1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

T'i integrojmë refugjatët në tregun e punës - po si?

Që në kontaktin më të parë do të ishte mirë që të regjistrohen aftësi të fituara në rrugë jo formale, që refugjatët të gjejnë shpejt punë ose shkollim, thotë Fondacioni Otto Benecke. Edhe nëse kjo kushton para.

Vendi i origjinës dhe arsyeja e ikjes: për këtë bëhet fjalë sot në procedurën e pranimit - dhe jo për kualifikimin. Të paktën në rastin e refugjatëve nga shtetet jo të sigurta të origjinës duhet të regjistrohen që në qendrat e para të pranimit shkolla që kanë përfunduar dhe aftësitë profesionale. Këtë e kërkon Fondacioni Otto Benecke. Këta njerëz me gjasa do të qendrojnë në Gjermani, prandaj ata mund të ndihmohen menjëherë në mënyrë specifike.

Sa refugjatëve u mungojnë dëshmitë e kualifikimit, kjo nuk mund të marrë përgjigje me një pyetje të shkurtër, thotë Hans-Georg Hiesserich nga Fondacioni i Bonit, i cili kualifikon që prej 50 vjetësh migrantë për tregun e punës. "Na nevojitet një kontroll për talentet", thotë ai.

Nëse dikush ka përfunduar universitetin ose një shkollë të lartë profesionale ose nëse dikush nuk e ka ndjekur shkollën në mënyrë formale, por ka punuar për vite të tëra në oficinën e xhaxhait ose është kujdesur për të afërm të sëmurë: gjëra si këto konstatohen vetëm pas një bisede të gjatë. Për këtë nevojiten intervistues të shkolluar dhe një udhëzues, thotë Hiesserich.

Fillimisht u duhet besuar të dhënave që japin refugjatët dhe vetëm në hapin e dytë të kërkohet vërtetimi për njohuritë, përmes provimeve të dhëna. Këto informacione duhet të ruhen në të ashtuquajturën "TalentCard", në mënyrë që të mos mbeten te qendra e parë e regjistrimit. Në vendin tjetër të qendrimit ose të shërbimi i konsulencës mund të gjendet me ndihmën e chip-it kursi i përshtatshëm për refugjatin.

Kualifikime për kontaktin e parë me refugjatët

Projekte model, që ecin në kwtë drejtim, ka në Hamburg, në Friedland ose në Reutlingen. Agjencia Federale për Punën ka bashkëpunuar për këtë edhe me institucione të tjera. Por në përgjithësi, sipërmarrjet që duan të marrin refugjatë rrallë gjejnë të tillë te Agjencia e Punës, thotë Regina Karsch nga Sindikata e Industrisë Miniera, Kimi dhe Energji.

Për shembull, sindikata dhe shoqata e punëdhënësve kërkojnë aktualisht kursantë për industrinë kimike midis të porsaardhurve. "Personat që kujdesen në mënyrë honorifike për refugjatët mund t'u kushtojnë atyre më shumë vëmendje", thotë Karsch në kongresin e sindikatave "Kultura e pranimit tani!". "Duke qenë se ata dëgjojnë vërtet me vëmendje, ata janë për ne partnerët më të mirë të kontaktit", thotë Karsch. "Ata mund të na thonë drejtpërdrejt se në cilin drejtim të kompetencave mund ta integrojmë dikë."

"Ata që kanë kontakte me refugjatët, duhet të kualifikohen përmes kurseve në intervistues, të cilët të jenë në gjendje të njohin edhe talente të fshehura, të regjistrojnë shkollime joformale dhe t'i paraqesin ato në një mënyrë të tillë, që edhe marrësit të mund t'i kuptojnë", mendon Hiesserich nga Fondacioni Otto Benecke.

Falas e gjitha kjo natyrisht nuk është. Por nuk duhen përsëritur gabimet e së kaluarës, thuhet në Fondacion. Në valët e mëparshme të migrimit, kualifikimet e të huajve nuk janë marrë parasysh. Kështu që ka edhe më tej mjeke, që punojnë si pastruese, shkencëtarë, që janë shoferë taksie ose inxhinjerë, që punojnë në konvejer. Tani mund të lindë një shtresë e re e ulët, druhet Fondacioni. Prandaj nevojiten investime, të cilat në formën e shtimit të të ardhurave në taksa e nxjerrin veten.