1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Timoshenko shpreson tek Gjykata e Strasburgut

Roman Goncharenko/Esat Ahmeti29 Gusht 2012

A është Julia Timoshenko një e burgosur politike? Po, thotë liderja e opozitës ukrainase. Jo, thotë shteti i Ukrainës. Tani për këtë duhet të vendosë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

https://p.dw.com/p/15zRa
Fotografi: Reuters

"Ju jeni shpresa e vetme." Me një vështrim serioz dhe një zë të fortë avokati Serhiy Wlassenko u ka përcjellë këtë mesazh tetë gjyqtarëve të Strasburgut. Paraqitja e tij ishte kulmi emocional në një seancë, që zgjati rreth dy orë, në të cilën bëhej fjalë për një rast shumë të ndjeshëm politik: Julia Timoshenko, lidere e opozitës dhe ish kryeministre e Ukrainës, i drejtohet nga burgu në Kharkiv Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Starsburg. "Ne nuk mund të shpresojmë për drejtësi në gjykatat e Ukrainës", i tha vajza e Timoshenkos, Jevhenija, Deutsche Welle-s.

Më shumë se një vit është dashur të presë Julia Timoshenko, derisa të martën (28.08.2012) u zhvillua seanca e parë dëgjimore për këtë rast në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Dhe kjo, edhe pse gjyqtarët kishin thënë se ankesa e saj është me prioritet qysh në muajin dhjetor të vitit 2011.

Jevgenija Timoshenko, e bija Julia Timeshenkos
Jevgenija Timoshenko, e bija e Julia TimeshenkosFotografi: Getty Images

"Motive politike" - apo megjithatë jo?

Ish udhëheqësja e Revolucionit të Portokalltë pro-perëndimor në Ukrainë në vjeshtë të vitit 2011 u dënua me shtatë vjet heqje lirie dhe një milion dollarë gjobë. Një gjykatë në Kiev konsideroi se Timoshenko i kishte tejkaluar kompetencat e saj me rastin e nënshkrimit të një kontrate të gazit mes Rusinë në dëm të Ukrainës. Liderja 51 vjeçare e opozitës nga ana tjetër e sheh veten si një viktimë të drejtësisë të motivuar politikisht. Prandaj ajo ankohet kundër arrestimit të saj dhe sipas avokatëve të saj kundër kushteve të këqija: Në burg nuk ka ujë të ngrohtë, "ushqim të papranueshëm", gjatë gjithë kohës drita të ndezura, vëzhgim me kamera.

Përveç kësaj Timoshenko thotë se është rrahur nga personeli i burgut. Fotot e politikanës së burgosur me njolla të shkaktuara nga dhuna në krahë dhe bark qarkulluan në prill 2012 në mbarë botën. Qeveria e Ukrainës i mohon akuzat.

"Dëshmi të pamjaftueshme"

Lëndimet, ose janë "vetë-shkaktuar", ose janë shenja të një sëmundjeje të mëparshme, thotë Nazar Kultschizkij, përfaqësues i shtetit ukrainas në sallën e gjyqit në Strasburg. Në fokus të seancës megjithatë është çështja, nëse Timoshenko është dënuar për arsye politike. Qeveria e Ukrainës refuzon një gjë të tillë. E pandehura nuk ka paraqitur dëshmi të mjaftueshme, thotë Kultschizkij. Pas seancës ai i tha DW-së, se gjyqi kundër Timoshenkos ishte përgjithësisht "apolitik". Shteti ukrainas tani shpreson, që edhe gjyqtarët në Strasburg do ta cilësojnë atë si të tillë.

Gjykatës të Gjykatës Evropiane për të Drejtat në Strasburg
Gjykatës të Gjykatës Evropiane për të Drejtat në StrasburgFotografi: Getty Images

Avokatët e Timoshenkos shpresojnë të kundërtën. "Ajo si lidere politike ka folur shumë me gazetarët dhe votuesit, para se të fillojë përndjekja e saj juridike", thotë Valentina Telytschenko, e cila së bashku me avokatin Serhiy Wlassenko përfaqësojnë Timoshenkon para Gjykatës në Strasburg. Kjo siç duket nuk i ka pëlqyer partisë në pushtet.

Marrja e një vendimi për rastin e Timoshenkos në Strasburg pritet në muajt e ardhshëm. Avokatët e Timoshenkos shpresojnë që ky vendim të merret para 28 tetorit. Në këtë ditë Ukraina zgjedh një parlament të ri. Opozita ka caktuar Timoshenkon si kryekandidate të saj. Megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kiev refuzon ta regjistrojë Timoshenkon. Disa politikanë evropianë e shohin këtë si një arsye për të mos njohur këto zgjedhje.