1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tomuschat: "Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE, pa njohjen e pavarësisë së Kosovës"

Kosovarët shpresojnë një valë të re njohjesh së pavarësisë, pas mendimit të GJND-së, pala serbe pret të kundërtën. Për këtë dhe çështje të tjera për DW-në flet profesori i të drejtës ndërkombëtare Christian Tomuschat.

default

Profesori Christian Tomuschat

Zoti Tomuschat, shikuar nga perspektiva e sotme, a ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës zgjidhja më e mirë?

Tomuschat: Ky ishte vendimi i kosovarëve dhe nuk më takon mua ta komentoj. Por vendimi me siguri që ishte i kuptueshëm, sepse kosovarët kanë jetuar shumë gjatë në një gjendje të pazakonshme. Filimisht pati represione prej autoriteteve jugosllave, ndërsa më vonë për vite të tëra kishte një administratë ndërkombëtare, e cila megjithatë nuk ishte ideale.

Kosovën e kanë njohur deri tani vetëm 65 vende, ndërkohë që kosovarët kanë pritur më shumë. A jeni të befasuar me këtë fakt?

Tomuschat: Ekzistojnë vende të cilat janë të përmbajtura për shkak se kanë frika nga lëvizjet secesioniste në vendet e tyre. Por besoj se frika është e pabazë, sepse Spanja me baskët ka një problem krejtësisht të ndryshëm. Baskët kanë një autonomi të gjërë dhe të drejtat e tyre. Ata kurrë nuk mund të kërkojnë të drejtën për secesion dhe vetvendosje. Tek kosovarët situata ishte krejt ndryshe: ata me të vërtetë ishin një pakicë e diskriminuar. Kjo është edhe baza për pavarësimin e Kosovës, e cila mbase do të konfirmohet edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Në GJND ka pasur argumentime të shumta pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës. A ishte shpallja e pavarësisë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare?

Tomuschat: Jo, sipas mendimit tim, kjo ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kjo është kjo një çështje e rëndë dhe e di që juristët kanë mendime të ndryshme. Por për shkak të gjendjes në të cilën kosovarët ishin për më shumë se një dekadë, ishte e paevitueshme që të vendosin për shpalljen e pavarësisë.

Çfarë mund të pritet nga mendimi këshilldhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë?

Tomuschat: Unë nuk i njoh raportet brenda Gjykatës, por nuk mund ta marrë me mend që Gjykata të japë një mendim negativ. Në fund të fundit, rrota e historisë nuk mund të kthehet mbrapsht dhe mendoj se duhet të shikojmë drejt ardhmërisë. Një ditë do të kemi raporte shumë miqësore mes Serbisë dhe Kosovës. Kur e mendojmë Evropën Përëndimore ku gati që më nuk ka kufij, atëherë duhet të shpresojmë se edhe raportet e Kosovës, me Serbinë dhe Malin e Zi shumë lehtë do të përmirësohen dhe do të vendoset një harmoni. Sa i përket raporteve me Shqipërinë, gjithsesi nuk ka probleme të mëdha.

Ju e thatë se rrota historike nuk mund të kthehet mbrapsht, por Serbia shpreson se vendet perëndimore do të ndryshojnë vendimin e tyre për njohjen e pavarësisë. Mund ta paramendoni një gjë të tillë?

Tomuschat: Jo, këtë nuk mund ta paramendoj. Nuk mund ta paramendoj as që GjND-ja të jap një votë negative. Atje me siguri që ka asryeshmëri të mjaftueshme politike, por jam i bindur se ka edhe fakte të mjaftueshme juridike për vendimin e vendeve perëndimore që të mbështesin pavarësinë e Kosovës, sepse kosovarët kanë pasur të drejtën e vetëvendosjes dhe shkëputjes.

Kosovarët presin pas mendimit të Gjykatës një valë të re njohjesh, ndërsa Serbia pret konfirmim e qëndrimeve të saj kundër pavarësisë. Pra çfarë mund të pritet?

Tomuschat: Mendimi këshilldhënës i Gjykatës nuk është i obligueshëm. Por ky mendim ka një autoritet të lartë, sepse GJND-ja është instanca më e lartë për çështjet juridike ndërkombëtare. Në qoftë se Gjykata jep mendim pozitiv, mendoj se do të ketë një valë të njohjeve të reja dhe në këtë mënyrë Kosova definitivisht do të stabilizohet si shtet. Është e mundur që edhe Rusia t'i bashkangjitet këtyre lëvizjeve, sepse në interesin e Rusisë është që mendimi i Gjykatës të mos jetë negativ për Kosovën. Ekzistojnë edhe problemet e Abhazisë dhe Osetisë Jugore, ku Rusia ka vepruar në një formë e cila nuk është fare në përputhje me qëndrimet e saj ndaj Kosovës.

A ka perspektivë evropiane për Kosovën dhe Serbinë dhe a mund të paramendohet anëtarësimi i Serbisë në BE pa njohjen e Kosovës?

Tomuschat: Jo, pa njohjen e Kosovës nuk do të ketë anëtarësim të Serbisë në BE. Mendoj se mund të pranohen vetëm së bashku, por edhe anëtarësimi i Kosovës do të jetë problem shumë i madh për BE-në, sepse Kosova ekonomikisht është jashtëzakonisht e dobët. Mendoj se është shumë problematike që Kosova të bëhet anëtare e plotfuqishme dhe të marrë vendime sikur të gjitha vendet tjera. Këtu duhet të kemi një politikë shumë të mirë dhe largpamëse, për të gjetur një zgjdihje të mirë.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 13.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M0RG
  • Data 13.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M0RG