1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tiranë: Brexit ditë jo e lumtur për BE-në dhe Ballkanin

Shqipëri: Brexit- ngjarje historike për reflektim të thellë nga elitat politike të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Dita e sotme (24.06 ) në Tiranë si një ditë jo e lumtur për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor. Rezultati i referendumit në Britaninë e Madhe, ku fituan mbështetësit e daljes së saj nga BE-ja shihet si një zhvillim tronditës me pasoja për BE dhe politikat e zgjerimit të tij me vende të Ballkanit Perëndimor (BP). Por njëherazi shihet si dita kur BE dhe vendet e rajonit duhet të reflektojnë në mënyrë të fuqishme për ta forcuar kohezionin brenda BE-së dhe për të vijuar procesin e zgjerimit me vende të reja anëtare. Ndërsa vendet e BP të përshpejtojnë reformat. Dr. Albert Rakipi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, me seli në Tiranë thotë për DW se dalja e Britanisë së Madhe nga BE pritet të ndikojë negativisht si në kuadër të BE ashtu edhe në politikat e tij të zgjerimit. “Mendoj që është një zhvillim dramatik, pasi ka potencial të trondisë themelet e BE-së, që tani ka përpara shumë të panjohura. Është një zhvillim që kërkon një reflektim të thellë,serioz për të ardhmen e BE. Si do të jetë BE? Këtë është ende shumë herët për ta parashikuar kur një nga anëtarët e tij më të fuqishëm, kontributorët më të mëdhenj financiarë si Britania e Madhe nuk është më anëtare”.

Brexit në kohë krizash dhe sfidash të mëdha për BE

Fitorja e mbështësve të Brexit në referendumin e së enjtes ( 23.06) vjen në një kohë kur BE-ja vazhdon të përballet me krizën ekonomike, atë të refufgjatëve si edhe me një situatë gjeopolitike ku mjedisi i sigurisë ka ndryshuar. “Ky zhvillim mund të ketë implikime edhe me politikat e sigurisë pasi ndodhi në një moment të vështirë gjeo-politik për Europën për shkak të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe deklaratës së saj, se NATO shihet nga Rusia si kundërshtare”, vë në dukje analisti Rakipi

Ndërsa Edmond Haxhinasto , Ministër i Transporteve dhe ish-Ministër i Jashtëm, thotë për DW: “Pavarësisht nga vendimi i referendumit popullor, Britania e Madhe do të vazhdojë të jetë pjesë e rëndësishm e arkitekturës europiane, do të jetë pjesë e integruar e ekonomisë europuiane, me kontribut në çështje të sigurisë europiane si anëtare e NATO-s. Ajo do të vazhdojë të jetë pjesë në sistemin e vlerave europiane: të demokracisë, tregut të lirë, të drejtave të njeriut dhe mbi këto themele ka hapësira të mëdha për të kontribuar. Vendimi i popullit britanik është për t'u respektuar. Duhet pasur parasysh që BE është një bashkim vullnetar i shteteve, i mbështetur në unitet, respekt për përkatësinë europiane, në vlerat europiane nga të cilat Britania nuk mund të largohet në asnjë rrethanë, pasi sistemi i vlerave të saj është i njëjtë me atëtë BE.” thekson ministri Haxhinasto.

Dalja e Britanisë së Madhe bëhet në prag të Samitit të Parisit, stacioni i tretë i procesit të Berlinit, të inicuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, dy vjet më parë për t'i dhënë impulse të reja procesit të zgjerimit të BE me vende të BP. Brexit përbën një dinamikë që shkon në kah të kundërt me procesin e Berlinit. “Është një zhvillim tronditës , i pafavorshëm për politikat e zgjerimit të BE-së. Mendoj që ky zhvillim do të krijojë një status-quo për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit që aspirojnë anëtarësimin në BE. Që pas ditës së sotme mendoj se do të ketë një klimë të pafavorshme për politikat e zgjerimit, vëmendja mendoj se do të jetë e përqëndruar më shumë jo në këto politika por ne forcimin e BE, pasi dalja e Britanisë së Madhe, si thashe me lart, kërcënon vetë egzistencën e BE”, thotë Rakipi.

