1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tiranë: Sërish ndërkombëtarët ndikojnë në zgjidhjen e krizës politike

Mazhoranca dhe opozita kanë arritur marrëveshje për tejkalimin e një krize tremujore. Analistët kritikojnë varësinë e politikanëve shqiptarë nga ndikimi i ndërkombëtarëve.

Të gjithë duken të lumtur pas orëve të para të mëngjesit të së enjtes (18.05). Më shumë të kënaqur ishin kryeministri Edi Rama dhe shefi i opozitës Lulzim Basha, të cilët e kaluan mesnatën duke folur së bashku. Detaje nuk dihen se për çfarë ata janë marrë vesh konkretisht për ta zgjidhur krizën tremujore, por kurreshtja duket më e zbehtë se çtensionimi. Nuk ka ende datë zyrtare se kur do të mbahen zgjedhjet, (më e mundshmja është 25 qershori 2017), por e sigurtë është që në zgjedhje do të jetë edhe opozita. Nuk ka ende sqarime se si do të përshtatet legjislacioni për afatet ligjore të ndërtimit të infrastrukturës zgjedhore, me përbërjen e KQZ, apo listat e kandidatëve, si do të jetë përbërja e qeverisë që do të menaxhojë fushatën dhe votimet. Këto dhe të tjera do të mund të mësohen në orët në vijim. Dy partitë kryesore PS dhe PD kanë mbledhur forumet për të diskutuar dhe miratuar, qoftë dhe formalisht, vendimet e kryetarëve të tyre, Edi Rama dhe Lulzim Basha.

Një gjë është e qartë: edhe këtë herë situatën e zgjidhën ndërkombëtarët. BE dhe SHBA kanë ndërhyrë fort që të ulin palët në tryezë dhe të merren vesh për tejkalimin e situatës së acaruar dhe të paprecedentë, kur deri 24 orë më pare ishte në fuqi opcioni se zgjedhjet do të ishin pa prezencën e opozitës.

Në këtë situatë që është në zhvillim të shpejtë kancelaritë ndërkombëtare në sinkron të plotë kanë duartrokitur marrëveshjen Rama – Basha.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë shprehu "urime për marrëveshjen e arritur për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat janë në interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë”, kurse nga selia diplomatike e SHBA-së në Shqipëri u lëshua një komunikatë me nota shumë optimiste: "Bravo popullit shqiptar për durimin dhe besimin e tij tek forca e demokracisë së Shqipërisë. Bravo Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për udhëheqësin dhe kurajon personale në farkëtimin e kësaj marrëveshjeje. Bravo kolegëve nga Bashkimi Europian, OSBE dhe Uashingtoni për mbështetjen e tyre të palëkundur për Shqipërinë. Presim me kënaqësi e padurim zgjedhjet me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike në Shqipëri”. Kurse prezenca e OSBE-së, vetëm pak orë pasi Rama dhe Basha dolën nga takimi u shpreh e gatshme "të mbështesë fort Reformën Zgjedhore për zgjedhje të lira e të ndershme”.

Krasniqi: Shkak i krizave është pushteti i madh i partive politike

Por për analistët roli dhe ndikimi i ndërkombëtarëve, si e vetmja alternativë për zgjidhjen e krizës po përcillet me nota kritike.

Profesori i shkencave politike, Afrim Krasniqi e shikon varësinë e politikës shqiptare nga ndërmjetësimi dhe vendimarrja e të huajve nga mosbesimi dhe polariteti që kanë mazhoranca dhe opozita. Në një bisedë me Deutsche Welle-n prof. Krasniqi mendon se kjo po vijon të ndodhë për shkak të pushtetit të madh që kanë partitë politike në Shqipëri dhe sidomos kulturës parademokratike në formimin politik. Sipas tij, liderët politikë shqiptarë janë më të rëndësishëm sesa institucionet që kemi krijuar, ndaj edhe ne ende nuk kemi institucione të besueshme dhe efektive që mund të parandalojnë kriza ose të zgjidhin kriza. Të gjitha krizat e kanë pasur burimin tek axhenda personale e politike e liderëve të caktuar politikë dhe çdo herë zgjidhja ka ardhur me ndërhyrje nga jashtë, jo përmes imponimit nga institucionet tona, thotë ai për DW.

"Një vend që aspiron hyrjen në BE nuk mund të jetë njëherësh edhe vend aspirues edhe vend që krijon kriza. Ne nga njëra anë duam të jemi në BE, nga ana tjetër ftojmë vende të BE të na negociojnë krizat periodike që i shkaktojmë vetes”.

Kriza e fundit disa mujore, sipas profesorit të shkencave politike, i ka dhënë një goditje të fortë shanseve për integrim e partneritet serioz me vendet perëndimore, "diçka për të cilën asnjë palë nuk flet dhe nuk pranon të mbajë përgjegjësi”.

Çipa: Krizë brenda krizës së shoqërisë

Për analistin e pavarur, Aleksandër Çipa, nevoja e pazëvendësueshme e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e konflikteve dhe krizave në skenën politike shqiptare vjen në rradhë të parë nga riciklimi i mosmarrëveshjeve mes drejtuesve të partive kryesore. Më shumë se mungesë zotësie apo aftësie për arritje marrëveshjeje mendon Çipa, kjo është e lidhur me kulturën dhe ndërgjegjen antagoniste të udhëheqësve. Vijimi lodhës i të ashtuquajturit tranzicion 27-vjeçar është i lidhur me oligarkinë politike në vend, shprehet për Deutsche Welle-n, Aleksandër Çipa.

"Po kaq e lidhur kjo është dhe me partitokracinë e degraduar të vendit, e cila ka humbur përkatësinë, identitetet dhe sidomos përmbajtjen e vet në gjithë spektrin. Kjo ngjan me një krizë që ndodh brenda krizës me shumë shtresa në shoqërinë e sotme të vendit”

Çipa shprehet drejtpërdrejt se në mesin e kastës politike ka metastaza të forta e të thella korrupsioni, makutëria dhe sidomos ndërgjegje antisistem. "Ata janë njëherësh edhe protagonistë verbale të reformimit, edhe autorë të korruptokalbjes së sistemit.”

Këtu ai shikon dhe shkakun e rikthimit në skenë kohë pas kohe të konflikteve e mosmarrëveshjeve dhe nevojën e negocimeve ndërkombëtare. Duke analizuar atë që ka ndodhur dhe atë që pritet të ndodhë, Çipa pohon se demokracia e përfaqësimit është shembur, ndërsa ajo e meritokracisë është thuajse fshirë krejt nga partitokracia e sotme në vend. "Kjo është krizë afatgjatë për shoqërinë tone”, thotë ai për Deutsche Welle-n,