1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Demokristianët pro mocionit të opozitës për shkarkimin e kryetares së parlamentit

Arben Muka8 Shtator 2008

Për kryetarin e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, Jozefina Topalli, ka shkelur disa herë rregulloren e parlamentit, si dhe ka tensionuar marrëdhëniet mes institucioneve.

https://p.dw.com/p/FDPb
Parlamenti në Tiranë
Parlamenti në TiranëFotografi: AP

Hapja e punimeve të seancës plenare të Parlamentit, të hënën pasdite, shënon fillimin se sezonit të ri të vjeshtës, që konsiderohet dhe si më i rëndësishmi, po të kihet parasysh afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme. Në axhendë janë diskutimi dhe votimi i disa prej projektligjeve të dorës së parë, një pjesë e të cilave u shtynë nga sezoni i kaluar, pasi mazhoranca dhe opozita nuk mundën të merren vesh për miratimin e tyre. Kështu do të jetë kalimi i projektligjit të debatueshëm për pastrimin e figurave të zyrtareve, ose siç njihet projektligji për hapjen e dosjeve, si dhe ai që ka të bëjë me funksionimin e institucionit të Prokurorisë, për reduktimin e imunitetit të deputetëve, për të drejtën e informimit të publikut për dokumentet zyrtare etj. Prioritet i sezonit do të jenë dhe dy reformat e rëndësishme, ajo elektorale dhe reforma në drejtësi.

Por hapja e punimeve të Parlamenti shikohet dhe si rifillimi i lëvizjeve politike, për matjen e forcave të grupimeve kryesore të deputetëve. Opozita ka paralajmëruar dhe një mocion shkarkimi për kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, të cilit ditët e fundit i është bashkuar dhe një parti e djathtë, ajo demokristiane e Nard Ndokës. Disa javë, pasi ka lënë postin e ministrit të Shëndetësisë në qeverinë e djathtë, deputeti demokristian Nard Ndoka mendon se shkarkimi i Topallit do të jetë në ndihmë të PD-së. Ai e fajëson atë se "ka shkelur rregulloren, kushtetutën, ka tensionuar pa shkak marrëdhëniet mes parlamentit dhe institucioneve të tjera, si Presidenca, Prokuroria etj". Largimi i Jozefina Topallit, sipas Ndokës do "t’i bëjë nder PD dhe mazhorancës".

Projekti i opozitës për mocion shkarkimi për kryetaren e Parlamentit është në fakt një aksion i përsëritur edhe më parë i opozitës, që nuk ka patur sukses. Por këtë herë shikohet si një lëvizje diversioni për kundërshtarët e djathtë, vetëm pak kohë para zgjedhjeve të reja të përgjithshme. Edhe si një tentativë për të mbuluar fragmentizimin e dukshëm opozitar në dy grupime rivale, ku në qëndër janë PS nga njëra anë dhe LSI nga ana tjetër.