1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Thirrja e fundit për Europën!"

Politika në Shqipëri, një takim kulturor në Tiranë e dëbimi i vajzës rome nga Franca në Kosovë. Shtypi gjerman i së martës i kushton vëmendje Shqipërisë e Kosovës.

Në artikullin e gazetës gjermane "Süddeutsche Zeitung" me titull "Barra e Shqipërisë" autori fokusohet tek përpjekjet e Shqipërisë për marrjen zyrtarisht të statusit kandidat në BE. Nga mesi i shtatorit në pushtet ka ardhur qeveria e kryeministrit Rama...Tre milionë shqiptarët shpresojnë që ai të bëjë realitet premtimin për krijimin e së paku një pjese të 300.000 vendeve të punës, në njërin nga vendet më të varfra të Europës. Nëse Tirana do të ketë rrugën e hapur për t'u bërë pjesë e BE-së, kjo varet nga lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar... Por edhe nën Edi Ramën nuk dëgjohen më zërat për trajtimin e çështjeve të shkuara korruptive. Qeveria e re parashikon të jetë një qeveri antikorrupsioni, Shqipëria synon të ndërtojë një shtet të modernizuar. Gazeta "Süddeutsche Zeitung" citon kryeministrin Rama: "Po qe se ne dërgojmë 50 nëpunës shqiptarë ne Gjermani, ata nuk do të kërkonin atje ryshfete, sepse kjo është e pamundur, por po qe se sjellim 50 nëpunës gjermanë në Shqipëri, nuk jam i sigurtë, nëse ata nuk do të korruptoheshin. Ne duhet të ndryshojmë sistemin."

Leonarda vë në pozitë të vështirë presidentin francez

Ndërsa gazeta gjermane "Die Welt" i kushton vëmendje debatit në Francë pas dëbimit të një nxënëseje rome nga Kosova, Leonardës, e cila u mor nga policia gjatë një ekskursioni shkollor. Nën titullin "Monsieur Hollande mes fronteve", gazeta shkruan se dëbimi i vajzës rome është kthyer në dështim për presidentin. "Deri të premten e shkuar François Hollande ishte një president me kuotë të ulët popullariteti. Nga fundjava popullariteti i tij në Francë është ulur edhe më shumë. Me përpjekjen e tij për të kënaqur të gjithë, ai i ka ngritur të gjithë kundër presidentit....Hollande u përpoq të gjente një rrugë të mesme mes fronteve. Vendimi për ta ktyher vajzën rome pas refuzimit të së drejtës së azilimit ishte korrekt nga ana formale, tha presidenti, duke marrë në mbrojtje edhe ministrin e tij të Brendshëm, Manuel Valls. Por autoriteteve u ka munguar sensibiliteti në këtë çështje."

"Neue Zürcher Zeitung" i kushton vëmendje dënimit të një kosovari 33 vjeçar, sepse ai kishte punësuar tre vetë në të zezë në një kantier ndërtimi për ngritjen e spitalit të qytetit Triemli. "Ai ishte drejtor i një firme pllakash dhe një pronar i vetëm i një filiali, që kishte marrë porosinë nga një firmë amë ndërtimi për të bërë punime pllakash në ndërtesën e re të spitalit të qytetit, Triemli." Gazeta nënvizon se pronari nga Kosova kishte punësuar përmes lidhjeve me një firmë tjetër dy kroatë dhe një kosovar në të zezë. "Nuk e dija që punëtorët nuk i kishin letrat", është mbrojtur kosovari, shkruan gazeta. " I akuzuari pranoi gabimin dhe dënimin e prokurorisë. Por ky person kishte qenë më parë i dënuar disa herë." Gazeta i kushton vëmendje rihapjes së delikteve të vjetra të 33 vjeçarit nga Kosova.

Kultura si element lidhës

Ndërsa gazeta "Süddeustche Zeitung" i kushton vëmendje edhe kulturës në Shqipëri e pikërisht takimit të letërsive mesdhetare në Tiranë të zhvilluar në fillim të tetorit. Nën titullin "Thirrja e fundit për Europën" gazeta shkruan se ky është takimi i dytë jashtë Gjermanisë në një udhëtim letrar përreth Mesdheut me titullin "Deti i Bardhë". "I financuar nga fondacionii kulturor "Allianz" dhe Literarisches Colloquim Berlin, nën patronazhin e ish-së ngarkuarës federale për kulturën, Christina Weiss, projekti "Deti i Bardhë", shpreh e thekson përbashkësinë kulturore edhe me anën tjetër të bregut të detit, kërkon lidhje aty, ku Europa e të fuqishmëve dhe të pasurve, si kurrë më parë në histori, ka ngritur kufijtë."