1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Tone optimiste nga Greqia - nis takimi i ministrave të Financave të eurozonës

Gjendja torturuese e pavendosmërisë në Greqi duket se mori fund. Megjithatë, ministrat e Financave të eurogrupit kërkuan në takimin e tyre në Bruksel premtime të qarta për reforma të të gjitha partive greke.

Jean-Claude Juncker dhe Wolfgang Schaeuble: si do te vene tani punet me Greqine?

Jean-Claude Juncker dhe Wolfgang Schaeuble: si do te vene tani punet me Greqine?

Një kryeministër grek, i cili fillimisht shpall një referendum për programin e kursimit, pastaj, pas presionit të fortë ndërkombëtar heq dorë nga ai dhe më në fund edhe nga posti, për t'i hapur rrugën një qeverie të unitetit kombëtar. Përpara këtij sfondi dramatik takohen sërish në Bruksel ministrat e Financave të eurozonës. Ministri i deritashëm i Financave të Greqisë, Evangelos Venizellos u përpoq pas mbërritjes në Bruksel të përhapte besim:

"Pas një jave të vështirë, ne tani kemi një situatë të re politike, një kuadër të ri politik në Greqi. Ne kemi një qeveri të re të unitetit kombëtar dhe të përgjegjësisë nacionale. Kjo është një dëshmi e detyrimit tonë dhe e aftësisë sonë nacionale, për të vënë në jetë programin dhe për të rindërtuar vendin tonë."

Vërtet që vendimet për kursimet i mbështet tani edhe partia konservatore Nea Dimokratia. Por shumë në eurozonë janë të shqetësuar se vendimet e takimit të nivelit të lartë për Greqinë të fundit të tetorit mund të rezultojnë të kota. Presidenti i Eurogrupit, Jean-Claude Juncker dëshiron që t'i lidhë me përgjegjësi politikanët në Greqi:

"Unë besoj se qeveria e re do të bëjë të qartë shumë shpejt, se ajo për të cilën u ra dakord këtu në Bruksel më 26 dhe 27 tetor, do të mbështetet me saktësi milimetrike nga qeveria e re."

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble shkoi edhe një hap më tej. Edhe opozita e ardhshme duhet t'i mbështesë përpjekjet:

"Në situatën e tanishme, rëndësi shumë të madhe do të ketë që jo vetëm qeveria dhe forcat politike që e mbështesin atë, por edhe opozita të japin siguri, se u përmbahen marrëveshjeve. Edhe në Portugali dhe në Irlandë, të dy kampet partiake shprehën para zgjedhjeve detyrimin se pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet, nuk duhet të varet nga rezultati i zgjedhjeve që të plotësohen detyrimet evropiane."

Si Schäuble, ashtu edhe Junckeri lanë të kuptohet se në rast të kundërt, ministrat e Financës të Euros nuk do të lëvronin asnjë pjesë tjetër nga paketa e ndihmës për Greqinë.

Tashethemet e javës së kaluar, se për të zgjidhur krizën e borxheve do të përdoren në rast nevoje edhe rezervat e arit dhe të devizave të bankave nacionale, Junckeri i hodhi poshtë:

"Ari nuk është temë diskutimi dhe nuk ka qenë asnjëherë temë diskutimi"

Në Gjermani për këtë pati reagime të forta. Megjithatë mbetet e paqartë se si do të rritet fuqia e fondit të shpëtimit të euros EFSF. Më tej, tregjet financiare kanë me sa duket pak besim tek Italia, megjithë premtimet e Silvio Berluskonit për kursime e reforma në takimin e nivelit të lartë të BE. Berluskoni konsiderohet i dëmtuar politikisht dhe Italisë i duhet të paguajë interesa gjithnjë e më të larta, për të marrë para hua. Për Komisarin e Monedhës të BE, Olli Rehn kjo është një shenjë alarmi:

"Tani ka rëndësi vendimtare, që Italia t'u përmbahet synimeve të politikës së saj financiare, dhe të garantojë vënien në jetë të tyre. Në reformat strukturore ka ende hapësirë për një mënyrë më ofensive veprimi dhe për reforma të tjera më të guximshme, për të nxitur rritjen ekonomike dhe punësimin në Itali."

Autor: Christoph Hasselbach/ Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM

Audio dhe video për temën