1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Thirrje e Gauckut ndaj Evropës - dhe ndaj Gjermanisë.

Në krizën evropiane, Presidenti i Gjermanisë ka shprehur mirëkuptim për strategjitë e caktimit të kufijve në Evropë. Në fjalët e tij vërehet frika për një shpërbërje të mëtejshme të BE, mendon Christoph Strack.

Ata grinden, veprojnë kundër njëri-tjetrit, takohen në takime të nivelit të lartë dhe pajtohen - kryeministrat dhe ministrat e brendshëm të Evropës, edhe ekspertët e tyre për përballimin e krizës së refugjatëve. "Ka kohë që nuk bëhet më fjalë vetëm për zgjidhjen e krizës së refugjatëve" thotë tani Presidenti i Gjermanisë Joachim Gauck. Të drejtë ka ai.

Por ai madje kërkon mirëkuptim për ato shtete, që fokusohen te ngritja e gardheve dhe te kufijtë e mbyllur. Duhet të jetë e përfytyrueshme, që "zgjidhjet evropiane dhe ato rajonale të plotësojnë njëra-tjetrën". Pranimi i gardheve - kjo është një kërkesë e fortë! Për Presidentin e Gjermanisë ky duket se është çmimi, për t'u kthyer në më shumë përbashkësi në Evropë. Sepse Gaucku na kujton: vetëm së bashku dhe me forca të bashkuara, me peshë politike të bashkuar do të jetë në gjendje Evropa të kontribuojë në kufizimin dhe luftimin e shkaqeve të arratisë.

Arrati drejt një shtetësie nacionale të re

Në javët e fundit në Evropë janë hapur hendeqe të reja. Kancelarja gjermane, e cila përpiqet prej muajsh për një kurs të përbashkët, për forcimin e kufijve të jashtëm evropianë, kundër kufijve maksimalë për refugjatët, humbi aleatë. Së fundi humbi pikërisht Austrinë, partneren e Merkelit në orët e para dramatike të shtatorit 2015, e cila së bashku me shtetet e Ballkanit Perëndimor eci një rrugë vetjake. Shpirti evropian, nëse ka ekzistuar ndonjëherë, po zhduket. Shkak është prej kohësh jo vetëm populizmi. Është shtetësia e re nacionale, nga frika e kohëve tepër të mëdha të globalizimit.

Tensione të shumëllojshme brenda Bashkimit Evropian, konstaton Gauck, "jo për herë të parë, por aq të forta sa thuajse asnjëherë më parë". Vullneti i ndershëm për përbashkësi aktualisht është tepër i dobët. Dhe si rezultat, i dobët është BE, tha Gauck. Këto janë fjalë deziluzionimi.

Të tërheq vëmendjen që Presidenti gjerman nuk paralajmëron në radhë të parë qytetarët e thjeshtë, "që të mos ndjekin frikërat dhe ata që i krijojnë ato". Jo, të adresuarat më të rëndësishme për të janë qeveritë. Kështu që thirrja dhe paralajmërimi i tij u drejtohen në radhë të parë atyre që mbajnë përgjegjësi politike në Evropën Qendrore dhe Lindore, si edhe politikës gjermane. Dhe ndoshta thirrja e hidhur është ajo që të përfshihen në bashkësi më tej edhe ata, që ndërtojnë gardhe dhe duan caktim kufijsh.

Christoph Strack

Christoph Strack

Dobësi e frikshme e BE

Joachim Gauck është shprehur disa herë këtë vit për krizën aktuale të refugjatëve. Në janar, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos (ku fjala "kufizim" u shfaq disa herë në fjalimin e tij) dhe në një intervistë të madhe në radio në fillim të shkurtit. Të dyja herët ai la përshtypjen e një ndërtuesi urash edhe për Kancelaren gjermane. Tani ai paralajmëron - sigurisht edhe Angela Merkelin- që në krizën e refugjatëve të mbajë më fort në mendje unitetin evropian.

Dhe paralajmërimi me vend i Gauckut e bën të qartë edhe dobësinë frikësuese të BE. Sepse një kontinent me 500 milionë banorë nuk përballon pranimin e dy deri tre milionë refugjatëve - vetëm Libani përballon më shumë. Grindja aktuale - edhe kjo lexohet nga fjalimi - e tregon kontinentin evropian në krizë, në krizë identiteti. Është një kohë vendimtare për fatet e Evropës. Dhe në këtë kuadër edhe për Gjermaninë.