1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Thellohen hendeku mes qeverisë së Kosovës dhe listës "Srpska"

Lista “Srpska”, vazhdon të bojkotojë institucionet e Kosovës. Shkarkimi i një ministri serb nga kryeministri Isa Mustafa, ka thelluar hendekun ndërmjet përfaqësuesve të serbëve dhe qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës dhe lista "Srpska”, që përfaqëson shumicën e serbëve të Kosovës, nuk duket se po tejkalojnë hendekun e krijuar ndërmjet vete, që nga vendimi i përfaqësuesve të serbëve që të ngrijnë marrëdhëniet me qeverinë dhe institucionet. Vendimi i fundit i kryeministrit Isa Mustafa, që ta shkarkojë nga detyra ministrin serb Ljubomir Mariq, ka tensionuar situatën ndërmjet listës "Srpska" dhe partnerëve të saj të koalicionit, PDK dhe LDK. Kryeministri Mustafa, në njoftimin e tij, thotë "ai ka marrë vendim për shkarkimin e Ljubomir Mariqit nga detyra e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal. Në vend të tij ka emruar Mirjana Jevtiqin, e cila deri më tani ka qenë zëvendësministre e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Mustafa nuk ka bërë të ditur shkaqet e shkarkimit. Por, këto vendime sipas tij, janë marrë me propozimin dhe në konsultim me përfaqësuesit e listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.

Përfaqësuesve të listës "Srpska”, thotë të kundërtën. "Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa do të duhet të bëjë të ditur se në çfarë baze ka vendosur për të hequr një prej ministrave tanë dhe emërimin e një tjetri dhe pse administrata e tij po mashtron publikun se ajo është bërë në pajtim me listën Serbe. Serbët në Kosovë na kanë dhënë besimin në zgjedhje dhe ne do t'i mbrojmë interesat e tyre dhe do t'i mbrojmë ata prej dhunës së çfarëdo forme. Ajo që bëri Isa Mustafa është një akt i dhunës, i cili nuk do të mbetet pa përgjigjen tonë,” thuhet në reagimin e listës "Srpska". Përfaqësuesit e kësja liste i kanë bërë thirrje ministres së re Mirjana Jevtiq, që mos ta ushtrojë këtë funksion.

Kosovo - Premierminister Isa Mustafa (DW/B. Shehu)

Isa Mustafa

"Hidhet benzinë në zjarr"

Edhe zëvendëskryeministri serb në qeverinë e Kosovës, Branimir Stojanoviq, ka thënë se shkarkimi i ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ljubomir Mariq, nuk është bërë në pajtim me listën Serbe dhe se ky veprim i kryeministrit Isa Mustafa është "hedhje e benzinës në zjarr”. Mirëpo, Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, njëherësh zëvendësministër i Pushtetit Lokal, i tha DW-së, se "koalicioni nuk do të rrezikohet pas skarkimit të ministrit Mariq, sepse shkarkimi është bërë në konsultim me listën Serbe”.

Qeveria e Kosovës përbëhet nga koalicioni LDK, PDK dhe lista "Srpska". Përfaqësuesit e komunitetit serb janë pjesë e qeverisë së Kosovës, sepse atyre u garantohet pjesmarrja në institucione me Kushtetutën e Kosovës. Mediet në Prishtinë shkruajnë se kryeministri Isa Mustafa e shkarkoi nga detyra ministrin Mariq, pasi ai mori pjesë në disa aktivitete në pjesën veriore të Kosovës në ditën kur ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i kishte ndaluar hyrjen në Kosovë Marko Gjuriqit. Drejtori për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, perdori rrugë ilegale pë të hyrë në Kosovë dhe së bashku me ministrin Mariq u pa në aktivitete në pjesën veriore të Kosovës.

Ministri serb nuk respekton qeverinë

Branimir Stojanovic stellvertr. Ministerpräsident Kosovo Prostina (DW/B. Cani)

Branimir Stojanoviq

Deputeti i LDK-së që vjen nga rajoni i Mitrovicës, Sadri Ferati, thotë se përfaqësuesit e listës "Srpska", duhet të respektojnë institucionet e Kosovës dhe ata duhet të qëndrojnë në anën e qeverisë së Kosovs dhe jo të delegacioneve nga Serbia.  "Shpesh e kemi pasur rastin që autoritetet e Kosovës që janë përzgjedhur me ligjet e Kosovës të qëndrojnë në anën e delegacionit serb. Ne nuk kemi qenë kundër bashkëpunimit të tyre, por ka një kufi. Ai duhet ta di se clin institucion përfaqëson. Është e papranueshme që një ministër i Kosovës të ndihmojë që në vend të futet ilegalisht një person, të cilin i është ndaluar hyrja në Kosovë", thotë Ferati.

Mustafa po i shfrytëzon përçarjet

Analisti Ymer Mushkolaj hotë për DW-së se kryeministri Mustafa, po përpiqet që një pjesë të deputetëve të listës "Srpska”, ta bindë që të kthehen në institucione. "Lista Serbe tashmë është e përçarë dhe këtë situatë e shfrytëzoi kryeministri Isa Mustafa, kur shkarkoi ministrin Ljubomir Mariq. Mustafa e bëri këtë në marrëveshje me një pjesë të listës Serbe, pjesë që i takon edhe ministrja e re Mirjana Joviq. Mustafa po përpiqet që të paktën një pjese të deputetëve të këtij subjekti politik t'ua mbushë mendjen që të mos i bojkotojnë institucionet, në mënyrë që disa procese të çohen përpara”, thotë Ymër Mushkolaj.

Ymer Mushkolaj Politik-Experte im Kosovo im Interview mit der (DW/B.Shehu)

Ymer Mushkolaj

Sipas tij, qeveria në Prishtinë duhet të gjejë rrugë të bashkëpunoi me përfaqësuesit e serbëve, sepse votimi i dyfisht që ua garanton Kushtetuta serbëve, mund t'i shkaktojë kokçarje të mëdha qeverisë së Kosovës. "Nëse lista Serbe vazhdon bojkotin, atëherë do të jetë shumë problematike marrja e vendimeve që kërkojnë shumicë të dyfishtë në Kuvend. Lista Serbe, varësisht nga instruksionet e Beogradit, mund të vazhdojë së kushtëzuari kthimin në institucione. Por partnerët shqiptarë të koalicionit duhet të gjejnë zgjidhje kreative, në mënyrë që puna e institucioneve të mos bllokohet”, thotë Ymer Mushkolaj.

Lista "Srpska”, ka bojkotuar institucionet e Kosovës qysh në kohën kur qeveria e Kosovës provoi që me ligj ta kaloi marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Serbët bojkotuan parlamentin duke thënë se kryeministri Isa Mustafa, fare nuk është konsultuar me ta. Ata vazhdojnë të kërkojnë që qeveria të nisë hartimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, si pjesë e marrëveshjes nga dialogu Kosovë-Serbi. Mirëpo, qeveria e Kosovës tashmë disa herë është deklaruar se asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të krijohet vetëm atëherë kur në Kosovë të jenë shuar të gjitha strukturat paralele të Serbisë, e disa nga të cilat akoma funksionojnë në Kosovë.