1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Thirrje anonime e mesazhe kërcënuese: Rasti i gazetares Sebahate Shala në Kosovë

Organizata “Reporterë pa kufij" ka dënuar kërcënimin dhe trajtimin e gazetares së agjencisë kosovare të lajmeve Kosovapress, Sebahate Shala. Gazetarja shprehet se është kërcënuar për shkrimin e saj në Kosovapress.

Lapsi i thyer si simbol i mosfunksionimit të lirisë së medias

Lapsi i thyer si simbol i mosfunksionimit të lirisë së medias

Zyrtarë të PDK-së janë shprehur se partia e tyre vazhdimisht është angazhuar për media të lira. Në këtë kontekst ata dënojnë çfarëdolloj kërcënimi që i bëhet gazetarëve në Kosovë. Reagimi i PDK-së erdhi pasi organizata "Reporterë pa kufij" kishte dënuar kërcënimin dhe trajtimin e një gazetareje të agjencisë kosovare të lajmeve Kosovapress, Sebahate Shala, e cila kishte pyetur zëvëndëshefin e UNMIK-ut Andy Sparks, nëse ishte normale që në listat zgjedhore të gjenden edhe dy anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët janë nën hetime për korrupsion dhe vrasje.

Shkrimi i Sebahate Shalës u hoq nga faqja e agjencisë

Përgjigja e zotit Sparks ishte se kjo nuk është e mirë për imazhin e Kosovës. Pikërisht këtë përgjigje gazetarja Sebahate Shala e kishte publikuar në agjencinë e lajmeve Kosovapress duke përmendur edhe emrat e dy zyrtarëve të lartë të PDK-së, që po hetohen nga misioni EULEX. Gazetarja Sebahate Shala, i tha radios Deutsche Welle, se artikulli i saj vetëm disa orë pas publikimit është hequr nga faqja e agjencisë dhe ajo më vonë ka marrë disa mesazhe që ajo i cilëson kërcënuese.

Reporter ohne Grenzen Logo

Reporterë pa kufij

Shala: “Kanë qenë disa mesazhe që thonë se pyetja ime ka qenë antikombëtare dhe tendencioze. Ki kujdes dhe presim reagim pozitiv nga ti. Më vonë unë kam pasur edhe katër thirrje anonime dhe pas kësaj unë jam detyruar ta mbyll telefonin”, thotë Sebahate Shala, që nuk specifikon emra se nga kush ka marë mesazhe kërcënuese.

Partia Demokratike pohon se nuk ka dijeni për kërcënime!

Ndërkohë, zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës që përmendet në reagimin e "Reporterëve pa kufij" dhe ku kërkohet që kjo parti publikisht të dënojë kërcënimin ndaj gazetares, thonë se ata nuk janë në dijeni të ndonjë kërcënimi. Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, thotë për Deutsche Welle-n se kjo parti megjithatë dënon çdo kërcënim ndaj gazetarëve dhe vazhdimisht angazhohet për lirinë e mendimit dhe fjalën e lirë. Stavileci: “Ka raste kur gazetarët për arsye të ndryshme që ndoshta shpeshherë mund të jenë të natyrës subjektive mund të deklarojnë edhe diçka të kundërt, megjithatë, ne u mbetemi besnik vetëm fakteve dhe argumenteve dhe sa herë që faktet dhe argumentat janë në anën e atyre që kanë të drejtë, atëherë në padyshim se jemi përkrah këtyre njerëzve dhe këtyre personave”.

Gazetarë gjatë punës, pamje simbolike

Gazetarë gjatë punës, pamje simbolike

Kosovapress ndjehet e keqtrajtuar

Organizata "Reporterët pa kufij" kritikon dhe agjencinë e lajmeve Kosovapress për trajtimin që i është bërë gazetares Sebahate Shala duke kërkuar solidaritet të detyruar për gazetaren. Por kryeredaktori i kësaj agjencie, Fadil Bajraktari, i tha DW-së, se reagimi i "Reporterëve pa kufij" ishte i ashpër dhe jo i saktë.

Bajraktari: “Solidariteti është një prej parimeve kryesore që agjencia Kosovapress e ka respektuar ndaj gazetarëve të vet, kur ata janë kërcënuar. Sebahate Shala nuk na ka njoftuar ne se ka marrë mesazhe kërcënuese, sepse po të na kishte njoftuar ne kishim reaguar edhe në përputhje me masat ligjore. Sebahatja vetëm na ka njoftuar se largohet nga puna dhe tërë kjo ngjarje ka ndodhur 24 orë pas botimit të reagimit të zëvëndësshefit të EULEX-it”.


Sebahate Shala, nga ana e saj thotë se është detyruar të largohet nga puna sepse nga agjencia e lajmeve është hequr shkrimi i saj bazë, ndërsa është publikuar vetëm reagimi i zotit Sparks. Ajo thotë se heqja e artikullit të saj nga faqja zyrtare e agjencisë Kosovapress, nënkupton ndërhyrje të drejpërdrejtë të pushtetit mbi agjencinë dhe paaftësi të agjencisë për ta mbrojtur artikullin e publikuar. Në raportin vjetor të "Reporterëve pa kufij" Kosova u radhit në vendin e 92 për shkallën e lirisë së mediave. Në vitin 2009, Kosova ishte radhitur në vendin e 75.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 19.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QDLP
  • Data 19.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QDLP