhe dëbime masive të diplomatëve - dhe politikanët rusë nuk i kursejnë reagimet e ashpra. Kështu, ish-Presidenti dhe kryeministri i sotëm, Dmitri Medvedjev shkruan në tweetin e tij për "agoni antiruse".

Më keq se një pallua pa pendë

Edhe Konstantin Kosaçov, kryetar i Komisionit të Jashtëm të Këshillit të Federatës, Dhomës së Sipërme ruse, e përmend këtë. "Këtë nuk mund ta quash as agoni të pallonjve që u kanë rënë pendët, por e kufomave politike", i deklaroi i agjencisë së lajmeve TASS, duke aluduar për traditën amerikane, që i quan presidentët në largim "pallonj pa pendë".

Politologë të afërt me Kremlinin kërkojnë motive për vendimin e Obamas, duke e injoruar në mënyrë karakteristike shkakun zyrtar, hakmarrjen për sulmet e hakerëve. Kështu, Fjodor Lukjanov, kryeredaktor i revistës "Rusia në politikën globale" dhe kryetar i këshillit formalisht të pavarur "Këshill për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë", thotë se Barack Obamës i erdhi në fund të presidencës së tij më në fund mundësia për të thënë mendimin e tij të vërtetë për disa partnerë të vjetër bisedimesh në skenën ndërkombëtare.

Fillimisht, shprehet eksperti, patëm vendimin e pashembullt për të mos e bllokuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së rezolutën kundër ndërtimit të kolonive izraelite. "Ky është rezultati i një antipatie të gjatë të Obamas kundër kryeministrit (izraelit) Benjamin Netanjahu". Tani, thotë Lukjanov, pason një luftë diplomatike kundër Rusisë në stilin e viteve '70. "Atje janë mbledhur pa dyshim shumë gjëra, por më parë, Presidenti i SHBA nuk mundej ose nuk donte t'i zbrazte të gjitha."

"Synimi i qartë, dëmtimi i Rusisë"

Pavel Podlesny, njëri nga ekspertët kryesorë në Institutin për Studimet e SHBA dhe të Rusisë të Akademisë Ruse të Shkencave, mendon përkundrazi se në elitën amerikane ka shumë të fyer, të cilët nuk e pranojnë dot "se mekanizmat e qetësimit të konfliktit të Sirisë përpunohen pa SHBA dhe se Moska shfaqet si njëra ndër ndërmjetëset në konflikt." Me fjalë të tjera, sanksionet për piratët e internetit apo hakerët, sipas mendimit të ekspertit janë të paktën pjesërisht reagim ndaj propozimit më të fundit ruso-turk-iranian të Vladimir Putinit për paqëtimin e Sirisë.

Synimin kryesor të sanksioneve, Podlesny e sheh në "shkaktimin sa më shumë problemeve Rusisë". Një synim tjetër i Obamas, sipas tij, është që t'ia vështirësojë një fillim të ri politik pasardhësit të tij, Donald Trump. Edhe Fjodor Lukjanovi mendon në këtë pikë po kështu: Trumpit dhe ministrit të tij të Jashtëm tani do t'u duhet detyrimisht " të fillojnë në një pikë shumë më të ulët, se më parë".

Por fakti që Vladimir Putini e refuzoi një propozim të ministrisë së tij të Jashtme, për të dëbuar të njëjtin numër diplomatësh amerikanë nga Rusia siç bënë SHBA, megjithatë e relativizon frikën se marrëdhëniet do të keqësohen në mënyrë thelbësore që në krye të nisjes së marrëdhënieve midis presidentit rus dhe presidentit të ardhshëm të SHBA.