1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tiranë: Qeveria mbron ministrin e jashtëm Lulzim Basha nga hetimi i prokurorisë

Prokuroria e Përgjithshme caktoi 6 dhjetorin afatin e fundit për ministrin Basha, që të paraqitet në këtë institucion për tu njohur me akuzën. Përndryshe pas kësaj date ajo do ta dërgojë çështjen në Gjykatën e Lartë

default

Pamje nga Tirana


Megjithëse Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë ka bërë dërgimin me postë të dosjes hetimore në zyrën e ministrit të jashtëm Lulzim Basha, ajo sërish kërkon, që akuzat e ngritura ndaj tij t´ia komunikojë drejtpërdrejtë. Ndaj dhe ka vendosur 6 dhjetorin si afat të fundit për realizimin e takimit mes prokurorit të çështjes dhe ministrit. Pas kësaj date dosja do të përcillet në Gjykatën e Lartë. Por shefi i diplomacisë Lulzim Basha, ka paralajmëruar se edhe herën e dytë nuk do të ketë mundësi të paraqitet, për shkak të axhendës së ngjeshur diplomatike jashtë vendit. Basha më herët ka kritikuar prokuroinë se ka ngritur akuza të pabaza dhe të motivuara politikisht ndaj tij.

Pas grupit parlametar të PD-së edhe qeveria ka dalë nëpërmjet një deklarate në krah të ministrit, duke i konsideruar të gjithë aktivitetin për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës në bazë të legjislacionit shqiptar. Zëdhënësja e kryeministrit, Juela Mecani, u shpreh se Basha, kur ka kryer detyrën e ministrit të transportit dhe punëve publike, "ka zbatuar me transparencë të plotë, me përgjegjshmëri të lartë dhe përkushtim të madh vullnetin politik të kryeministrit, qeverisë dhe mazhorancës për ndërtimin e rrugës", si dhe të gjitha vendimet e qeverisë në lidhje me të janë marrë në përputhje të plotë me ligjet e vendit.

"Kryeministri dhe qeveria shqiptare, duke shprehur vlerësimin dhe krenarinë e saj për projektin e shekullit, që armiqtë dhe kundërshtarët e tij e bllokuan për 8 vite me rradhë, garanton qytetarët shqiptarë se ajo ka qenë dhe do të mbetet e përkushtuar totalisht dhe tërësisht e hapur dhe transparente ndaj tyre, ndaj ligjit dhe institucioneve të këtij vendi, në çdo akt, vendim dhe veprim të saj. Shqipëria është dhe do të mbetet vendi i shtetit ligjor. Korridori shqiptar do të inagurohet në qershor 2009", tha zëdhënësja e kryeministrit.

Reagime ndaj hetimeve të ministrit Lulzim Basha ka patur dhe grupimi G 99, sipas të cilit duhet të ndalet presioni, që ushtrohet ndaj prokurorisë. Sipas Etjen Xhafajt, aktivist i G99, hetimi ndaj përdorimit të fondeve për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, nuk duhet mbështjellë qëllimisht me arësyetime patriotike. "Që të tregojë sa patriot është ministri Basha duhet t´i bindet ligjit dhe të shkojë në prokurori", u shpreh në Tiranë Xhafaj.

Duke u nisur nga rezultatet e hetimit të prokurorisë ministri i jashtëm Lulzim Basha, akuzohet për periudhën´, kur ka qënë ministër i transporteve dhe punëve publike me akuzat se ka "shpërdoruar detyrën", ka "shkelur barazinë e pjesmarrjes në tender dhe ankande publike", si dhe " ka ushtruar ndikim ta paligjshëm ndaj personave, që ushtrojnë funksione publike".

  • Data 02.12.2008
  • Autor Arben Muka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/G7Ys
  • Data 02.12.2008
  • Autor Arben Muka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/G7Ys