1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tirana merr masa për të përballuar motin e keq

Qeveria shqiptare shpalli Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore në qarqet problematike në Veriun e Shqipërisë. Zonat rurale kanë vështirësi me furnizime në ilaçe e ushqime. Moti i keq vazhdon.

Moti i keq

Moti i keq

Në një mbledhje të jashtëzakonshme të kabinetit qeveritar të dielën në mbrëmje, kryeministri Sali Berisha e konsideroi si të përkeqësuar situatën e krijuar nga reshjet e pandërprera të dëborës dhe shiut në qarqet e Shkodrës, Kukësit dhe Peshkopisë në verilindje, por dhe në Elbasan e Korçë, në pjesën juglindore të vendit.

Përkundrejt bllokimit të segmenteve të rrugëve nacionale dhe atyre dytësore, sidomos në zonat rurale, janë krijuar probleme për komunitetin: mungesa në furnizimin me energji elektrike, me ujë të pijshëm dhe ushqime, janë ndërprerë shërbimet publike dhe private, ndërkohë që ka urgjenca shëndetësore në territoret e izoluara.

Furnizimi me ilaçe dhe ushqime ka prioritet

Sipas kryeministrit Berisha, struktura e Komitetit të Emergjencave Civile, që funksionon prej ditësh, ka angazhuar njësi të shtuara të të Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Shëndetësisë etj. Duke arsyetuar vendimin e qeverisë për shpalljen e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore në qarqet problematike, kryeministri Sali Berisha tha se synohet që “të bëhet gjithçka për të siguruar kalueshmërinë e rrugëve jo vetëm kombëtare, por edhe atyre lokale, komunale. Të bëjmë gjithçka që t'u dërgojmë këtyre zonave ndihmat më të mëdha të mundshme, së pari me ilaçe, ushqime, por edhe me nevoja të tjera”.

Disa orë para se të mblidhte kabinetin qeveritar, kryeministri dhe një pjesë e ministrave ishin vetë prezentë në qytetin e Kukësit, rreth 230 km larg Tiranës, në takimin e shtabit lokal të emergjencës, ku diskutoi për problematikën e krijuar nga reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulta, si edhe gjetjen e zgjidhjeve për ndihmë më efikase ndaj banorëve dhe autoriteteve vendore në zonat e izoluara.

Sipas të dhënave zyrtare gjysma e territorit të Shqipërisë është e rrethuar dhe e mbuluar nga sasi të mëdha dëbore dhe në temperatura të ulëta. “Në emër të qeverisë, duke u shprehur solidaritetin më të madh banorëve të zonave me reshje të mëdha dëbore, u bëj gjithashtu thirrje qeverive vendore, që, në mënyrë të programuar, të bëjnë gjithçka për të parandaluar çdo kërcënim dhe humbje jete të qytetarëve në komunitetet e tyre”- tha kryeministri të dielën në mbrëmje.

Ministria e Brendshme në Tiranë njoftoi se në zonat ku ka intensitet të rreshjeve të dëborës dhe ngrica janë në funksionim rreth 80 borëpastrues dhe fadroma që hapin rrugë nacionale dhe dytësore që bllokohen. Ndihmat ushqimore dhe shëndetësore për popullatën e izoluar transportohen nëpërmjet helikopterëve dhe mjeteve të motorizuara të ushtrisë. “Ekipi i helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë ka realizuar 38 fluturime për transportin e qytetarëve në emergjencë shëndetësore në rrethet Tropojë, Malësi e Madhe dhe Kukës”, thuhet në një komunikatë që ka lëshuar mbrëmjen e së dielës Ministria e Brendshme në Tiranë.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi