1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

T'i shpallësh luftë Ndraghetas

Jan-Christoph Kitzler11 Shtator 2016

Shitësi Tiberio Bentivoglio i mbijetoi një sulmi me armë, dyqani i tij është djegur disa herë. Ai refuzon të paguajë shumën që kërkon klani i Ndraghetas nga tregtarët. Për shumë vetë - një hero i luftës kundër mafias.

https://p.dw.com/p/1JzgV
Italien San Luca Polizei Carabiniere
Fotografi: picture-alliance/dpa/F. Cufari

Tiberio Bentivoglio ka një dyqan elegant në qendër të Reggio Calabria-s, në një shëtitore pranë detit. Një dyqan të madh, të saporinovuar. Por para tij të bien në sy një numër ushtarësh të armatosur rëndë. E kur Tiberio vjen në dyqan, duhet të përdorë një makinë të blinduar, të ruajtur nga dy karabinierë. Kjo është e nevojshme thotë ai sepse "shtatë herë jam sulmuar, gjashtë herë më kanë shkatërruar dyqanin. Vjedhje, bomba, vënie zjarri. Ne jemi përpjekur të ringrihemi gjithmonë, të startojmë nga zeroja. Ia kemi dalë, por me shumë sakrifica dhe borxhe të reja."

Sulm i mafias për të vrarë rebeluesin

Duket si një mrekulli që ende ky dyqan ekziston. Tiberio Ventivoglio ka marrë ndihma nga organizatat kundër mafias dhe nga politika. Në të gjithë Italinë janë mbledhur donacione për të. Kur dyqani u rihap, erdhën në ceremoni 5.600 vetë në shenjë solidariteti. Kjo sepse Tiberio ka guxuar diçka që nuk e bëjnë shumë vetë në Kalabri: Ai i ka dalë kundër Ndraghetas, mafias kalabreze. Megjithatë ai nuk ndjehet fitimtar. Për këtë kam paguar një çmim të lartë, thotë Tiberio. Pas denoncimit që pasoi me dënimin e tre mafiozëve, Tiberio u rrezikua me jetë. "Një vit më pas më goditën disa plumba në kurriz. Kanë qëlluar gjashtë herë me një pistoletë të kalibrit 7,65. Ka qenë një mrekulli që kam mbijetuar. Në spital pas operacionit më thanë se ka qenë tentativë për vrasje."

Italien: Großeinsätze der Polizei gegen Mafia-Clans
Arkivi: Aksion i policisë italiane kundër Mafias kalabreze (2008)

Historia e vuajtjes së Tiberio Bentivoglios zgjat prej 14 vjetësh. Që nga fundi i viteve 70-të, ai shet artikuj për fëmijë të vegjël në perëndim të "Reggio Calabrias". Tiberio shiste krevate, veshje fëmijësh, bebelino. Nga viti 1992 situata ndryshoi, kur klani dërgoi njerëz që të merrnin para me shantazh. Shitësi i ktheu duarbosh përfaqësuesit e klanit. Ajo që pasoi ishin sulmet, por edhe vetmia. "Në lagjen ku jetoj, unë e padita Ndraghetan, por edhe njerëz të kishës e të politikës. Pas kësaj ngela vetëm. Një izolim drejt dështimit. Askush nuk futej më në dyqan. Zgjidhja e vetme ishte të largohesha."

I lodhur por i padorëzuar

Por Tiberio qëndroi, filloi të shiste mallin para dyqanit të djegur, deri në tentativën për vrasje në 2011-n. Nga ajo kohë ai çalon për shkak të një plumbi në këmbë. Por dyqanin arriti ta rihapë në një vend tjetër. "Pesë vjet e gjysmë gjithë vuajtje, se nuk është e lehtë të jetosh me roje. Ne donim thjesht të ishim tregtarë, dhe ja ku jemi, me një dyqan të ruajtur nga ushtarë. "

Dyqani ku shet tani Tiberio i përkiste më parë një anëtari të Ndraghetas. Një sinjal në një qytet si Reggio Calabria, ku më shumë se gjysma e tregtarëve paguajnë para për të mos u prekur nga Ndragheta. Vetë Tiberio shet në dyqan me gruan dhe vajzën. 63 vjeçari duket më i moshuar se vitet që ka, dukshëm i lodhur dhe i vrarë. "Kemi frikë, shumë frikë. Më shumë se të tjerët. Por çështja nuk është nëse ke frikë apo jo, puna duhet vazhduar."

Tiberio Bentivoglio dhe dyqani i tij janë një simbol, një simbol i luftës kundër Ndraghetas, që të mëson se kundër mafias mund të luftohet. Por në të njëjtën kohë, historia e shitësit të guximshëm të tregon se kjo luftë ka për të zgjatur shumë. Tiberio Bentivoglio thotë se Kalabria dhe Italia janë shumë të bukura për t'ia dorëzuar mafias.