1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Hetohet deputeti pasi ka goditur gazetarin

Arben Muka / Tiranë14 Mars 2008

Prokuroria e Republikës në Shqipëri ka njoftuar se ka nisur procedurat hetimore ndaj një deputeti të parlamentit, i cili akuzohet se ka goditur për shkak të detyrës gazetarin Besar Likmeta.

https://p.dw.com/p/DOW9
Tiranë
TiranëFotografi: DW / Aida Cama

Besar Likmeta punon për agjensinë rajonale të lajmeve BIRN (Balkan Investigative Reporting Network). Në muajin shkurt ai ka botuar një investigim mbi diplomat false të politikanëve shqiptarë, ku ka përmendur dhe rastin e deputetit demokristian Tom Doshi. Pikërisht ky duket se ka qënë dhe shkaku që Likmeta është goditur nga Doshi, në fillim të javës në ambjentet e një hoteli të njohur në Tiranë. Besar Likmeta ka bërë një kallzim penal në Prokurori ditën e enjte dhe kjo e fundit ka nisur hetimet për të verifikuar rrethanat e ngjarjes dhe pasojat.

Ndaj dhunës që është ushtruar ndaj gazetarit ka reaguar ambasadori amerikan në Shqipëri, Xhon Withers, i cili ka përshëndetur deklaratën e kryeministrit Sali Berisha që bën thirrje për hetim të plotë të kësaj ngjarje dhe është duke pritur të shikojë sa më shpejt rezultatet e këtij hetimi.

Ambasadori Withers e përshkroi aktin e deputetit Doshi si një veprim burracakësh. "I bëj thirrje politikës shqiptare, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe vecanërisht kolegëve gazetarë të Besar Likmetës që të dënojnë haptas dhe me guxim dhunime të tilla të lirisë së shprehjes, që qëndron në themel të një shoqerie të lirë", apeloi kryediplomati amerikan në Tiranë.

Më herët përfaqësues të Lëvizjes Mjaft, një organizatë e njohur jo qeveritare në Shqipëri kanë zhvilluar një protestë para ambjenteve të parlamentit për të dënuar dhunës e pashembullt ndaj një gazetari. Njëri prej aktivistëve të saj, Ervin Qafmolla, kërkoi në emër të Lëvizjes që deputetit Doshi t`i hiqet mandati.

Shqetesim për atë që ka ndodhur ka shprehur dhe kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli, e cila tha se do të presë rezultatet e hetimit për të ndjekur procedurat sipas rregullores së parlamentit. Kryeministri Sali Berisha, duke e dënuar këtë akt dhune dhe cdo akt tjetër ndaj gazetarëve u ka kërkuar organeve të specializuara "që të ndërmarrin një hetim të thelluar dhe të plotë ndaj këtij akti të papranueshëm ndaj fjalës së lirë".