1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tomuschat: "Projektrezoluta e Serbisë do të dështojë"

Serbia nuk do të ketë sukses me projektrezolutën e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Kështu shprehet në një intervistë për Deutsche Wellen, profesori i të drejtës ndërkombëtare, Christian Tomuschat.

Prof. Christian Tomuschat

Prof. Christian Tomuschat

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Për shumë ekspertë një mendim i tillë ka qenë i pritur. I të njëjtit mendim është edhe profesori gjerman i të drejtës ndërkombëtare Christian Tomuschat, i cili në një ntervistë për Deutsche Wellen pohon: "Ishte kjo përgjigja e duhur ndaj pyetjes së shtruar. E drejta ndërkombëtare në këtë aspekt është shumë e qartë."

Serbia ishte shumë e pakënaqur me këtë vendim të GJND-së me shpjegimin se institucioni më i lartë juridik i OKB-së nuk është marrë me të gjitha aspektet e duhura dhe nuk ka dhënë përgjigjen në pyetjen nëse shqitparët kanë pasur të drejtë të shpallin pavarësinë e Kosovës. Për të evituar valën e re të njohjes së pavarësisë së Kosovës, pas mendimit këshilldhënës të Gjykatës, Beogradi ka paraqitur një projektrezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku kërkohen negociata të reja për statusin e vendit të cilin deri më sot e kanë njohur 71 shtete.

"Besoj se Serbia nuk mund të arrijë shumë. Nuk mund të paramendoj se në Asamblenë e Përgjithshme mund të gjejë shumicën e duhur për mbështetjen e kësaj projektrezolute. Asambleja e Përgjithshme do të ketë kujdes që të mos vihen në një pozicion të kundërt nga ai i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sepse këto dy institucione janë të obliguara të bashkëpunojnë mes vete dhe të mos veprojnë kundër njëra - tjetrës. Këtë e kanë të qartë edhe përfaqësuesit e vendeve në Asamblenë e Përgjithshme. Prandaj, nuk e besoj që Serbia do të gjejë shumicën e duhur për mbështetjen e kësaj projektrezuolute."

Në qoftë se e drejta ndërkombëtare dhe pritjet nga Asambleja e Përgjithshme janë të qarta, shtrohet pyetja se cili është qëllimi i vërtetë i Serbisë?

"Mendoj se kjo bëhet për qëllime të brendshme politike. Qeveria e Serbisë duhet të dëshmojë para popullit të vet, sikur po bën të gjitha përpjekjet për të evituar secesionin e Kosovës. Në Serbi edhe më tej është e fuqishme ndjenja e trajtimit të padrejtë të Serbisë dhe se Kosova nuk duhet të ndahet nga Serbia. Unë e kuptoj që politikanët po përpiqen të përdorin edhe mjetin e fundit për t'i kthyer gjërat. Në rrafshin diplomatik nuk do të gjejnë mbështetje, sepse projektrezoluta do të dështojë, por për qeverinë serbe kjo mund të jetë një bazë e re për veprim. Qeveria mund të thotë se i kanë bërë të gjitha përpjekjet, por ja që dështuan, e tani duhet vepruar mbi bazat e reja. Për Serbinë në rrafshin mbarëbotëror dështimi i projektrezolutës paraqet një humbje, sepse humbet edhe mjeti i fundit për evitimin e pavarësisë së Kosovës. Por kjo hapë edhe rrugë për një afrim të mundshëm."

Në qoftë se Serbia dështon me projektrezolutën e saj, në aspektin juridik më nuk i mbeten shumë mundësi veprimi.

"Në aspektin juridik më nuk mbetet asnjë mjet tjetër. Serbia nuk mund t'i drejtohet GJND-së dhe të ngrejë një aktpadi, sepse me këtë duhet të pajtohen të dy palët, ndërkohë që nuk dihet se kush mund të jetë i padituri. Pra juridikisht dhe politikisht, është ky mjeti i fundit që Serbia mund të përdorë."

Një prej kërkesave kryesore të projektrezolutës serbe është rifillimi i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës për statusin e Kosovës. Qeveria e Kosovës, shumica e vendeve të BE-së dhe SHBA-ja kanë përjashtuar mundësinë e negociatave të reja për statusin.

"Nuk mendoj se kjo është e mundur. Qeveria e Kosovës do të përpiqet të ruajë pavarësinë e saj dhe nuk do të futet në asnjë proces që do të cënonte atë. Duhet pritur antarësimin në BE për të zgjidhur shumë probleme, si tregtia e lirë, liria e lëvizjes etj. Do të zgjidhen shumë probleme, por kjo nuk mund të zgjidhet brenda një dite."

Bashkimi Evropian e ka bërë kohët e fundit gjithnjë e më shumë të qartë se pa zgjidhjen e problemeve rajonale, nuk mund të ketë anëtarësim në BE. Këtë e thanë kohët e fundit në Beograd edhe ministrat e jashtëm të disa shteteve anëtare të BE-së.

"Pa zgjidhjen e problemit të Kosovës, Serbia nuk mund të pranohet në BE. Kjo është e pamundur. Është shumë e qartë se ky faktor mund të çojë deri te shtyrja e madje edhe evitimi i anëtarësimit. Këtë e di edhe qeveria e Serbisë. Pa zgjidhen e këtij problemi nuk mund të ketë antarësim në BE."


Serbia dhe shumica e serbëve të Kosovës nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe nuk i pranojnë institucionet e saj. A mund të gjendet ndonjë zgjidhje e pranueshme edhe për serbët, pa e cënuar pavarësinë e Kosovës?

"Serbëve në asnjë mënyrë nuk duhet t'u shkurtohen të drejtat e tyre, nuk duhet të diskriminohen. Kosova është obliguar se do të respektojë Konventën e të Drejtave të Njeriut dhe dokumentet e OKB-së. Kjo është shumë e rëndësishme. Qeveria e Kosovës do të bënte një gabim shumë të madh, nëse në ndonjë mënyrë shkelë të drejtat e serbëve. Qeveria e Kosovës duhet madje që të drejtave të serbëve t'u kushtojë një vëmendje të veçantë, për të dëshmuar se atje nuk kemi të bëjmë me një nacionalizët të verbër dhe se i ka kutpuar obligimet ndërkombëtare."

Në shumë media dhe në qarqe jozyrtare është folur kohët e fundit për një lloj statusi special të serbëve në Kosovë. "Diplomacia ka mjete të shumta dhe ka shembuj të shumtë, për zgjidhje federale apo autonomi të ndryshme. Juristët e mirë mund të gjejnë zgjidhje të ndryshme. Por për këtë kërkohet një lloj tolerance, në radhë të parë nga më i forti, e në rrethanat e tanishme ajo është qeveria e Kosovës. Kosovarët duhet që pas fitores të kenë kujdes dhe në asnjë mënyrë të mos diskriminojnë serbët. Kjo nuk guxon të ndodhë, sepse do të dëmtonin shumë çështjen e tyre."

Profesori Christian Tomuschat nuk përjashton "as mundësinë e ndarjes" me shpjegimin se "në politikë duhet të trajtohen të gjitha mundësitë, në qoftë se janë në interesin e gjetjes së një zgjidhje të pranueshme".

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 08.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/P7BY
  • Data 08.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/P7BY