1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Thirrje në Gjermani për sanksione kundër Turqisë

55 gjermanë ndodhen në Turqi në burg, 12 syresh për arsye politike. Tani gjithnjë e më shumë politikanë në Berlin pyesin, edhe sa kohë do ta durojë Gjermania këtë sjellje të Erdoganit?

Kupa është mbushur plot - ky është tenori i përgjithshëm në politikën e Berlinit. Pas dy arrestimeve të reja të dy gjermanëve në Turqi, gati të gjitha partitë kanë ngritur zërin për një kurs më të ashpër kundër Turqisë. Nga shumë drejtime vijnë kritika edhe kundër Angela Merkelit për reagim shumë të përmbajtur ndaj kreut të qeverisë turke, Recep Tayyip Erdogan.

Jo zgjerim të unionit doganor

Kandidati për kancelar i Të Gjelbërve, Cem Özdemir deklaroi se "koha e përkëdhelisë ka marrë fund”. Tani duhet të ketë deklarata të qarta kundër Erdoganit, si psh. jo zgjerim të unionit doganor. Özdemir e quajti Erdoganin një "pengmarrës, që burgos njerëz për të ushtruar presion ndaj nesh”. E vetmja gjuhë që kupton Erdogani, është "gjuha e parasë”, është shprehur opozitari Özdemir për gazetën gjermane "Münchner Merkur”.

Edhe politikanja e Majtë, Sevim Dagdelen ka kërkuar që të marrë fund "politika zbutëse e ministrit të Jashtëm, Sigmar Gabriel dhe kancelares Merkel", kërkon ajo në gazetën gjermane, "Bild”.

Kancelarja gjermane ishte shprehur që të premten në mbrëmje në Nuremberg, se arrestimet në Turqi "nuk kanë në shumicën e rasteve asnjë bazë. Prandaj duhet të reagojmë këtu me vendosmëri”, kërkoi Merkel, por pa u shprehur konkretisht si. Ajo tha se në kuadër të zhvillimeve aktuale, qeveria gjermane duhet "rimendojë ndoshta” edhe njëherë politikën e saj ndaj Turisë. Më parë Merkel kishte thënë, se do t'i bllokonte negociatat mes BE dhe Turqisë për zgjerimin e unionit doganor.

 „Tani mjaft më." Edhe kreu i partisë kristiansociale, CSU, Horst Seehofer shprehet, se „kjo është një seri shkeljesh kundër idesë bazë europiane, shtetit ligjor". Seehofer kërkon në gazetën Nürnberger Nachrichten që „BE dhe qeveria gjermane të dërgojnë sinjale të qarta". Duhet të ndërpriten negociatat e anëtarësimit me Turqinë, po ashtu edhe ndihmat financiare si përgatitje për anëtarësimin, që pritet të përbëjnë 4,2 miliardë euro në vitet e ardhshme. Po ashtu nga politikanë të partive të ndryshme gjermane kërkohet që të lëshohet një paralajmërim për udhëtimet në Turqi. Turistët duhet të heqin dorë nga prenotimet pa kosto, kërkoi Cem Özdemir nga Të Gjelbrit. Ndërsa politikani liberal, Christian Linder pyet në një aktivitet në Hamburg „edhe sa kohë do ta shohim këtë situatë?”

Arrestime në Antalya

Të dy shtetasit vetëm me pasaportë gjermane, por me gjasë me rrënjë turke u kapën nga policia në aeroportin e vendit turistik, Antalya në Turqi. Ministria e Jashtme Gjermane, sipas informacioneve të para, bën të ditur se ata janë arrestuar për arsye politike, ashtu si edhe 10 gjermanë të tjerë të arrestuar. Por ende ka shumë çështje të pasqaruara, lidhur me arrestimin e fundit. Konsullatës së Pëgjithshme gjermane i është refuzuar kontakti me të arrestuarit, sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme.