1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Tirana balancon mes Beogradit dhe Ankarasë

Në një intervistë ekskluzive për Deutsche Wellen, raportuesi i CDU-së për Shqipërinë, Roderich Kiesewetter vlerëson arritjet e Shqipërisë gjatë 20-vjeçarit të fundit, por thekson se ajo ende ka shumë hapa për të bërë.

Që nga dita e martë (7.2.12) kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, gjendet për një vizitë treditore në Berlin. Ajo ka ardhur me ftesë zyrtare të homologut të saj, kryetarit të Bundestagut gjerman, Norbert Lammert. Topalli ka një varg takimesh me përfaqësues të rëndësishëm të politikës dhe ekonomisë, shumë syresh e ndjekin Shqipërinë nga afër, siç është Roderich Kiesewetter, me të cilin ajo të martën mbrëma (07.02.) prezantoi në ambientet e Fondacionit Konrad Adenauer në Berlin sfidat e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.

Deutsche Welle: Zoti Kiesewetter, kryetarja e parlamentit shqiptar ndodhet për një vizitë zyrtare në Gjermani. Cila është rëndësia e kësaj vizite për Shqipërinë?

Kiesewetter: "Kjo është një reklamë shumë e mirë për Shqipërinë. Shqipëria duhet të jetë më  e pranishme në opinionin gjerman. Është e rëndësishme me qëllim që në Gjermani dhe në Evropë të mos krijohet ndjesia e lodhjes kundrejt zgjerimit dhe që popullsia jonë ta dijë që bashkimi i Evropës do të marrë fund vetëm kur të gjitha vendet ballkanike të jenë bërë anëtare të BE-së. Kjo do të zgjasë edhe shumë vjet, por ne të gjithë do ta përjetojmë."

Pavarësisht nga ndjesia e lodhjes ndaj zgjerimit tek qytetarët e BE-së, Shqipëria duhet të plotësojë detyrat saj. Cilat janë sfidat e saj sipas jush?

Kiesewetter: "Unë mendoj se popullsia në Shqipëri e di shumë mirë se për çka bëhet fjalë: Pra që të luftohet korrupsioni në shoqërinë shqiptare, të luftohet krimi i organizuar dhe që të sundojë shteti juridik si në gjyqësi ashtu edhe në shëndetësi. Që të mos shkojë dikush të blejë me para një shërbim të mirë shëndetësor duke i anashkaluar të tjerët dhe që proceset gjyqësore të mos influencohen nga asgjë tjetër, veç normave juridike. Të gjitha partitë në parlamentin e Shqipërisë duhet ta kuptojnë se bashkëpunimi është më i mirë se përplasja. Vetëm kështu Shqipëria do të arrijë atë pjekuri politike që i nevojitet për anëtarësim në BE. Nuk ndihmon bllokada, por bashkëpunimi, sepse sfidat janë shumë të mëdha për të gjithë Evropën: Ne jemi vetëm 500 milionë njerëz dhe ne konkurrojmë kundër 1,3 miliardë kinezëve, 1,2 miliardë indianëve, 400 milionë indonezianëve e që të gjithë këta janë duke u rritur ekonomikisht. Evropa edhe dëshiron të mbetet në tregjet botërore, por edhe të jetojë në liri, tolerancë, drejtësi, demokraci dhe përgjegjësi dhe në të njëjtën kohë jetesa në të duhet t'ia vlejë. Pra sfidat janë shumë të mëdha."

Si mendoni se mund ta arrijnë partitë shqiptare atë bashkëpunim për të cilën flisni Ju?

Kiesewetter: "Këtë mund ta arrijnë vetëm shqiptarët. Nuk më takon mua si i huaj që të jap këshilla, kjo është si të shesësh mend.  Nuk më duket se ka ndonjë vlerë. Ka shumë shitmendësa në Evropë. Ajo çka ka vlerë, sipas mendimit tim, është që të rinjtë e Shqipërisë të dalin jashtë e të udhëtojnë. Por edhe diçka tjetër është shumë e rëndësishme: Ka kaq shumë të rinj me shkollë, që janë kualifikuar jashtë shtetit: Ata duhet të kenë një shans që të punojnë në shtet në mënyrë afatgjate e jo të nxirren nga puna mbas një gjysmë ose një viti kur të ndryshojë administrata. Është me rëndësi që të ndërtohet një aparat i mirë nëpunësish e që sipërmarrjet të kenë punonjës të cilët nuk e ndërrojnë shpesh vendin e punës."

Ju e keni fjalën për raste konkrete?

