1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tiranë – Beograd: Futboll dhe ngërç diplomatik

Ndeshja e shumëdiskutuar Shqipëri – Serbi u mbyll pa incidente dhe me shtrëngim duarsh të lojtarëve në “Elbasan Arena”. Por për shkak të saj mes dy shteteve fqinje rikthehet ngërçi në kanalet e komunikimit diplomatik.

Autoritetet shqiptare jenë ndjerë shumë të lehtësuara në orët e para të mengjesit së të premtes (09.10), kur avioni charter, në bordin e të cilit ishte ekipi i futbollit të Serbisë, u nis nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës drejt Beogradit. Është mbyllur një proces që nuk ishte vetëm një garë sportive për Euro Francë 2016, por dhe tendesoje e jashtëzakonshme për sigurinë e rendit publik, ku u përfshinë vrullshëm politika, diplomacia, media etj. Që pas trazirave të dhunshme të përballjes së parë Shqipëri – Serbi në Beograd, një vit më parë, hamendësimet e kësaj ndeshje të kthimit ishin tejet të skajshme, deri dhe tek skenari se ndeshja mund të mos arrinte të përfundonte 90 minutat. Fitorja me meritë e ekipit serb falë dy golave në minutat shtesë ishte mbyllja e pjesës sportive të takimit. Futbollistët dhe menaxherët e skuadrës shqiptare të zhgënjyer nga rezultati, do të duhet edhe tri ditë që të presin nëse e kapin apo jo objektivin e kualifikimit të parë historik në një kampionat evropian.

Tensioni mes selive diplomatike

Por tutje kalkulimeve dhe parashikimeve për shanset që ka Shqipëria për të qenë pjesë e konkurrimi elitar futbollistik në continent, përballja e së enjtes (08.10) në mbrëmje ka rikthyer ngërçin në kanalet e komunikimit diplomatik mes dy shteteve fqinje. Vetëm pak orë para se të niste takimi mes dy ekipeve, dy shtabet diplomatike të Serbisë dhe Shqipërisë shkëmbyen qëndrime të nervozuara. Shkaku ishte guri që u hodh në autobuzin e futbollistëve serbë rreth 3 km para se ata të mbërrinin në një nga hotelet në qendër të Tiranës të mërkurën në mbrëmje. Goditja në distancë e adoleshentit 15 vjeçar për fat vetëm e ka krisur xhamin e autobusit pa shkaktuar asnjë dëmtim tek lojtarët dhe menaxherët që shoqëronin ekipin.

Po të mërkurën (07.10) në mbrëmje Ministria e Jashtme në Beograd kërkoi ambasadorin e Shqipërisë, Ilir Boçka, për ti dorëzuar një note proteste që në thelb kërkonte nga Tirana zyrtare mundësimi i sigurisë së plotë për ekipin dhe që autorët e incidentit të zbulohen dhe dorëzohen drejtësisë. Por ambasadori Boçka e refuzoi marrjen e notës së protestës, veprim që u përshkrua nga Ministria si “sjellje e pahijshme” dhe“në kundërshtim me rregullat dhe praktikat diplomatike”. Ky argument u rimor nga kryesministri serb Vuçiç, që la të nënkuptonte se ambasadorin e Shqipërisë për 6 muaj nuk do ta priste ai vetë apo zyrtarë të tjerë të Beogradit.

Reagimi i Miniustrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë ishte i menjëhershëm përmes një deklarate ku shprehej zhgënjim nga veprimet e autoriteteve serbe, “që paragjykojnë vullnetin e mirë e të plotë të autoriteteve shqiptare për mbarëvajtjen e ndeshjes së futbollit dhe ndarjen e sportit nga politika. Komunikimi i papërshtatshëm nga Ministria e Punëve të Jashtme serbe me përfaqësuesin e Republikës së Shqipërisë në Serbi, është një reagim jo-propocional”. Deklarata nënvizonte faktin se reagime të tilla, si dhe leximi arbitrar i imuniteteve dhe privilegjeve të diplomatëve, “shkojnë përtej rregullave të gjithë-pranuara të së drejtës ndërkombëtare dhe na kujtojnë praktika të tejkaluara.”

Përfshirja e politikës në aktivitete sociale

Arben Çejku, drejtor i Qendrës për Qeverisje të Mirë, i cili ka drejtuar dhe selitë diplomatike të Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoni, shprehet se nëse në fushën e lojës fitoi skuadra e Serbisë, në planin diplomatik Shqipëria fitoi pike, duke arritur të tejkalojë të gjitha sfidat e parashikuara dhe mentalitetin paragjykues të Serbisë ndaj shqiptareve. Sipas tij, ekipi i futbollit të Serbisë u ndje njësoj sikur të ishte në një vend evropian dhe studentët që erdhën para tyre do të jenë ambasadorët e së vërtetës, të cilët do të rikthehen edhe më shumë si numër në stinën e verës. Ethet e ballafaqimit në fushë dhe rezultatit, për fat të keq ndikuan në disa hapa që diplomacia serbe ndërmori, deklaron për Deutsche Welle-n Arben Çejku. “Personalisht mendoj se ambasadori i Shqipërisë në Beograd, pavarësisht rrethanave, duhej t'i përgjigjej thirrjes së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, duke mos paragjykuar shkakun dhe mesazhin e kërkesës serbe. Nga ana tjetër besoj se falë imazhit të përgjithshëm që u krijua nga pritja dhe përcjellja e skuadrës serbe, si dhe rezultati befasues që mori në minutat shtesë, do të ndikojnë në rikthimin e normalitetit në marrëdhëniet mes dy vendeve”.

Për lektorin e shkencave politike, Afrim Krasniqi, klima përpara, gjatë dhe pas ndeshjes tregoi se sjellja profesionale e sportistëve ishte dukshëm më serioze dhe më qytetare sesa sjellja e politikanëve. Nuk ka rëndësi rezultati sa ka rëndësia rënia e mitit se midis Tiranës e Beogradit nuk mund të ketë normalitet, thotë Prof. Asoc. Krasniqi për Deutsche Welle-n: “Nga ana tjetër, nevoja për të ushqyer turmat nacionaliste dhe populiste çoi në aktin e panevojshëm të palës serbe për notën e protestës dhe më pas me thellimin e këtij akti përmes deklarimit kritik ndaj ambasadorit shqiptar në Beograd, Ilir Boçka. Nuk pres që kjo masë e njëanshme të ketë ndikim afatgjatë në marrëdhëniet dypalëshe dhe me siguri shumë shpejt palët do sillen sikur ajo nuk ka ndodhur, pasi në realitet, efekti i saj lidhej me klimën e ndeshjes, jo me klimën e marrëdhënieve dypalëshe. Gjithësesi, ngjarja është simbol për të kuptuar se sa e brishtë është fqinjësia dhe marrëdhënia midis Serbisë e Shqipërisë në rajon, sa kontraste të thella ka midis deklarimeve politike zyrtare përpara auditorit perëndimor dhe akteve konkrete të tyre përpara publikut vendas”.

Sipas tij, ky fakt tregon gjithashtu se në rajonin tonë politika dhe liderët kryesorë përfshihen thellë në aktivitete sociale siç është sporti, aktivitet që de facto nuk kanë lidhje me politikën. “Sa herë ata përfshihen, në fakt më shumë e dëmtojnë sesa e ndihmojnë procesin normal të komunikimit dhe shkëmbimit social e kulturor”.