1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Thaçi: Rritja e pagave mund të bëhet me një vendim të veçantë të qeverisë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se Kosova do t'i bëjë të gjitha adaptimet kushtetuese dhe ligjore të nevojshme që kërkohen në raport me funksionimin e Gjykatës Speciale.

DW: Zoti Thaçi, megjithëse me vonesë, institucionet e reja të Kosovës u krijuan, pas koalicionit të partisë, që ju drejtoni PDK me LDK-në. Sa jeni i bindur në qëndrueshmërinë e këtij koalicioni, nëse kemi parasysh faktin që të dy partitë kanë shkëmbyer akuza të renda ndaj njëra - tjetrës?

Thaçi: Jo rrallë ndodh në politikë që rivalet politike apo rivalët politikë të arrijnë marrëveshje për të punuar bashkërisht për vendin, mendoj se kjo është një vlerë një standard dhe një kriter i ri në skenën politike kosovare, por duke marrë parasysh edhe përvojat e vendeve të tjera shpresoj dhe besoj në përgjegjësinë që është treguar në rastin e arritjes së kësaj marrëveshjeje ndërmjet partisë fituese të zgjedhjeve, PDK dhe LDK-së, duke përfshirë edhe pakicat, ka qenë zgjidhje e arsyeshme, racionale, do të jetë koalicion i qëndrueshëm me shpresë dhe besim efikas dhe efektiv edhe në punë.

DW: Në marrëveshjen me LDK-në, thuhet se ju do të jeni president i Kosovës në vitin 2016, kur edhe skadon mandati presidentes aktuale, çfarë garancishë keni për këtë?

Thaçi: Marrëveshja do të respektohet në tërësi. Ne në momentin që kemi vendosur për të ndërtuar këtë koalicion, kemi punuar në depersonalizimin dhe departizimin e këtij procesi, pra duke paguar çmim dhe duke treguar sakrificë politike në ndërtimin e institucioneve të vendit, për të fituar Kosova. Vlerësoj që ky përkushtim do të jetë reflektues për të gjithë, që të kemi qeverisje funksionale dhe që të kemi institucione kredibile dhe të respektuara si në nivel legjislativi por edhe në atë presidencial.

DW: Si i përgjigjeni kritikave të partive opozitare që thonë se qeveria e Kosovës ka dy kryeministra, duke aluduar në fuqinë tuaj politike brenda koalicionit qeveritar dhe për rrjedhojë ata thonë se ky koalicioni i shumicës absolute nuk është i mirë për vendin?

Thaçi: Kosovës i duhej një koalicion i shumicës, jo një koalicion i diskutueshëm qoftë në legjitimitet qytetar apo numra në parlament. Kosova ka pasur nevojë për stabilitet për qeverisje të qëndrueshme dhe kjo ndodhi. Ndërkaq, deklarimet e të tjerëve për të cilat pyesni, janë deklarime të pabazuara, të paargumentuara, të motivuara politikisht dhe pa asnjë racionalitet në kuptimin e plotë të fjalës.

DW: Me çfarë sfidash madhore do të përballet Kosova, meqenëse po thoni se Kosovës i është dashur një koalicion i një shumice të madhe me dy të tretat e deputetëve?

Thaçi: Unë kam besim se do të kemi rezultate të mira dhe konkrete. Tash po e aprovojmë buxhetin e vitit 2015 që do të jetë buxhet i rritjes së zhvillimit ekonomik, është buxheti më i lartë në historikun e Kosovës, do të jetë buxhet i rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve dhe i krijimit të vendeve të punës, në buxhet janë përfshirë edhe projektet më të rëndësishme infrastrukturore të vendit, ky buxhet do të ndikojë edhe në thellimin e reformave demokratike, qoftë në politikë, qoftë në ekonomi, qoftë në legjislacion dhe gjithashtu edhe sa i përket rritjes së pagave duhet kuptuar që kjo gjë mund të ndodhë me vendim të veçantë të qeverisë dhe nuk ka qenë e nevojshme dhe e domosdoshme të përfshihet në buxhetin e vitit 2015 dhe buxheti i vitit 2015 është produkt i situatës së krijuar pas zgjedhjeve të tetë qershorit, pra pas atij ngërçi të panevojshëm dhe torturues që iu bë qytetarëve të Kosovës me bllokadën.

DW: Zoti Thaçi, e përmendet buxhetin dhe rritjen e pagave, qeveria e tashme dhe kryeministri Isa Mustafa e bëri të qartë se nuk do të ketë rritje tjetër të pagave prej 25% nga janari i vitit të ardhshëm siç po kërkohet, ndërsa e potencoi disa herë që plani për shpërndarjen e buxhetit është bërë nga qeveria e mëparshme që e udhëhiqnit ju dhe tash për tash nuk ka ndryshim nga ai plan, e keni paraparë ju rritjen e pagave kur e keni bërë projektbuxhetin?

