1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tiranë: I hapet rruga rritjes së çmimit të dritave

Qeveria e Tiranës nuk do të subvencionojë importin e energjisë elektrike, Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë i hapet drita e gjelbër për të rritur çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët.

Llampë që ndriçon në mes të ditës në Tiranë

Ndriçim në mes të ditës në rrugët e Tiranës

Korporata Elektroenergjitike e Shqipërisë ( KESH) nuk do të marrë në vitin e ardhshëm subvencione nga shteti për të kapërcyer krizën energjitike të rradhës. Importin e energjisë nga tregjet rajonale dhe europiane ajo duhet ta përballojë me fondet e veta.

Ministri i Ekonomisë dhe i Energjitikës, Genc Ruli tha se "Korporata duhet të rrisë të ardhurat e saj për çdo kilovat që shet dhe jo të mësohet ta subvencionojë shteti. Vetëm në ato raste kur shteti gjykon se KESH e ka bërë maksimumin e përpjekjeve të veta, por ende të ardhurat nga shitja e energjisë nuk i mjaftojnë për të përballuar furnizimin e gjithë popullatës, atëhere mund të ndërhyjë, sidomos kur kemi situata emergjente, që nuk shkaktohen nga menaxhimi i dobët i Korporatës, por nga situata natyrore apo rajonale, atëhere shteti merr përsipër subvencionin."

Për të tilla ndërhyrje, Qeveria e Tiranës ka planifikuar në buxhetin e shtetit, për vitin 2008, një fond prej rreth 30 milion eurosh, që rezulton 20 përqind më i ulët se ai që ajo i dha KESH-it gjatë 2007-ës. Deklarata e Ministrit Ruli është mjaft e qartë: Përderisa qeveria pranon se deri në vitin 2009 nuk ka asnjë mundësi që Shqipëria të dalë nga krizat kronike të energjisë elektrike, Korporatës Elektroenergjitik e të Shqipërisë i duhet të rrisë çmimin e energjisë për të përftuar fondet që deri dje ia subvenciononte shteti në blerjen e energjisë së importuar.

Përpjekjet për rritjen e tij KESH i pat filuar që në verën e këtij viti, kur kriza e rëndë energjitike që ka mbërthyer tani vendin sapo kishte nisur. Por qeveria e kryeministrit Berisha e kundërshtoi rritjen e çmimit për shkak të efekteve sociale në shtresat e varfëra dhe pamundësisë së saj për t´u dhënë atyre asistencë ekonomike. Por tani duket qartë se qeveria nuk do të pengojë më rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ajo pranon kështu kërkesën e FMN, të Komisionit Eeuropian dhe vetë KESH-it për të rritur tarifën e çdo kilovatori energji elektrike të konsumuar. Opozita e kundërshton këtë rritje. Sipas saj rritja penalizon më shumë ata që paguajnë rregullisht faturat pasi ajo pjesë që nuk i paguan ato, do të vazhdojë të mos i paguajë.

Në kushtet e krizës energjitike, që po përjeton rajoni dhe rritjes së çmimit të energjisë së importuar, Ministri i Ekonomisë dhe i Energjitikës, Genc Ruli, ka mbështetur idenë e kryeministrit Berisha për mundësinë e ndërtimit në Shqipëri të një centrali bërthamor. "Ndodhemi, tha ai, në një situatë kur edhe aktorë që kanë qenë kundërshtues të centraleve berthamore për prodhimin e energjisë, nisur nga kriza që po përjeton bota i jane kthyer sërish idesë që këto lloj centralesh, me teknologjinë më të re dhe më të sigurt janë zgjidhja aftgjatë më racionale, madje edhe që mbrojne më mirë mjedisin."

Ideja e kryeministrit Berisha për mundësinë e ndërtimit të një centrali bërthamor në Shqipëri dhe vizita javën e kaluar në Tiranë e konsorciumit franko- zviceran, Westhousing, i njohur në këtë fushë, është pritur në rastin më të mirë me një skepticizëm të madh. Skeptikët brenda dhe jashtë Shqipërise shprehen se niveli i zhvillimit të përgjithshëm në Shqipëri nuk mund të menaxhojë një central bërthamor. Në Bruksel, kryeqytetin e BE dhe Vjenë, kryqytetin austriak, ku ndodhet selia e Agjensisë Atomike të Kombeve të Bashkuara janë bërë deklarime tepër mosbesuese për realizimin e një projekti të tillë, brenda 10 viteve te ardhshme. Në rastin më të keq mundësia e daljes së Shqipërisë, njëherë e mirë nga krizat kronike energjitike përmes ndërtimit te centralit bërthamor kundërshtohet fuqishëm dhe prerë nga opozita në Shqipëri dhe opinioni në vendet fqinje, Greqi dhe Itali.

  • Data 15.11.2007
  • Autor Ani Ruci
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CDrS
  • Data 15.11.2007
  • Autor Ani Ruci
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CDrS