1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Timoshenko i jep fund grevës së urisë

Për shkak të konfliktit rreth politikanes ukrainase të opozitës, Ukraina ka anulluar një takim të nivelit të lartë. Timoschenko bëri të ditur se do t'i japë fund grevës së urisë.

Julia Timoschenko në postin e kryeministres

Julia Timoschenko në postin e kryeministres

Gati tre javë qëndroi në grevë urie ish kryeministrja ukrainase, Julia Timoschenko, për të protestuar kundër kushteve në burg. Pak para fillimit të kampionatit evropian të futbollit, presidenti ukrainas Viktor Janukoviç dhe qeveria e tij u vendosën nën presion të madh. Ukraina u konfrontua me kërcënime për bojkotimin e kampionatit. Një konferencë e planifikuar për t'u mbajtur në Jalta ditën e premte (11.05.2012) dhe të shtunë me kryetarët e vendeve evropiane, u shty nga Ukraina për një kohë të pacaktuar për shkak të njoftimeve të shumta për mospjesëmarrje. Disa burra shtetesh, mes të cilëve edhe presidenti gjerman Joachim Gauck, patën refuzuar të merrnin pjesë në takim, në shenjë proteste me trajtimin që Ukraina i bën ish-kryeministres së saj.

Tani Timoshenko do t`i japë fund grevës së urisë, rreziqet për shëndetin e saj do të ishin shumë të mëdha. Prej muajsh Timoshenko vuan nga një hernie diskale dhe ka humbur shumë në peshë për shkak të grevës së urisë. Timoshenko ka zhvilluar një bisedë të gjatë me neurologun nga Berlini, Harms i cili ndodhet aktualisht në Charkiv, për të shkuar urgjentisht në një klinikë. E bija e Timoshenkos, Jevgenija e përmbledh kështu rezultatin e bisedimeve: „Doktor Harms i tha mamasë sime se është e rëndësishme që të fillojë trajtimi mjekësor, në mënyrë që të parandalohen dëmet shëndetësore. Terapia nuk mund të fillojë menjëherë për shkak të grevës së urisë. Doktor Harms do të nxjerrë nënën time ngadalë nga procesi i urisë. Kjo mund të zgjasë dhjetë ditë.“

Mjekë nga spitali Charité pranë Timoshenkos

Mjekë nga spitali Charité pranë Timoshenkos

Duket se dërgimi i Timoshenkos nga burgu në spitalin e Charkivës nuk ka më pengensa. Mjeku gjerman Harms do të shoqërojë Timoshenkon gjatë transportit për në klinikë. Specialistë të Charitesë patën rënë dakord javën e kaluar me udhëheqësen e burgosur të opozitës, për trajtimin e saj në Ukrainë. Avokati i Timoshenkos, Sergej Vlassenko nënvizoi edhe një herë kushtet që duhen respektuar. „Julia Timoschenko ka kërkuar dy gjëra, e para që të trajtohet nga mjekë gjermanë dhe e dyta që mjekët të jenë të pavarur. Mjeku gjerman Harms është ky mjek i pavarur, që do të drejtojë trajtimin mjekësor të saj.“

Autor: Stephan Laack/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi