1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tiranë: sindikalistë të mbështetur nga Lëvizja Mjaft organizuan protestë me rastin e 1 Majit

Protestuesit në Tiranë kërkojnë trajtim social në përputhje me kategorinë e profesionit dhe mospushime nga puna

Protestë për 1 Majin në Tiranë, 01.05.2009

Protestë për 1 Majin në Tiranë, 01.05.2009

Protestuesit ngrenë zërin për shkallën e papunësisë dhe kushtet e vështira të punës

Jo pa qëllim organizatorët e protestës kishin zgjedhur sheshin e Ushtarit të Panjohur, në qendër të Tiranës. Ky shesh njihet dhe si stacioni i të papunëve, i atyre që çdo mëngjes vijnë këtu dhe qëndrojnë me orë të tëra për të tërhequr vëmendjen e ndonjë punëtor kërkuesi, qoftë dhe për gjysëm dite. Konferederata e Sindikatave të Shqipërisë dhe Lëvizja Mjaft në shenjë simbolike inaguruan dhe një memorial papunësie, në të cilin ishin dhënë shifra dhe fakte nga 2008 dhe periudha në vazhdim.

Oratorët në protestë përmendën shifrat e frikshme të papunësisë, që i ka kaluar sipas tyre 30 përqind, folën për numrin e madh, gati gjysëm milion familjesh që jetojnë në varfëri, për kushtet e vështira të punës etj.

'Ne metalugët konsiderohemi sikur punojmë në një fabrikë çokollatash'

Gjon Ndoci, sindikalist nga Elbasani, tha për DW-në se punonjësit e kimi-metalurgjisë janë në kushte shumë të vështira, duke u përballur herë pas here me shkurtime të vendeve të punës.

"Në sektorin ku punoj unë 50 përqind janë hequr nga puna. Pra ata janë pa mbështetje, pa siguruar as ato kushtet minimale për bukë e për mbijetesë. Ne protestojmë dhe për moshën e pensionit, që qeveria na e ka vënë 65 vjeç. Ne metalugët konsiderohemi sikur punojmë në një fabrikë çokollatash..."

'Kriza globale tashmë është ulur këmbëkryq në Shqipëri'

Nerjana Zaimi, është aktiviste e Konfederatës së Sindikatave. Ajo thotë se problemeve që ka patur Shqipëria nga tranzicioni i gjatë u janë shtuar së fundi dhe efektet e krizës globale.

"Pavarësisht se qeveritarët tanë mundohen që ta fshehin, ajo tashmë është ulur këmbëkryq në Shqipëri. Dhe këtë e shikojmë në rradhë të parë ne gratë, në tavolinat tona që na mungojnë ato asortimente që duhen për një mirëqënie më të mirë".

'Qeveria paguan si ata që janë larguar padrejtësisht nga puna, ashtu dhe ata që i ka marrë rishtaz në punë'

Zaimi thotë se aktivitete të tilla nuk bëhen vetëm në 1 maj, por në vazhdimësi.

"E ngremë zërin për problemet tona. P.sh., kemi në fokus largimet nga puna. Të cilat i ndjekim deri dhe në rrugë gjyqësore. Vetëm në Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare, KESH, janë larguar 2 mijë punëtorë dhe gjysma e tyre e kanë fituar kthimin në punë me gjyq. Pra qeveria tani paguan edhe ata që janë larguar padrejtësisht nga puna dhe ata që i ka marrë rishtaz në punë".

Fatmir Smajli ka ardhur me grupin e indikalistëve shkodranë. Ai thotë për DW-në se zyrtarët e shtetit duhet t'i dëgjojnë hallet e punonjësve, pasi situata po rëndohet.

"Në radhë të parë është papunësia në zonën tonë. Në shifra shkon 27 deri në 30 përqind. Fasonet kanë filluar të mbyllen. Ndërmarrje të mëdha punojnë me gjysëm të kapacitetit. Po kështu në sektorin e ndërtimit papunësia vjen duke u rritur"

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 01.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hi9d
  • Data 01.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hi9d