1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Tomuschat: "Një armë e rëndësishme politike"

Presidenti palestinez Mahmud Abas i ka përgatitur Palestinës rrugën për anëtarësim në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Studiuesi i së drejtës ndërkombëtare Christian Tomuschat mendon se ashpërsohet konflikti me Izraelin.

Abbas unterzeichnet Statut zum IStGH 31. Dez. 2014

Presidenti Abas nënshkruan statutin e Romës në Ramallah, 31 dhjetor 2014

DW: Palestinezët kërkojnë të drejtën për ankimim në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë. Çfarë duan të arrijnë ata me këtë hap?

Tomuschat: Fillimisht duhet të ratifikohet statuti i Romës, që është baza e Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Kjo ndoshta do të bëhet ditët e ardhshme. Asambleja e Përgjithshme e ka njohur Palestinën si shtet. Në këtë kuptim duket të jenë mënjanuar të gjitha pengesat. Si shtet që ratifikon marrëveshjen, Palestina pastaj mund të bëjë denoncim për një situatë të caktuar, pra për një një shkelje apo krim që është i përfshirë në statut.

Por jo të gjitha vendet e kanë pranuar Statutin e Romës. Pse jo?

Tomuschat: Pas kësaj fshihet frika se qytetarët e një vendi mund të ndiqen penalisht nga Gjykata Penale Ndërkombëtare - sigurisht me mjetet e shtetit ligjor. Kjo prek sidomos SHBA, e cila mendon se një instancë e tillë penale ndërkombëtare është e panevojshme e mund të përdoret për qëllime politike. Edhe Kina dhe Rusia po kështu. Asnjë nga këto shtete nuk i nënshtrohet juridiksionit të gjykatës, pra kompetencave të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për të njëjtat arsye. Sepse në fund të fundit pranimi i Statutit të Romës do të thotë kontroll i politikës së një vendi nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. E këtë nuk e duan qeveritë.

Prof. Christian Tomuschat

Prof. Dr. Dr. h.c Christian Tomuschat

Kjo vlen edhe për Izraelin. Në të njëjtën kohë duket se kërkesa e palestinezëve e ka vënë nën presion qeverinë e Izraelit. Kryeministri Netanjahu ka reaguar duke kërcënuar, se do të padisë udhëheqjen palestineze. A do të ishte e mundur kjo, edhe pa u bërë Izraeli pjesë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare?

Tomuschat: Izraeli duhet ta bënte njëherë këtë hap. Kompetencat e Gjykatës Penale Ndërkombëtare shtrihen mbi shtetasit e një shteti që nënshkruan marrëveshjen, por edhe për veprat penale të kryera në territorin e një shteti -pjesë e marrëveshjes. Po qe se Palestina njihet si palë nga GJPN, atëherë një sërë krimesh të rënda, të kryera ose që do të kryheshin në territorin palestinez, pra nga ushtarë izraelitë, do të futeshin në kompetencën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare - së paku nga momenti i anëtarësimit. Kjo do të kishte ndikim për të ardhmen.

Nuk vlen kjo edhe për krime të së shkuarës?

Tomuschat: Sigurisht jo. Në kuadrin ligjor të marrëveshjes vlen parimi bazë, që të gjitha të drejtat, që dalin nga një marrëveshje kanë fuqi veprimi nga momenti i ratifikimit të saj. Por sigurisht kjo është diçka që mund të bëhet një armë e rëndësishme politike për palestinezët, edhe në negociatat me Izraelin. Nëse është veprim i mençur ta vësh në veprim këtë armë, apo nëse ajo do sjellë progres, kjo është një çështje tjetër.

Pse si mendoni ju?

Tomuschat: Po me këtë futesh në grindje pa fund dhe vështirësi, sidomos kur vjen fjala për zbardhjen e veprave penale, për të cilat duhen mbledhur prova. Është shumë e qartë, që qeveria izraelite ndodhet tani nën presion, dhe nuk do të jetë e gatshme të bëjë lëshime në negociata. Nga pala palestineze do të kishte qenë më mirë ratifikimi i marrëveshjeve të tjera multilaterale të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjeve për të drejtat e njeriut, para se të kalohej tek ky hap i fundit, njohja e statutit të Romës. Kjo i ashpërson dukshëm tensionet.

Prof. Dr.Dr. h.c. Christian Tomuchat është anëtar i emerituar i Fakultetit Juridik të Universitetit të Humboldt-it në Berlin, ish-anëtar i komisionit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe ish-anëtar e kryetar i Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Drejtën Ndërkombëtare.