1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Timmermans: Evropa duhet t'u mbetet besnike vlerave të veta humanitare

Në Kale ka rreth 3000 refugjatë që shpresojnë të hyjnë në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe. Por po përballen me probleme shumë të mëdha.

Netët mund të jenë të ftohta, madje edhe në gusht, sepse Kaleja gjendet direkt buzë detit në Kanalin e La Manshës, në Francën veriore. Për mijëra refugjatë ky është një i ftohtë i hidhur, sepse ata vijnë nga Darfuri apo Afganistani, Eritrea apo Sudani. Sipas vlerësimeve aty ka rreth 3000 refugjatë që shpresojnë të hyjnë në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe. Disa prej tyre kanë gjetur vdekjen në përpjekje për të kaluar tunelin e La Manshës.

Disa kanë të afërm në Britaninë e Madhe, të tjerë flasin anglisht por jo frëngjisht dhe prandaj nuk duan të bëjnë kërkesë për azil në Francë, edhe pse shanset për të fituar të drejtën e azilit aty nuk janë të këqia.

Premtime nga Timmermans dhe Valls

Tani në Kale është krijuar një "xhungël e re", sepse tani të gjithë duhet të qëndrojnë në një zonë dhe aty sipas organizatave humanitare mungojnë çadra, veshje dhe ushqime. Komisioneri i BE-së për të Drejtat Themelore, Frans Timmermans, dhe kryeministri francez, Manuel Valls premtuan gjatë vizitës së tyre të hënën në Kale përmirësimin e situatës së tensionuar. "Ne nuk do t'i refuzojmë kurrë ata që kanë nevojë për mbrojtje" tha Timmermans duke shtuar se "Evropa duhet t'u mbetet besnike vlerave të veta humanitare." Me më shumë se pesë milionë euro nga Brukseli pritet të ngrihet deri në fillim të vitit 2016 një kamp me çadra për dymbëdhjetë vetë secila, që do të ofrojë strehim për 1.500 vetë.

Valls është për shumë njerëz në Francë si përkrahës i linjës së ashpër, një i djathët në mes të socialistëve në pushtet. Në Kale ai nuk la të hënën asnjë lloj dyshimi se dëshiron të veprojë me forcë kundër trafikantëve dhe imigracionit të paligjshëm. Ish-ministri i Brendshëm e mbështet punën e policisë në mënyrë demonstrative.

Këtë vit policët kanë nxjerrë këtë vit mijëra herë refugjatë nga kamionët me të cilët përpiqeshin të kalonin tunelin. Praktikisht çdo natë ka emigrantë që përpiqen për të kapërcyer gardhet dhe për të kapur ndonjë prej kamionëve.

Bashkëpunim më i ngushtë

Britanikët dhe francezët synohet që në të ardhmen të bashkëpunojnë në mënyrë më efikase. Kufiri britanik praktikisht ruhet në veri të Francës dhe kontrollet kryhen tashmë në Kale. Këto kontrolle bazohen në një marrëveshje të vitit 2003 për një bashkëpunim më të ngushtë kundër kontrabandës dhe imigracionit të paligjshëm.

Shoqata e transportit FNTR thotë se prej refugjatëve që përpiqen të kalojnë ka pasur një rënie të të ardhurave në masën 30 deri 50%, sepse ka dëmtime të mallrave dhe të automjeteve. Po ashtu shoferët përballen me agresione dhe në rast se në kamionin e tyre gjendet ndonjë refugjat, shoferi dënohet me gjobë deri në 2.900 euro.