1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tiranë: Bilanci 7 mujor i punës së qeverisë

Për kryeministrin Berisha vendi gjatë 2008-ës po kryen ndryshime të mëdha transformimi. Për Partinë Socialiste në opozitë korrupsioni është rritur dhe Shqipëria ka mbetur vend burimi dhe tranziti për lëndët narkotike.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha

Me një fjalim të gjatë para gazetarëve dhe stafit të tij, ditën e premte kryeministri Sali Berisha ka bërë bilancin 1 janar - 1 gusht të qeverisjes së djathtë. Me nota optimizmi kreu i qeverisë e quajti arritje të jashtëzakonshme marrjen e ftesë për në NATO në Samitin e Bukreshtit në prill të këtij viti. Ka vlerësuar dhe reformën fiskale, e cila arriti sipas tij të kapë uljen më të madhe të taksave në Europë, si dhe aplikimin për herë të tretë të buxhetit shtesë duke mbështetur në mënyrë të vecantë investimet në infrastrukturë.

Nga mirëadministrimi i fondeve publike dhe nga vendosja e sistemeve on line të tenderimeve është bërë e mundur sipas kryeministrit të investohet dhe ne rindërtimin e shkollave e spitaleve, si dhe janë realizuar disa rritje të pagave për punonjësit dhe pensionistët.

Por selia rozë ka reaguar menjëherë pasditen e të premtes duke i quajtur qëndrimet e kryeministrit si vazhdë e "gënjeshtrave dhe mashtrimeve" të tij. Sipas njërit prej eksponentëve të PS në opozitë, Ilir Beqa, nën drejtimin e kryeministrit Berisha "korrupsioni në vend po rritet dhe Shqipëria mbetet ende vend burimi dhe trazitimi për lëndët narkotike".

Kryeministri dhe opozita në distancë kanë replikuar edhe për një nga ngjarjet më të bujshme të vitit 2008 për tragjedinë e Gërdecit. Sipas Ilir Beqës së PS, "Gërdeci është shembulli tipik i kapjes së shtetit" dhe se "Berisha duhet të jetë pjesë e hetimeve dhe nuk duhet të minojë punën e prokurorisë për hetimin e ngjarjes".

Por kryeministri gjatë analizës së tij shprehu se qeveria ka mbeshtetur dhe po mbështet hetimet. "Ata që mendojnë se qeveria ka penguar, trillojnë. E them me përgjegjësi të plotë. Qeveria ka dhënë të gjithë ndihmën që i takon ta japë", tha Berisha duke kujtuar se qeveria ishte ajo që kishte kërkuar "ndihmë nga vendet mike për të ndihmuar në hetimin e plotë të Gërdecit".

  • Data 15.08.2008
  • Autor Arben Muka/ Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ey1T
  • Data 15.08.2008
  • Autor Arben Muka/ Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ey1T