1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tiranë: Rizgjedhje e kontestuar e Luzim Bashës kryetar i PD

Forca më e madhe e djathtë në opozitë në Shqipëri mes sfidës së ringritjes dhe rrezikut të rënies.

New identification documents for Albanian citizens (DW)

Sot ( 24/07/2017) është dita e parë kur Lulzim Basha nuk është më "i vetëngrirë",  pas 1 muaji të vetëheqjes së kopetencave të tij sikryetar i PD-së,  si reagim për  humbjen e thellë në zgjedhjet parlamentare  të 25 qershorit.  Ai u shpall kryetar i PD-së, të dielën në mëngjes( 23.07) pas numërimit të votave të procesit zgjedhor, që u zhvillua një ditë më parë duke mundur të vetmin kundërshtar në garë, Eduard Selamin, ish-kryetar i PD-së, tani anëtar i thjeshtë. Në votim mori pjesë vetëm  57% e anëtarësisë së PD-së prej 103 952 anëtarësh. Për herë të parë në historinë 27 vjeçare të PD-së, kryetari i saj rizgjidhet pas kontestimesh të forta për një garë false dhe akuzave për një mandat pa legjitimitet.

Akuzat ndaj Bashës janë të rënda dhe kanë të bëjnë me standarde demokratike në jetën e brendshme dhe  drejtimin e PD-së. Personalitete të saj me kontribute historike, të etiketuar "të vjetrit" e akuzojnë Bashën për garë false dhe me rezultat të paracaktuar në favor të vetes, për pasojë për një mandat kryetari jo legjitim. Por ata duket se nuk kanë peshën e dikurshme pasi nuk janë më deputetë. Basha zgjodhi të mos vendosë  Jozefina Topallin, Majlinda Bregun, Genc Rulin, Astrit Patozin, Arben Imamin etj. në listën e kandidatëve për deputetë, të gjithë kundërshtarë të aksionit të tij politik jashtë parlamentit, protestës 3 mujore në ҫadër dhe lojës politike të mospjesëmarrjes në zgjedhje të dhënë fund nga ndërhyrja këmbëngulëse e BE-së dhe SHBA-së.  Në vend të tyre në parlamentin e ri do të jenë qytetarë anonimë lidhur me kontributet e tyre  në PD, por besnikë të Bashës që dhanë votën pro për rizgjedhjen e tij kryetar. "Të vjetrit" ish të pushtetshëm në parti dështuan ta detyronin Bashën të jepte dorëheqjen pas humbjes së thellë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit dhe të futej në një garë të barabartë për t'u rizgjedhur. Por Basha gëzon mbështetjen e heshtur të Sali Berishës, liderit historik, autoritar në partinë ku do të vazhdojë të jetë deputet për të  6-tën legjislaturë rradhazi, që nga 1992 ose për afro tri dekada deri në 2021. Vetëm pas rizgjedhjes së Bashës kryetar Berisha tha publikisht që "duhej të kishte dhënë dorëheqjen para garës". Rizgjedhja e Bashës  konsiderohet nga opinionistë të pavarur të Tiranës jo legjitime. Ata parashikojnë që PD e presin kohë shumë të vështira për shkak të krizës së legjitimitetit  që e ka përfshirë atë tanimë dhe ndarjes së saj të thellë në përkrahës dhe kundërshtarë të kryetarit të rizgjedhur. Parashikojnë kohë kur grupi kundërshtar i Bashës mund  të shkëputet për të formuar një forcë të re të djathtë dhe Basha do të drejtojë një parti me vetëm mbështetës të vjetër dhe të rinj, pa debat dhe zhvilim. Basha pas rizgjedhjes deklaroi, se PD do ta ketë derën hapur edhe për kundërshtarët e tij dhe se do të punojë për bashkimin e partisë. Por vështirë që personalitetet e PD-së do të pranojnë të jenë figurantë ose fasadë.

Jozefina Topalli, ish-nënkryetare e Parlamentit dhe nënkryetare e PD-së në vitet e vështira të opozitës 8 vjeçare, 1997-2005, e quajti garën "luftë të ashpër për të mbushur kutitë e votimit, pasi demokratët e refuzuan me përçmim rizgjedhjen e Bashës". Por Eduard Selami, i vetmi konkurrent nuk kontestoi rezultatin.

Astrit Patozi, një nga kundërshtarët më të vendosur të Bashës, ish-nënkryetar i PD dhe ish-deputet tha për DW: "Basha uzurpoi një mandat të dytë pas humbjes së zgjedhjeve. Vota u vodh brenda PD. Kam publikuar video ku duken mbështetës të Bashës që votojnë 2-3 herë për Bashën. Shqipëria ka nevojë urgjente për një opozitë të fortë. Elektorati i djathtë opozitar do të ofrojë rrugë për ta realizuar këtë. Jemi duke konceptuar hapat drejt ringritjes së opozitës së djathtë". 

Kriza e legjitimitetit në rizgjedhjen e Bashës kryetar i drejton analistët e pavarur drejt skenarëve të tkurrjes deri në shuarje të PD-së. Sipas tyre kryetarit të rizgjedhur do t'i duhet ta ringrejë PD ose të përjetojë rënien, asfiksimin e saj.