"Politikat e zgjerimit do të vazhdojnë"

“BE do te vazhdoje të jetë një atraksion i madh dhe një nxitje e fuqishme për t'u bashkuar atij. Është fjala për standardet europiane dhe arritja e tyre nuk është diçka formale por lidhet me përmirësëimin e jetës së qytetarëve në të gjitha fushat”, thekson ministri i Ekonomisë Haxhinasto.

Diferenca e ngushtë prej 2,9% mes britanikëve të Bremain dhe Brexit, në favor të këtyre të fundit, shfaqet edhe një tregues për ta parë rezultatin jo thjesht si vullnet të popullit britanik por edhe si shprehje e interesave të ngushta politike, kur është fjala për vendime të tilla historike. “Mendoj që interesa afatshkurtëra politike janë në bazë të rezultatit të referendumit. Nuk do të ishte kështu nëse mbështetësit e Brexit do të ishin 70% e pjesëmarrësve në referendum. Përgjegjës kryesor është Cameron, ish kryeministri britanik që dha sot dorëheqjen. Nga ana tjetër diferenca shumë e ngushtë nuk të lë të mendosh që në një tëardhme jo të largët Britania e Madhe mund të rikthehet në BE”, thotë Rakipi.

Diferenca e ngushtë me të cilën fituan mbështetësit e Brexit është një tregues edhe për reflektime nga ana e BE dhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë t'i bashkohen atij. “Në kontekstin e implikimeve të Brexit në politikat e zgjerimit është shumë e rëndësishme që nga elitat politike në të gjitha vendet e BP, aspirante për t'iu bashkuar BE të ketë një reflektim të thellë për të frymëzuar angazhim më të madh dhe ritme më të shpejta përtë përgatitur vendet përkatëse për anëtarësim, BE duhet ndërtuar në sejcilin vend aspirant. Sot më shumë se kurrë duhet reflektuar për “local ownership” pra “pronësinë lokale”të procesit të integrimit europian që ndryshe përkthehet në ndërmarrjen e reformave të rëndësishme që afrojnë vendet e BP me BE, sic është rasti konkret i reformës së drejtësisë në Shqipëri” thotë për DW Albert Rakipi.

Samiti i Parisit që do të zhvillohet më 4 korrik, në vijim të Procesit të Berlinit mund te shihet edhesi testi i pare pas Brexit sesi BE do t'i mbajë të hapura dyert e zgjerimit.

“E ardhmja e BE-së është e lidhur së pari me thellimin e integrimit, pra me dorëzimin tek Brukseli te sovranitetit të qeverive kombëtare të vendeve anëtare; se dyti me zgjerimin e BE, qe jane dy shtyllat e rëndësishme për të ardhmen e tij. P.sh. zgjerimi me vende të fuqishme si Piolonia vetëm e ka forcuar BE. Pikerisht kjo shtylle është në favour të zgjerimit me vende të BP“, thotë për DW Albert Rakipi.

Ministri Haxhinasto mendon se BE duhet të reflektojë në rradhe të parë lidhur me hartimin dhe zbatimin e politikave vizionare. “BE adreson cështje të unitetit dhe kompaktësisë mes vendeve anëtare. Jo përherë interesat e sejcilit vend përputhen dhe janë identike me ato të BE. Pas Brexit, BE i duhet të reflektojë lidhur me aftesine e tij per konsensus, tolerancë dhe kompromise të mëdha. BE i duhet të tregojë aftësinë e një organizmi që është në gjendje të adresojë diferencat dhe t'i bëjë ato të pranueshme për të gjitha vendet anëtare. Për këtë BE i duhet te hartoje dhe zbatoje politika vizionare. BE ka provuar se është një bashkim vlerash i cili ka sjellë zhvillim ekonomik në Europë, ka konsoliduar paqen, u ka dhënë fund konfliteve dhe luftrave, ka përballuar me sukses krizat dhe ceshtjet e sigurisë. BE duhet te adresoje diferencat dhe t'i beje ato te pranueshme per gjithe anetaret. BE ka ka shume per te reflektuar. BE ka provuar se eshte nje organizëm vital. Theksoi qe BE i duhet tani nje politike vizionare”, thotë për DW ministri Haxhinasto.