Kiesewetter: "Po. Për shembull, një i ri shtroi këtu pyetjen, se sa nga të rinjtë që janë shkolluar jashtë shtetit kanë pasur rastin që të marrin përsipër përgjegjësi në Shqipëri. Shifrat duhet të thuhen hapur. Çështja tjetër është se kur investojnë firmat e huaja e kur ka ndonjë gjë që s'ecën, të mos u duhet të paguajnë më shumë para nëpër ca fonde ndihmëse, por të kenë shansin që sipas të drejtës dhe ligjit të hyjnë në treg dhe të
shesin prodhimet e tyre. Sigurisht që është e rëndësishme që në BE të njihen përparimet e mëdha që ka bërë Shqipëria, por kjo nuk do të thotë se nuk duhen bërë edhe shumë hapa të tjera përpara. Është mbresëlënëse ajo çka ka ndodhur në 20 vitet e fundit në Shqipëri, por Shqipëria nuk ka arritur aq sa për t'u bërë kandidate."

Ju flisni për përparime në një periudhë 20vjeçare, por po të shohësh vendet e Ballkanit, ato kanë kaluar ndërkohë nëpër luftëra dhe po ia kalojnë Shqipërisë në rrugën drejt BE-së...

Kiesewetter: "Po por Shqipëria ka një politikë shumë të mirë të jashtme. Shqipëria balancon mes Beogradit dhe Ankarasë. Ajo përpiqet shumë që shqiptarët e Kosovës të jenë të qetë e të mos kenë lakmi për Shqipërinë e Madhe."

Si e shikoni Ju aktivitetin e Aleancës KuqeZi?

Kiesewetter: "Unë e konsideroj atë kërcënues dhe shpresoj që partitë ekzistuese do të bëjnë gjithçka që popullsia të mos bjerë në kurthin e tyre. Është shumë e lehtë të jesh populist, populistë të djathtë ne shohim në Holandë, në Finlandë dhe Suedi, kemi edhe në Gjermani, në Saksoni, që thonë se fondet janë vetëm për gjermanët: Rreziku është se në kohë krizash populizmi nxit tendencat nacionaliste. Unë apeloj që bashkëpunimi ndërpartiak të përmirësohet e që ligjet që janë të nevojshme për BE-në të miratohen me shpejtësi."

Si e gjykoni ju rastin më të fundit të shpalljes të pafajshëm të ish-ministrit të jashtëm, Ilir Meta?

Kiesewetter: "Në rastin e Ilir Metës gjykatat nuk morën një vendim të kuptueshëm. Njerëzit prisnin në fakt që ai të dënohej, e nuk kuptohet se përse gjykatat kanë marrë një vendim të tillë. Kjo është përshtypja ime. Pyetja që lind këtu është se a kemi të bëjmë me një proces që është bërë në përputhje me ligjet dhe drejtësinë? Për këtë ka dyshime dhe gjykatat nuk arritën që t'i hidhnin poshtë ato. Kur ka dyshime, nuk ka besim dhe gjykatat duhet të gëzojnë më shumë besim në popull. Kjo vlen edhe për hetimet rreth 21 Janarit. Nuk është sqaruar ende se cilët janë dorasit e vërtetë. Këtu duhet punuar bashkarisht për të vënë drejtësinë në vend. Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë më kurrë, por ajo nuk duhet mbuluar. Njerëz që e njohin situatën juridike në Shqipëri thonë se është krijuar përshtypja se ka një drejtësi për disa politikanë të përzgjedhur dhe një tjetër për shqiptarët e thjeshtë. Para ligjit dhe drejtësisë të gjithë duhet të jenë njësoj. Pra edhe këtu ka shumë dyshime. Dhe për sa kohë që ka dyshime, duhet punuar për heqjen e tyre."

Retorika mes pozitës dhe opozitës në Shqipëri shpesh është shumë e ashpër dhe me fjalë ofenduese personale. Si  e shikoni ju  këtë?

Kiesewetter: "Këtu duhet parë edhe temperamenti: Në Ballkan flitet më troç se në Evropën Qendrore a në Francë, ku kritika shprehet me shumë mirësjellje. Në Ballkan historikisht gjërat janë thënë më hapur, kjo është e vërtetë, por kjo retorikë e ashpër nganjëherë has në moskuptimin e fqinjëve. Por ajo edhe për ne, gjermanët, shpesh është e pakuptueshme: Ne mendojmë se kush sillet kaq ashpër me njëri-tjetrin, nuk e ka shtrirë dorën ende. Kështu që një retorikë më komunikuese është më e mirë se konfrontimi i përhershëm e i ashpër. Unë mendoj se kjo është një çështje brezash."
 

Intervistoi: Anila Shuka

Redaktoi: Esat Ahmeti