1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tomuschat: "Qeveria serbe duhet të justifikohet para elektoratit të vet"

Në formën e saj fillestare, projektrezoluta e Serbisë nuk do të kishte sukses në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Kështu shprehet për Deutsche Wellen, profesori i të drejtës ndërkombëtare, Christian Tomuschat.

default

Serbia e pakënaqur me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë, sipas së cilës pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, ka paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së një propozim me të cilin kërkohen negociata të reja. Propozimi është zbutur pas konsultimeve me BE-në, por në Beograd sërish thuhet se dialogu i ardhshëm nënkupton edhe negociatat për statusin.

Lidhur me shpresat e Serbisë, Christian Tomuschat thotë: "Besoj se Serbia nuk mund të arrijë shumë. Asambleja e Përgjithshme do të ketë kujdes që të mos vihet në një pozicion të kundërt nga ai i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sepse këto dy institucione janë të obliguara të bashkëpunojnë mes vete dhe të mos veprojnë kundër njëra - tjetrës. Këtë e kanë të qartë edhe përfaqësuesit e vendeve në Asamblenë e Përgjithshme."

Po cili është qëllimi i vërtetë i Serbisë, me përpjekjet që në Asamblenë e Përgjithshme të kalojë një projektrezolutë e saj?

Christian Tomuschat, profesori i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin Humbold në Berlin

Christian Tomuschat, profesori i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin Humbold në Berlin

"Mendoj se kjo bëhet për qëllime të brendshme politike. Qeveria e Serbisë duhet të dëshmojë para popullit të vet se po bën të gjitha përpjekjet për të evituar secesionin e Kosovës. Në Serbi vazhdon të jetë e fuqishme ndjenja e trajtimit të padrejtë të Serbisë dhe se Kosova nuk duhet të ndahet nga Serbia. Unë e kuptoj që politikanët po përpiqen të përdorin edhe mjetin e fundit për t'i kthyer gjërat. Por për qeverinë serbe kjo mund të jetë një bazë e re për veprim. Qeveria mund të thotë se i kanë bërë të gjitha përpjekjet, por ja që dështuan, e tani duhet vepruar mbi bazat e reja."

Ju e përmendët se ky është mjeti i fundit juridik i Serbisë në luftën kundër pavarësisë së Kosovës. Do të thotë Serbia nuk i mbeten mjete të tjera juridike?

"Në aspektin juridik më nuk mbetet asnjë mjet tjetër. Serbia nuk mund t'i drejtohet GJND-së dhe të ngrejë një aktpadi. Pra juridikisht dhe politikisht, është ky mjeti i fundit që Serbia mund të përdorë."

Një prej kërkesave kryesore të projektrezolutës fillestare serbe ishte rifillimi i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës për statusin e Kosovës. A është i mundur një dialog i tillë?

"Nuk mendoj se është i mundur. Qeveria e Kosovës do të përpiqet të ruajë pavarësinë e saj dhe nuk do të futet në asnjë proces që do të cënonte atë. Duhet pritur anëtarësimin në Bashkimin Evropian për të zgjidhur shumë probleme, si tregtia e lirë, liria e lëvizjes etj. Do të zgjidhen shumë probleme, por kjo nuk mund të zgjidhet brenda një dite."

Bashkimi Evropian e ka bërë kohët e fundit gjithnjë e më shumë të qartë se pa zgjidhjen e problemeve rajonale, nuk mund të ketë anëtarësim në BE. Si kusht për Serbinë kohët e fundit është përmendur edhe rregullimi i raporteve me Kosovën.

"Pa zgjidhjen e problemit të Kosovës, Serbia nuk mund të pranohet në BE. Kjo është e pamundur. Është shumë e qartë se ky faktor mund të çojë deri te shtyrja e madje edhe evitimi i anëtarësimit. Këtë e di edhe qeveria e Serbisë - që pa gjidhen e këtij problemi nuk mund të ketë anëtarësim në BE."

Po si mund të zgjidhet problemi i serbëve në Kosovë, sepse shumica prej tyre ende nuk i pranojnë institucionet kosovare. Mund të kenë ata një status special, siç flitet në disa media dhe qarqe jozyrtare?

"Diplomacia ka mjete dhe shembuj të shumtë - për zgjidhje federale apo autonomi të ndryshme. Juristët e mirë mund të gjejnë zgjidhje të ndryshme. Por për këtë kërkohet tolerancë, në radhë të parë nga më i forti, që tani është qeveria e Kosovës. Kosovarët duhet të kenë kujdes që pas fitores të mos diskriminojnë serbët, sepse do të dëmtonin shumë çështjen e tyre."

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 09.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/P7cf
  • Data 09.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/P7cf