1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tomisllav Nikoliҫ për Vidovdanin serb në Kosovë

Në Kosovë serbët festuan "Vidovdanin", e njohur si beteja e Kosovës e vitit 1389. Manifestimi qendror u zhvillua në Gazimestan jo larg Prishtinës.

Duke valëvitur flamuj të Serbisë, disa qindra serb të Kosovës, një pjesë e tyre të ardhur edhe nga Serbia, kremtuan me 28.06 "Vidovdanin" serb, e njohur edhe si beteja e Kosovës e vitit 1389. Tubimi qendror u mbajt në Gazimestan jo shumë larg Prishtinës, ku të pranishëm ishin pos prijësve fetarë të Kishës Ortodokse serbe edhe shumë zyrtarë të lartë nga Serbia me në krye me presidentin, Tomislav Nikoliҫ. Presidenti i Serbisë nuk u prit mjaft mirë nga disa grupet e të pranishmëve serb, të cilët e quajtën Nikoliҫin "tradhëtar të serbëve". "Ti je tradhëtar, e ke shitur Kosovën", "Nuk e duam BE-në, duam Rusinë dhe Kosovën", ishin disa nga brohoritjet e të pranishmëve, gjatë kohës kur Tomisllav Nikoliҫ iu drejtua masës.

Në Gazimestan, Nikoliҫ nuk mbajti fjalim të gjatë, por më shumë u përqendrua t'u përgjigjet brohoritjeve të masës. "Ju po më fyeni, po më gjuani e po më quani tradhëtar sot. Mirëpo, po të ishte presidenti i mëhershëm, ju nuk do të ishit fare këtu e kush e di se ҫfarë do të ndodhte me ju më pas", u tha Nikoliҫ të pranishmëve.

Për sigurinë e presidentit të Serbisë dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të qeverisë serbe, u kujdes policia e Kosovës e mbështetur edhe nga pjesëtar të misionit EULEX dhe trupat e forcave paqeruajtëse KFOR, që ishin vendosur në disa kryqëzime rrugësh. Nuk u shënua ndonjë incident. Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliҫ, gjatë qëndrimit në Kosovë, vizitoi edhe komunën e Graҫanicës të banuar me shumicë serbe ku mori pjesë në zbulimin e shtatores së Millosh Obiliqit, i njohur për serbët si hero në betejën e Kosovës të vitit 1389.

Vizita në Kosovë e presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliҫ, për të marrë pjesë në festën e "Vidovdanit serb", zhvillohet në kohën kur Prishtina po kërkon nga Bashkimi Evropian, që të bëjë presion ndaj Serbisë për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit të vitit të shkuar. Njëra ndër pikat e marrëveshjes është edhe qarkullimi i lirë në veri të Kosovës. Serbët e kësaj pjese dhjetë ditë më parë, hoqën një barrikadë dhe vendosën një tjetër duke mbjellë pisha mbi urën kryesore të lumit Ibër, të cilën po e quajnë "parku i paqes", por që megjithatë po pengon lirinë e lëvizjës. Rivendosja e kësaj barrikade u tha se është bërë në koordinim me qeverinë e Serbisë. Forcat paqeruajtëse rivendosjen e barrikadës e cilësuan të motivuar politikisht, ndërsa, autoritet e Prishtinës e cilësuan të turpshme dhe kërcënuan se nëse BE-ja nuk e bind Serbinë që të zbatojë pikat e marrëveshjes së 19 prillit, që nënkupton edhe liri të levizjës në veri, atëherë, Prishtina zyrtare do të veprojë konform ligjeve dhe rregullave të rendit publik.