1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Tkurret sipërfaqja e tokave bujqësore rritet numri i refugjatëve të klimës

Ndryshimi i klimës godet veçanërisht rëndë bujqësinë. Rezultati: më pak produkte ushqimore, më shumë refugjatë nga ndryshimi i klimës. Edhe kjo është një temë në samitin e FAO-s në Romë 16.11-18.11.2009.

Thatësira si pasojë e ndryshimit të klimës

Thatësira si pasojë e ndryshimit të klimës

Mungesë uji, përmbytje, tajfunë - gjithnjë e më shumë njerëz detyrohen të lënë atdheun e tyre pasi ai nuk ofron më hapësirë jetësore. Bashkëfajtor është ndryshimi i klimës, i cili do të godasë më rëndë bujqësinë. Azia Jugore por edhe Afrika dhe Amerika Latine duhet të jenë të përgatitura se në periudhë afatgjatë shumë rajone do të jenë të pabanueshme. Pasojat e ndryshimit të klimës për flukset e refugjatëve dhe për sigurimin e ushqimit do të jenë shkatërrimtare.

Deri tani ka pak studime për lidhjen mes ndryshimit të klimës dhe migracionit. Por një gjë është e sigurtë, thotë Jeni Klugman, autore e raportit të OKB-së për zhvillimin: faktorët e mjedisit do ta shtojnë trysninë në vendet në zhvillim gjatë dekadave të ardhshme. „Ne nuk mund t'i injorojmë faktorët e ndryshimit të klimës. Por për momentin ndërthuren shumë arsye për migracionin. Për shembull unë kam punuar për kohë të gjatë në Sudan për këtë. Natyrisht edhe ndryshimi i klimës luan një rol, kur njerëzit atje braktisin rajonet ku kanë banuar, por ka edhe shumë arsye të tjera.“

Në raportin e saj për zhvillimin Jeni Klugman paraqet skenarë të ndryshëm. Kështu shkencëtarët mendojnë se gjysma e sipërfaqes së përdorur për bujqësi në pjesën jugore të Kontinentit Afrikan gjatë dhjetë viteve të ardhshme do të thahet. Në të njëjtën kohë Klugman pret që pjesë të mëdha të bujqësisë, për shembull në malësinë e Himalajës, të shkatërrohen nga masat e ujit në rritje që krijohen prej shkrirjes së akullnajave.

Përmbytjet pasojë e ndryshimit të klimës

Përmbytjet pasojë e ndryshimit të klimës

Vendet afrikane veçanërisht të rrezikuara

Shkatërrimi i zonave të shfrytëzuara për bujqësi është një nga shkaqet kryesore për migracionin në rritje thotë, Aderanti Adepoju, nga rrjeti afrikan për studimin e migracionit në Nigeri: "Ndërthuren shumë faktorë: shkatërrimi i ambjentit, përmbytjet, dhe subvencionet e vendeve të zhvilluara për produktet e tyre bujqësore. Kjo ka si pasojë që shumë vende afrikane e zhvasin natyrën e tyre me qëllim që të prodhojnë dhe të ofrojnë më shumë. Bujqësia ka rëndësi jetike në shumë vende afrikane. Kur njerëzit nuk mund të jetojnë dot më në sajë të bujqësisë ata shpërngulen në qytete dhe ndoshta braktisin edhe atdheun."

Sipas studimeve, një numër njerëzish nga 200 milionë deri në një miliard, ka të ngjarë të jenë të detyruar në të ardhmen të braktisin vendbanimet apo edhe atdheun për shkak të ndryshimit të klimës. Veçanërisht të rrezikuar janë nga njëra anë vendet afrikane, dhe nga ana tjetër shtetet në lindje dhe jug të Azisë.

Bangladeshi për shembull ndodhet vetëm 20 metra mbi nivelin e detit. Atje që tani mund të vërehet një tendencë e migrimit të banorëve të rajoneve që përmbyten vazhdimisht, thotë Syed Saiful Haque, nga fondacioni WARBE Development në Bangladesh: "Vitin e kaluar patëm dy ciklone të mëdha. Njerëzit ende nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Në një vrojtim kemi konstatuar se njerëzit që vijnë nga rajonet e prekura duan të largohen edhe në periudhë afatgjatë. Ata e shesin tokën dhe përpiqen të emigrojnë në shtete të tjera."

Masat e përshtatjes me ndryshimin e klimës, i ashtuquajturi "adaptim", janë një nga temat e disktueshme në negociatat e OKB-së për klimën. Vendet e industrializuara nuk kanë bërë ende premtime konkrete. Për vendet në zhvillim, të cilat janë të prekura qysh tani nga ndryshimi i klimës, është e rëndësishme të marrin në radhë të parë premtime të besueshme, të planifikueshme për financimin dhe masat përshtatëse. Të 100 vendet e prekura më rëndë nga ndryshimi i klimës emetojnë vetëm 3 për qind të sasisë së gazrave që shkaktojnë efektin serë.

Autor: Ruth Reichstein / Eliana Xhani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 16.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KYB0
  • Data 16.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KYB0