1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Tone kritike në ceremoninë festive - 50 vjetori i marrëveshjes mes Gjermanisë dhe Turqisë

Në Berlin u shënua 50 vjetori i marrëveshjes gjermano-turke për pranimin në Gjermani të punëtorëve nga Turqia. Ishte ky një rast festiv, por kancerlarja Merkel dhe kryeministri Erdogan shkëmbyen fjalë kritike.

Angela Merkel dhe Recep Tayyip Erdogan.

Miqësi dhe kritika: Recep Tayyip Erdogan dhe Angela Merkel

50 vjetori i marrëveshjes për pranimin e punëtorëve nga Turqia në Gjermani do të ishte një rast shumë i mirë për të theksuar të arriturat dhe sukseset në raportet mes Berlinit dhe Ankarasë. Por në këtë jubile u fol shumë hapur edhe për mosmarrëveshjet jo edhe të pakta mes këtyre vendeve.

Kancerlarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan nuk hezituan fare të flasin për mangësitë në raportet mes Turqisë dhe Gjermanisë. Ata në fillim theksuan se në Gjermani janë integruar me sukses rreth 2,5 milionë qytetarë me prejardhje turke. Kancelarja Merkel tha se në Gjermani ka raste të shumta të integrimit të suksesshëm të popullatës me origjinë turke.

"Nuk është bërë sa duhet!"

"E them shumë hapur se ka edhe probleme", theksoi Merkel, duke shtuar se një prej parakushteve më të rëndësishme për integrim të suksesshëm është mësimi i gjuhës gjermane.

Angela Merkel

Merkel: Duhet të mësoni gjuhën gjermane!

"Mësimi dhe zotërimi i gjuhës gjermane është i domosdoshëm për një integrim të suksesshëm. Ky është çelësi i shkollimit dhe përgatitjes profesionale që janë edhe parakushte për një integrim të suksesshëm. Gjuha është edhe një prej parakushteve kryesore për punësim dhe pjesëmarrje në rrjedhat shoqërore", theksoi Merkel. Ajo shtoi se problemet me gjuhën nuk duhet të heshten, por duhet të punohet për menjanimin e problemeve.

"Fëmijët së pari duhet të mësojnë turqishten!"

Erdogan

Erdogan: Së pari turqishten e pastaj gjermanishten!

Kryeministri i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar para kësaj vizite në një intervistë për gazetën "Bild" se fëmijët turqë në Gjermani së pari duhet të mësojnë gjuhën amtare e më pas gjuhën gjermane. Ai ka kritikuar edhe kërkesat që anëtarët e familjeve që vijnë nga Turqia, para ardhjes në Gjermani, duhet të mësojnë gjuhën e këtij vendi. Këto deklarata të Erdoganit ka kundërshtuar edhe e ngarkuara federale për integrimin Maria Böhmer, duke i quajtur ato si kontraproduktive dhe të dëmshme për integrimin.

Në ceremoninë e festimit të 50 vjetorit të marrëveshjes, Erdogan u përqendrua më shumë tek raportet zyrtare mes Turqisë dhe Gjermanisë. Ai tha se mbështetja e Gjermanisë është shumë e rëndësishme për Turqinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

"Ne shpresojmë që Gjermania, e këtë e them edhe si dëshirë të vendit dhe popullit tim, do të mbështesë më së fuqishmi integrimin e Turqisë në Bashkimin Evropian", theksoi Erdogan.

Marrëveshja mes Gjermanisë dhe Turqisë për pranimin e të ashtuquajturve "gastarbeiter" është nënshkruar me 30 tetor 1961. Shumë prej punëtorëve të atëhershëm ndërkohë kanë sjellur në Gjermani edhe familjet e tyre nga Turqia. Erdogan vlerësoi se kjo marrëveshje i ka shërbyer të dy vendeve. Ai tha se për shumë punëtorë të atëhershëm, Gjermania është bërë vendi i tyre i dytë duke shtuar se një prej zgjidhjeve më të mira do të ishte mundësimi i nënshtetësisë së dyfishtë. Merkel kundërshtoi këtë mundësi me fjalët se nënshtetësia e dyfishtë nuk do t'i kontribuonte një integrim më të shpejtë. Menjëherë pas këtij takimi, kancelarja Merkel nxitoi në Francë në takimin e G20-ës.

Autor: Baha Güngör

Redaktoi: Bahri Cani