1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tiranë - fillon punën qeveria e kryeministrit socialist Edi Rama

Ndalimi i importit të plehrave - ndër vendimet e para të qeverisë.

default

Edi Rama, kryeministri i ri i Shqipërisë

Parlamenti i Shqipërisë miratoi ditën e shtunë me 82 vota pro dhe 55 kundër qeverinë e re të kryeministrit socialist Edi Rama. Miratim i saj erdhi pas debateve të zgjatura dyditore mes opozitës së djathtë dhe maxhorancës së majtë për programin që kjo qeveri paraqiti në Parlament. Prioritetet e këtij programi janë rritja e zhvillimit ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës, lufta kundër varfërisë, korrupsionit dhe përshpejtimi i ritmeve te anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Prioritetet e qeverisjes Rama

“Qëllimi ynë është i qartë: të qeverisim Shqipërinë në atë mënyrë që ajo meriton. T'u japim shqiptarëve një pamje të qartë, të prekshme të Shqipërisë Europiane që ata ëndërrojnë dhe meritojnë”, tha në Parlament kryeministri Rama.

Lidhur me ringjalljen e ekonomisë së vendit që shënoi një rritje ekonomike prej 1,7% vitin e kaluar në vend të 6% para krizës financiare në euro zonë, kryeministri Rama deklaroi:

“Kemi premtuar të krijojmë 300 mijë vende të reja pune dhe do të punojmë ditë dhe natë që t' ia arrijmë këtij qëllimi” .”

Lufta kundër korrupsionit është një nga premtimet e mëdha të qeverisë së re.

“Shqipëria nuk e meriton korrupsionin dhe kriminalitetin që i kanë lidhur asaj duar dhe këmbë” tha kryeministri Rama mbrëmë në Parlament.

Reformat

Albanien Parlament erste Sitzung Edi Rama

Parlamenti i Shqipërisë në seancën e parë pas zgjedhjeve të 23 qershorit

Qeveria e re e Tiranës premton të zëvendësojë taksën e sheshtë prej 10% mbi të ardhurat me taksën progresive. Ajo trashëgon nga qeveria e mëparshme e ish kryeministrit Berisha një borxh të lartë publik prej 63% të Produktit të Brendshëm Bruto, më të lartin në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Rama tha se qeveria e tij po përgatitet “ të bisedojë drejtëpëdrejt me FMN, jo domosdoshmërisht për të nisur një program të ri me të , por për të kuptuar qartë se çfarë lloj krize po përballon Shqipëria dhe si t' i kundërvihen asaj”. Ambasadori i delegacionit të BE në Tiranë, Ettore Sequi tha mbrëmë se BE do të mbështesë qeverinë Rama në kryerjen e reformave.

Opozita dhe programi i qeverisë së re

Opozita e djathtë e hodhi poshtë programin e qeverisë duke e cilësuar atë të mangët, pa asnjë plan real zhvillimi, pa marrë parasysh burimet për zhvillimin ekonomik dhë të pabazuar në llogaritje konkrete.

Ndalimi i importit të plehrave- ndër vendimet e para të qeverisë Rama

Menjëherë pas betimit te qeverisë së re tek Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dhe përfundimit të procedurave të parashikuara në Kushtetutë për fillimin e qeverisjes, Këshilli i ri i Ministrave mori mbrëmë (15.09) tre vendimet e para: vendosjen e fotos së Ismail Qemalit, kryetarit të parë të qeverisë shqiptare në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike në vend të fotos së Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, ndalimi i importit të plehrave dhe miratimi i Kodit Etik Ministror.