1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tirana - kufizim mandatit të pranisë së OSBE- së në Shqipëri

Një letër e Ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, drejtuar kryetarit në detyrë të OSBE-së, Aleksandër Stubb, tregon se çfarë ka ndodhur para se të shpërthente debati për praninë e OSBE-së në Shqipëri.

Selia e OSBE-së dhe ODHIR-it në Tiranë

Selia e OSBE-së dhe ODHIR-it në Tiranë

Publikimi sot i letrës së Ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, drejtuar kreut të OSBE-së në Vienë ndriçon prapaskenën e debatit të ditës në Tiranë: OSBE- ja të qëndrojë apo të largohet. Deri më sot debati u përqëndrua në akuzën e opozitës ndaj qeverisë Berisha se ajo kërkon largimin e OSBE-së nga Shqipëria, për të pasur dorë të lirë në manipulimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Pala tjetër, qeveria hodhi poshtë me deklarata zyrtare akuzën në fjalë dhe premtoi dyfishimin e vëzhguesve të OSBE-së. Por letra e Ministrit te Jashtëm, Lulzim Basha, drejtuar kryetarit në detyrë të OSBE-së, Ministrit të Jashtëm të Finlandës, Aleksandër Stubb tregon se çfarë ka ndodhur para se të shpërthente ky debat.

Kërkesë pa ekuivoke e Tiranës

Qartë dhe pa ekuivoke kreu i diplomacisë së Tiranës i kërkon kreut të OSBE-së të marrë në shqyrtim kërkesën e palës shqiptare për ndryshimin e mandatit të pranisë së OSBE-së në Shqipëri.

"Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj kërkesën e Shqipërisë, të shprehur edhe në forumet e OSBE-së në Vjenë, për ndryshimin e mandatit të pranisë së OSBE-së në vend." Pala shqiptare është gati të fillojë procesin e negociatave, për kalimin në një fazë të re marrëdhëniesh me OSBE-në dhe praninë e saj në Shqipëri. Mandati i ri i kësaj pranie të kufizohet në dy çështje themelore: reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore, me një afat kohor të përcaktuar qartë, i shkruan para dy muajsh, në maj, ministri Basha kreut të OSBE-së Stubb.

Argumentat kryesore të paraqitura nga Lulzim Basha për një mandat të ri, të kufizuar në krahasim me mandatin aktual, janë "progresi demokratik i vendit, marrja e ftesës në samitin e Bukureshtit, nënshkrimi i MSA-së me BE-në" që sipas Bashës e bëjnë Shqipërinë të jetë në stadin kur duhet të marrë gradualisht "pronësinë gjithnjë e më të madhe të proceseve përmes kapaciteteve të rritura profesionale dhe drejtuese të institucioneve shqiptare".

Përgjigja e OSBE-së

Kryetari në detyrë i OSBE-së, ministri i Jashtëm i Finlandës, Aleksandër Stubb

Kryetari në detyrë i OSBE-së, ministri i Jashtëm i Finlandës, Aleksandër Stubb

Por përgjigja e kreut të OSBE-së, Aleksandër Stubb, të cituar për DW nga Zyra e Shtypit, të pranisë së organizatës në Tiranë, sipas së cilës Shqipëria përbën një partnere afatgjatë të OSBE-së, dhe se mbetet e gatshme të vazhdojë të bashkëpunojë me Shqipërinë, në përputhje me mandatin e saj, në dobi të popullit shqiptar, mbyll çdo shteg për të supozuar se kërkesa e qeverisë së Tiranës do të realizohet tani. Për më tepër kur opozita e majtë është kundër kufizimit të mandatit. Madje jo vetëm në radhët e opozitës, por edhe në radhët e deputetëve të djathtë ka zëra që dalin kundër ndryshimit tani të mandatit ekzistues.

"OSBE-ja ka luajtur një rol shumë pozitiv në Shqipëri gjatë gjithë periudhës së tranzicionit. Deri sot Shqipëria nuk ka pasur zgjedhje të lira, të ndershme, me rezultate të pranuara nga të gjitha palët. Kur Shqipëria të shkëputet nga zgjedhjet e kontestuara, atëhere është konsoliduar demokracia. Vetëm atëhere mund të rishikohet statusi, mandati i OSBE-së dhe në përgjithësi i të gjitha institucioneve ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri." - tha deputetit demokrat, Aleksandër Biberaj, njëkohësisht edhe nënkryetar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Ndryshimi i mandatit të OSBE-së apo kufizimi i tij vetëm në asistencë teknike për reformën zgjedhore dhe atë në drejtesi do të përjashtonte mbështetjen e ekspertëve të saj në insitucioneve të rëndësishme në fushën e drejtësisë si ai i Prokurorisë së Përgjithshme. Aktualisht ekspertët e OSBE-së po japin asistencën e tyre për të zbardhur ngjarjen e rëndë të shpërthimit të depove të municioneve të vjetra në Gërdec, më 15 mars 2008, për një hetim të pavarur nga politika dhe vënien para drejtësisë të shkaktarëve kryesorë të saj.

Katër muaj pas shpërthimit organi qendror i akuzës nuk ka arritur ende të vërë gishtin mbi shkaktarët kryesorë të ngjarjes, që opozita e ka quajtur "krim shtetëror". Incidenti i ndodhur muajin e kaluar në Parlament, kur përfaqësues të OSBE-së nuk u lanë të merrnin pjesë në seancën, ku Prokurorja e Republikës, Ina Rama, raportoi për ecurinë e hetimeve dhe rezultatet e luftës kundër korrupsionit mbetet një sinjal alarmi për lejimin e kryerjes së mandatit aktual te OSBE-së.

  • Data 06.08.2008
  • Autor Ani Ruci/ Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ErUl
  • Data 06.08.2008
  • Autor Ani Ruci/ Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ErUl