1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Thomas Schrapel: Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri duhet të çohet përpara

Në një intervistë për Deutsche Welle-n drejtori për Shqipërinë i Fondacionit Konrad Adenauer, dr. Thomas Schrapel, flet për situatën politike në vend dhe mesazhet e Konferencës së Berlinit javën e kaluar.

Thomas Schrapel

Thomas Schrapel

DW: Dr. Schrapel, në opinion tuaj, cilat ishin mesazhet thelbësore, të Konferencës së Berlinit?

Thomas Schrapel: Kancelarja Merkel formuloi një nga mesazhet më të rëndesishme: Të gjitha shtetet e Ballkanit Perendimor kanë mundësi reale për një anëtarësim në BE. Kushtet e anetarësimit nuk duhet të shihen si pengesë apo barrierë, por si shtysë. Dhe anëtëresimi në BE nuk është projekt për politikanët e këtyre vendeve, përkundrazi, fjala është për qytetarët e tyre, të cilët duan t‘i përkasin Evropës! Por problemet me korrupsionin dhe mungesën e shtetit të së drejtës duhet të zgjidhen nga politikanët. Në kuader të së tërës më bie në sy mesazhi që vendet e Ballkanit Perendimor luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm edhe në këndvështrimin e BE-së në Bruksel.

DW: Duke u fokusuar tek zhvillimet në Shqipëri pas marrjes së statusit kandidat, cilat janë sfidat kryesore të vendit në procesin e integrimit europian?

Thomas Schrapel

Thomas Schrapel

Thomas Schrapel: Këto janë dy pikat të cilat u përmendën tashmë. Qytetarët e Shqipërisë kanë nevojë për më shumë siguri në drejtësi. Ngërҫi nuk qëndron tek mungesa e institucioneve. Ҫështja është që institucionet ekzistuese përkatëse duhet të arrijnë pavarësine e tyre nga politika. Siguria në drejtësi është një nga kushtet më të rëndësishme që njerëzit ta pranojnë demokracinë si formë shteti. Dhe natyrisht lufta kundër korrupsionit duhet të ҫohet përpara në mënyrë transparente dhe të qëndrueshme. Duhet të ketë patjetër pasoja për këdo, i cili do mund të provohej i korruptuar.

DW: Vendimi pozitiv nga Brukseli ende nuk ka ndonjë impakt në përmirësimin e dialogut dhe të bashkëpunimit mes partive politike, megjithëse kjo është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga komuniteti ndërkombëtar. Duke qenë një njeri i mirëinformuar me zhvillimet në Shqipëri Dr. Schrapel, si e shikoni këtë aspekt?

Thomas Schrapel: Që të jem i ndershëm, nuk jam i sigurt se ҫfarë nënkuptohet me “dialog dhe bashkëpunim mes partive”. Eshtë e vërtetë që kultura politike, pra sjellja e përditshme me politikanët “e anës tjetër” këtu në Shqipëri nuk bëhet ashtu siҫ ne e njohim të kryhet në Evropën Qendrore ose në Gjermani. Shumë politikanë shqiptarë i shohin shpesh si armiq kolegët e tyre të “anës tjetër”. Ndërkohë që ata janë konkurrentë të zgjedhur në mënyrë demokratike. Po ashtu do doja të theksoja që kemi të bëjmë me një demokraci parlamentare. Ҫka do të thotë që ka parti me përgjegjësi qeverisjeje dhe një opozitë. Ky ndryshim pozicionesh ruhet në demokraci. Opozita është aty për të kritikuar punën e qeverisë. Kjo bëhet më së miri përmes diskutimeve me përmbajtje. Opozita nuk është aty që të vlerësojë pozitivisht veprimet e qeverisë përmes dialogut apo bashkëpunimit. Kjo nuk ndodh as në Gjermani. Personalisht s'më duket të jetë kjo temë problemi kryesor i demokracisë në Shqipëri!

DW: Në konferencën në Berlin mes ҫështjeve kryesore që u theksua ishte edhe forcimi i sistemit të drejtësisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Aktualisht Shqipëria është e përfshirë në diskutimin për zbatimin e reformës në drejtësi. Sa i rëndësishëm është ky proces në opinionin tuaj?

Thomas Schrapel: Së pari duhet të shohim së ҫfarë nënkuptohet saktësisht me „reformën në drejtësi“. Siguria në drejtësi duhet të garantohet për ҫdo qytetar të Shqipërisë. Ҫdo gjë që shërben për ta implementuar atë duhet të mbështetet. Por reforma e drejtësise në radhë të parë, në këndvështrimin tim, s'duhet të verë në pikëpyetje institucionet ekzistuese të shtetit të së drejtës.