1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Polemika mes mazhorancës dhe opozitës për procesin e integrimit evropian të vendit

Arben Muka3 Nëntor 2008

Opozita socialiste thotë se i gjithë procesi i integrimit evropian është i bllokuar dhe këtë situatë ata ja faturojnë ekzekutivit të djathtë.

https://p.dw.com/p/FmiB
Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO Proces historik
Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO Proces historikFotografi: DW/Aida Cama

Ende pa u bërë publik zyrtarisht raport progresi i Komisionit Evropian për ecurinë e reformave në Shqipëri, mazhoranca dhe opozita janë duke shkëmbyer akuza të ndërsjellta për disa nga aspektet kryesore të zhvillimeve në vend. Për socialistët në opozitë i gjithë procesi i integrimit europian është i bllokuar dhe këtë situatë ata ja faturojnë ekzekutivit të djathtë. Sipas njërit prej eksponentëve të PS, Taulant Balla, regresi në realizimin e reformave ndihet në nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Balla thotë se ky është një kontatim dhe i organizmave ndërkombëtare, që e paraqesin vendin si të përshtatshëm për një "lavatriçe" për pastrimin e parave dhe qeveria, sipas tij, si një "detergjent" i këtij pastrimi.

"Kjo qeveri po saboton procesin e rëndësishëm të Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE. Në emër të PS-së, i bëj thirrje kësaj qeverie, në mungesë të hapave pozitivë, të paktën të mos vazhdojë sabotimin serioz të këtij procesi. Procesi historik i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, nuk mund dhe nuk duhet të sabotohen për qëllime personale dhe partiake të Sali Berishës", deklaron Taulant Balla, deputet i PS-së. Socialistët duke iu referuar një draft raporti progresi të KE-së që është bërë prezent në media ditët e fundit, kritikojnë qeverinë se tenton të sulmojë dhe të vërë nën kontroll institucionet e pavaruara, vecanërisht ato të sistemit të drejtësisë.

Ministerium der EU-Integration Tirana
Ministria e IntegrimitFotografi: DW/ Cama

Por nga Ministria e Integrimit në Tiranë, këto qëndrime të opozitës përshkruhen si të pabaza dhe thjesht për qëllime të përftitimit politik. Zëdhënësja e këtij institucioni, Alida Beqiraj, shprehet se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, po ecën me hapa të sigurt në respektim të plotë të detyrimeve që kërkohen. Sipas saj ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga parlamentet e vendeve anëtare të BE-së ka arritur në 22 dhe një gjë të tillë pritet të mbyllet brenda këtij viti dhe nga tri shtete.

"Ndërsa lidhur me detyrimet e të qenit shtet anëtar i BE-së, Shqipëria ka plotësuar deri tani 70 përqind të këtyre detyrimeve dhe është vendi që surprizoi pozitivisht strukturat evropiane, jo vetëm Komisionin Evropian, por edhe vendet anëtare me përgjegjshmërinë dhe cilësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ndërmjetme", shprehet Beqiraj.

Ministria e Integrimit po i kërkon forcave politike të opozitës që të presin ditën e mërkurë, 5 nëntor, kur do të bëhet publik varianti zyrtar i raport progresit të Komisionit Evropian, për të vlerësuar konkretisht ecurinë e reformave të Shqipërisë gjatë vitit të fundit.