1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tirana kundër "skllavërisë ekonomike"

Ani Ruci / Tiranë18 Shtator 2008

2009 do t´ua bëjë të vështirë jetën gjithë subjekteve të biznesit vendas apo të huaj që punësojnë në të zezë. Nisma ligjore, e sapomarrë nga qeveria e Tiranës, do ta konsiderojë punësimin në të zeze vepër penale.

https://p.dw.com/p/FKkn
Tiranë
TiranëFotografi: Aida Cama

Inisiatori i kësaj nisme, kryeministri Berisha e sheh problemin si në planin moral të të drejtave të njeriut, ashtu edhe në atë të ekonomisë informale, të evazionit fiskal dhe mosderdhjes së parave në xhepin e shtetit. Për të dyja këto aspekte ai u kërkoi ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë edhe atyre të Financave hartimin e një ligji të fortë.

"Të përcaktojmë prerogativat ligjore më të rrepta që do të quhen prerogativa antiskllavëri ekonomike. Për ata që mbajnë punëtorët në të zezë kërkoj që të mos trajtohet si një problem civil, por penal dhe i rëndë," tha kryeministri Berisha.

Ajo që kreu i qeverisë së Tiranës e quan "skllavëri ekonomike" po thellon hendekun mes të pasurve dhe të varfërve. Në Shqipëri po humbet klasa e mesme. Një ilustrim domethënës vjen nga bizneset mediatike.

Shoqata e Gazetarëve të Shqipërisë publikon shifrën e 70 përqind të punës në të zezë të qindra reporterëve dhe korrespondentëve në TV private apo në të përditshmet e Tiranës. Paga e tyre mujore arrin 200 - 250 euro për 10- 12 orë pune në ditë dhe sigurimin social dhe shëndetësor duhet ta bëjnë nga të ardhurat e tyre. Pronarët, që kanë edhe biznese të tjera me të cilat blejnë mbështetje politike, fitojnë 15- 20 herë më shumë. "Ata që janë pasuruar apo do të pasurohen me punë të zezë nuk do ta gëzojnë pasurinë. Ata do të përballen me ligjin. Do të shkojmë drejt tolerancës "zero" ndaj shfrytëzimit skllavërues të njeriut. Do të bëjmë që puna në të zezë të përjashtohet," tha kryeministri Berisha.

Por krahas kërbaçit, qeveria u ofron subjekteve të biznesit edhe kulaçin. Viti i ardhshëm do të shënojë uljen në masën 50 përqind të shumës së detyrimeve sociale dhe shëndetësore që një punëmarrës duhet të paguajë për të punësuarit e vet.

Ligji ku punësimi në të zezë do të konsiderohet vepër penale pritet të fenojë ekonominë informale në Shqipëri. Shifra zyrtare, të publikuara nga qeveria e Tiranës, flasin për një ekonomi të tillë katër herë më të lartë se në vendet e BE, ku Shqipëria aspiron të integrohet. Ligj i fortë, me dorë të hekurt për të luftuar punësimin në të zezë... Rasti i Shqipërisë është i tillë ku ligjet e hartuara janë shumë të mira, konform legjislacionittë BE por .. zbatimi i tyre lë shumë për të dëshëruar. Për ligjin në fjalë krahas kontrollit të organeve shtetërore do të luajë rolin e vet denoncimi nga vetë të punësuarit në të zezë. Në kushtet e papunësisë dhe të mungesës së ofertave për punë në tregun e punës vihet në pikëpyetje gadishmëria e tyre për të denoncuar. Ulja e papunësisë, ofertat për punë dhe zbatimi rigoroz i ligjit janë parakushte që punësimi në të zezë të fillojë të ecë drejt fundit të tij.