1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tiranë: Rritet shqetësimi për situatën politike - Thirrje për shmangje të dhunës

Shtyhen zgjedhjet bashkiake të 7 majit në Kavajë - përqëndrim tek dialogu me opozitën dhe në evitimin e trazirave dhe të destabilizimit.

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp të zhvilluar sot pasdite ( 5 maj 2017) deklaroi se  i ka sugjeruar: "kandidatit të PS-së në Kavajë të tërhiqet nga gara të dielën pasi PD-ja ka përgatitur një plan konkret për të shkaktuar trazira të dielën në Kavajë."

"Ka një plan për destabilizim të këtij vendi, që çadra është ngritur për ta vënë në jetë. Këto janë fakte, por që Shqipëria nuk do të destabilizohet nga ky plan që me vendosmëri do ta çojmë deri në dështimin e plotë” - tha kryeministri Rama. Ai  rikonfirmoi se nuk ka shtyrje të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit. "18 qershori është përcaktuar sipas Kushtetutës dhe nuk mund të jetë pjesë e asnjë negociate mes partive, sepse partitë duhet të garantojnë dhe jo të ndërmjetësojnë të drejtat e popullit sovran”, theksoi kryeministri Rama.

Albanien Anti-Regierungsproteste in Tirana (Reuters/F. Goga)

Protesta e opozitës në Shqipëri për një qeveri teknike ka hyrë në muajin e tretë.

Schütz - Mbështesim shtyrjen e zgjedhjeve bashkiake të së dielës në Kavajë

Në një deklaratë zyrtare për DW-në ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz, ka shprehur mirëkuptim për shtyrjen e zgjedhjeve bashkiake në Kavajë, të planifikuara për pasnesër, më 7 maj, ”për të mbajtur të hapur kësisoj rrugën për bisedime mes qeverisë dhe opozitës në interes të një zgjidhjeje të krizës aktuale politike dhe pjesëmarrjes sa më të gjerë të partive politike në zgjedhjet parlamentare.”

"Ne mbështesim përpjekjet e palëve të përfshira për të vazhduar këtë dialog me qëlllim për të gjetur një zgjidhje në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë. Njëkohësisht u bëjmë thirrje të gjitha palëve të shmangin çdo veprim qe mund të ndikojë që një protestë paqësore të shndërrohet në dhunë” thuhet në deklaratën e ambasadores gjermane.

Në zgjedhjet bashkiake në Kavajë opozita nuk ka paraqitur asnjë kandidaturë. Tërheqja e kandidatit socialist e bën të pamundur zhvillimin e tyre këtë të dielë.

SHBA – Dhuna nuk ka vend në procesin demokratik

Mbështetje për shtyrjen e zgjedhjeve bashkiake në Kavajë dhe apel për shmnangie të dhunës kanë shprehur sot edhe SHBA.  Në një deklaratë të ambasadës amerikane në Tiranë u bëhet thirrje "të gjitha partive politike që të mos angazhohen në akte që mund të nxisin dhunë dhe veçanërisht në akte që ndikojnë në aftësinë e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje dhe ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Dhuna nuk ka vend në procesin demokratik.” Thekson deklarata e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Vazhdojnë negociatat Rama-Basha 

Ndërkohë negociatat Rama-Basha, të ndërmjetësuara nga Presidenti i Republikës, Nishani  për  të arritur një kompromis që PD-ja të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit vazhdojnë që prej dy ditësh. Por negociatat ngecin përderisa palët vazhdojnë të kenë qëndrime të papajtueshme lidhur me pranimin e ofertës së negociatorëve të përzgjedhur nga BE-ja, europarlamentarët McAllister dhe Fleckenstein. Në ofertën e tyre nuk është përfshirë  kërkesa nr. 1 e opozitës në protestë: dorëheqja e kryeministrit Rama dhe formimi i një qeverie teknike për ta çuar "vendin  në zgjedhje të lira dhe të ndershme". Po ashtu opozita e akuzon qeverinë Rama ”se do të blejë votat” me paratë e drogës dhe të kanabis”. Oferta e negociatorëve të Parlamentit Europian u pranua nga kryeministri Rama.

Në negociatat e këtyre dy ditëve të fundit , të ndërmjetësuara fuqishëm nga BE dhe SHBA palët vazhdojnë të kenë qëndrime krejt të kundërta lidhur me krijimin e qeverisë teknike.

Albanien | Sigmar Gabriel in Tirana (Albania Ministry of Foreign Affairs )

MPJ gjerman Sigmar Gabriel gjatë vizitës në Tiranë

Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel që vizitoi kohët e fundit Tiranën deklaroi se "qeveria teknike nuk është e nevojshme” dhe i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë në zgjedhje. Por protesta e opozitës për një qeveri teknike vazhdon dhe ka hyrë në muajin e saj të tretë.

BE-ja dhe SHBA-ja janë shprehur se zhvillimi i zgjedhjeve të 18 qershorit dhe rezultati i tyre janë legjitime edhe pa pjesëmarrjen e PD-së, më të madhes në opozitë në Shqipëri, por kane paralajmëruar se mospjesëmarrja e PD-së e bën vulnerabël stabilitetin e vendit.