1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

NRS-Import

Tmerr pa fund – Terrori në Rusi ka shkaqe të brendshme

Terrori ka mbërritur sërish në kryeqytetin rus, 39 vetë gjetën vdekjen nga sulmi i dyfishtë në metronë e Moskës. Arësyet janë të shumta. Ndërkohë nuk ka asnjë shenjë për zgjidhjen e problemit.

Flamuri rus në gjysmë shtizë për viktimat në stacionin e metrosë Lubjanka

Flamuri rus në gjysmë shtizë për viktimat në stacionin e metrosë "Lubjanka"

Akti i planifikuar ishte simbolik për faktin, se dy atentatoret kamikaze e aktivizuan lëndën shpërthyese në stacionin e metrosë "Lubjanka". Mbi këtë stacion ndodhet selia qendrore e shërbimit sekret rus, FSB. Ky shërbim pati komunikuar përpara disa javësh likujdimin e 20 terroristëve në republikat e Kaukazit të Veriut. Ky akt nuk solli më shumë siguri. Dy atentatoret kamikaze të Moskës vijnë nga Kaukazi, thotë FSB. Sulmi i dyfishtë i tyre mban vulën e akteve të mëparshme terroriste të çeçenëve.

Terrori çeçen në kryeqytetin rus zgjon tek rusët kujtime traumatike: në vitin 1999 shpërthyen bomba në dy pallate në Moskë - bilanci tronditës ishte: 307 të vdekur dhe 1.700 të plagosur.

Në këtë periudhë Vladimir Putin ndodhej në rrugën drejt pushtetit. Ai e shfrytëzoi terrorin për të fituar popullaritet. Ai donte t' i përndiqte pa u epur dhe t' i asgjësonte terroristët. Pas atentateve të fundit në metronë e Moskës Putini, tani kryeministër, i kërcënoi po me kaq ashpërsi ata që fshihen pas këtyre atentateve: "Ne e dimë, që ata janë atje poshtë, por kjo është një çështje nderi për organet e sigurisë, që t'i tërheqin ata prej vrimave ku janë fshehur dhe t'i nxjerrin në sipërfaqe."

Atentati kamikaz e në stacionin e metrosë Lubjanka

Atentati kamikaz e në stacionin e metrosë "Lubjanka"

Presidenti Dmitri Medvedev donte të tërhiqej prej politikës së pamatur ndaj Kaukazit që ndiqte paradhësi i tij Putin. Në vend të asgjësimit ai u kushtoi vëmendje bisedimeve dhe për herë të parë emëroi një të ngarkuar të posaçm civil për Kaukazin, një menaxher dhe jo një luftëtar.

Ndonëse tani edhe Medvedevi kërkon ligje më të ashpra kundër terrorit dhe një luftë të paepur, ai përpiqet t'i përmbahet kursit liberal në Kaukaz:

"Të gjitha programet duhet të vazhdojnë të realizohen, pavarësisht të gjitha pengesave. Kjo sepse zgjidhjet e shumë problemeve janë të lidhura me sektorin social dhe ekonomik. Ndaj duhet që të kujdesemi që të mos përdorim vetëm dhunë. Kjo do të thotë që të bashkëpunojmë me njerëzit, me kolektivat dhe të ofrojmë kushte të reja më të mira jetese.“

Për shumë kohë rusët besonin, se ia kishin arritur që ta shmangnin terrorin, që përpara disa vitesh tronditi Moskën dhe që orgjininën e kishte nga Kaukazi. Por ata kanë gabuar. Natyrisht edhe në Kaukaz kamikazët hidhen në erë, kështu siç e tregoi edhe sulmi i dyfishtë Dagestan. Por deri tani thuajse askujt nuk u interesonin lajmet e përditshme për shpërthime apo shkëmbime zjarri në Veri të Kaukazit.

Deri tani paqja e dyshimtë në Çeçeni, që vendosi Putin me presidentin Kadirov, mundi të ruhej. Ky i fundit e neutralizoi një pjesë të madhe të kryengritësve ose duke e pranuar në ushtrinë e tij private, ose duke e likujduar. Ai e rindërtoi kryeqytetin e Çeçenisë Grozni me shumat e parave nga buxheti rus. Presidenti Kadirov e ktheu besimin islam në fe shtetërore, asgjësoi opozitën dhe prej vitesh qeveris në mënyrë diktatoriale i toleruar nga Moska.

Çlirimi i Çeçenisë nga Kadirvi i detyroi kryengritësit e pavullnetshëm për t'u përshtatur që të largohen drejt republikave veriore Ingusheti dhe Dagestan. Përpjekja e Moskës që të vendosë presidentë pro-rusë edhe në këto republika përfundoi në mënyrë të përgjakshme. Presidenti i Çeçenisë Kadirov dëshiron tani të kujdeset për rendin në republikat fqinje: "Ashtu siç thotë profeti: atje ku shfaqeni ju, do të derdhet gjak. Terroristët duhet t'i asgjësojmë, ashtu siç kemi bërë edhe në republikën çeçene.“ Vëzhguesit mendojnë, se Kadirovi autokrat pretendon të sundojë në të gjithë Kaukazit të Veriut, gjë që duket se është edhe në interesin e Moskës.

Terroristët tashmë kanë kohë që nuk synojnë më vetëm shkëputjen nga shteti rus në vitet 1990-të, por të rinjtë që rrëmbejnë armët synojnë edhe krijimin e një perandorie islamike në Veri të Kaukazit. Një ndër udhëheqësit më të njohur të tyre është i vetëemëruari Emiri i Kaukazit, Doku Umarov. Në faqen e tij të internetit ai kërcënoi se do ta shtrijë luftën ndaj epiqendrës së Rusisë dhe qyteteve ruse. Umarov ka një komando kamikaze, e cila ka marrë përsipër autorësinë e 13 atentateve kamikaze vitin e kaluar. Sulmi ndaj trenit të shpejtë të linjës Moskë-Shën Peterburg, nëntorin e kaluar, nuk bën pjesë në këto aksione. Edhe ndaj sulmeve të fundit në Moskë Doku Umarov është dinstancuar publikisht.

Ndërkohë në Veri të Kaukazit luftojnë për pushtet dhe influencë grupe të ndryshme. Motivet e tyre shkojnë që nga varfëria e deri tek energjitë kriminale dhe fundamentalizmi fetar. Terrori është arma kryesore e tyre. Me çdo sulm terrorist në Rusi zbehet shansi i tyre për të gjetur alternativë ndaj vrasjeve dhe hakmarrjes në Kaukaz.

Autor: Karla Engelhard/Vilma Filaj-Ballvora
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 01.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MkQ7
  • Data 01.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MkQ7