Thaçi: Unë si kryeministër i vendit i kam rritur pagat gjatë mandatit të parë, i kam rritur pagat dy herë gjatë mandatit të dytë në fillim të vitit 2011 me vendim të veçantë të qeverisë dhe po ashtu në maj të këtij viti gjithashtu me vendim të veçantë të qeverisë, kështu që rendi do ta dëshironte që rritja të ishte e përfshirë në buxhet, por rritja mund të ndodhë edhe me vendime të veçanta të qeverisë. Tash jemi në fillim të qeverisë duhet të koordinohemi, të bashkërendojmë angazhimet dhe vendimet, të cilat nuk do të mungojnë, për rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve.

DW: Çfarë u thoni atyre që po kërkojnë rritjen e pagave, sindikatat kanë paralajmëruar edhe protesta?

Thaçi: Mendoj se ata që e bllokuan Kosovën për gjashtë muaj, duhet të mendojnë thellë që e kanë dëmtuar edhe buxhetin, edhe ekonominë edhe politikën, edhe diplomacinë edhe progresin e përgjithshëm në Kosovë, prandaj, tash duhet të ballafaqohemi megjithë atë vonesë pasojash për të stabilizuar gjendjen dhe hapur perspektivën.

DW: Zoti Thaçi, këto ditë kemi parë një rritje të numrit të personave që po migrojnë jashtë vendit, në mungese të siç thuhet të perspektivës në Kosovë, ku qëndron problemi pse po ikin njerëzit nga Kosova dhe si duhet vepruar në mënyrë që të ndalet migrimi?

Thaçi: Kosova kurrë nuk ka qenë në një pozitë më të mirë në një pozitë të përsketivës më të qëndrueshme dhe më të mirë për qytetarët e vendit, po ndodh një mashtrim ndaj qytetarëve. Ftesa ime është që njerëzit të rrinë në shtëpitë e tyre, të punojmë bashkërisht për krijimin e vendeve të reja të punës të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët në vendin tonë. Ëndrra për mirëqenie jashtë vendit nuk mund të realizohet, asnjë vend nuk ofron strehim për qytetarët e Kosovës, ne do të punojmë për krijimin e kushteve që qytetarët të jetojnë mirë dhe krenarë në vendin e tyre, në Kosovën e re, në Kosovën e pavarur, zhvillimore dhe në Kosovën evropiane.

DW: Një ndër sfidat e para të kësaj qeverie dhe legjislature është përshtatja e ligjeve të Kosovës për të mundësuar funksionimin e Gjykatës Speciale, do t'i ofroni bashkëpunim kësaj gjykate?

Thaçi: Kosova do t'i kryejë obligimet e veta karshi Bashkësisë Ndërkombëtare, do t'i bëjë të gjitha adaptimet kushtetuese dhe ligjore të nevojshme.

DW: Në qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa, pos jush nuk ka ndonjë ministër që vjen nga ish-strukturat e UÇK-së, është kjo e qëllimshme apo, është çështje e përzgjedhjes së profesionistëve që të udhëheqin me dikasteret qeveritare?

Thaçi: Ne jetojmë në vitin 2014, tash e kemi pluralizmin politik në përcaktimin e njerëzve me përgjegjësi në resorët ministrorë, do të thotë edhe në legjislativ dhe në ekzekutiv, nuk është shikuar shumë e kaluara sa është shikuar angazhimi aktual dhe vizioni për të ardhmen.

DW: Ju sapo jeni kthyer nga një vizitë në Bruksel, ku takuat shefen e re të diplomacisë evropiane, e cila tha se takimi i radhës në nivel kryeministrash të Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm, ju në cilësinë e kryeministrit të kaluar keni udhëhequr dialogun, mendoni se duhet ndërruar qasja në dialogun me Serbinë, për faktin që nuk ka zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tash?

Thaçi: Mendoj se takimet e nivelit të lartë politik duhet vazhduar që të ndodhin. Një gjë të tillë e kam diskutuar edhe me shefen e diplomacisë evropiane dhe komisionerin Khan, shpresoj që në fillim të shkurtit do të ndodhë takimi i nivelit më të lartë politik ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, temat do të jenë ato që tashmë dihen për opinionin publik, do të ndodhin marrëveshje të reja, por fokusi do të vazhdojë të mbetet implementimi në tërësi i marrëveshjes së mëhershme.

DW: Zoti Thaçi, në mediat e rajonit dhe ato ndërkombëtare vazhdimisht shkruhet që është qeveria gjermane ajo e cila zëshëm ka vendosur kushte për Serbinë që të zbatojë në tërësi marrëveshjen e 19 prillit si kusht për hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në, mund të cilësohet ky kusht i Gjermanisë për Serbinë si udhërrëfyes edhe i qeverisë së Kosovës në raport me dialogun me Serbinë?

Thaçi: Në implementimin e marrëveshjes së Brukselit janë të përfshira shumica e pikave për të cilat ju po flitni. Është kusht edhe për qeverinë e Kosovës edhe për qeverinë e Serbisë për të vazhduar të ardhmen evropiane. Pa normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, nuk do të ketë të ardhme evropiane as për Serbinë e as për Kosovën. Sa më shpejt që ne i kryejmë obligimet tona si Kosovë aq me afër do të jemi me Bashkimin Evropian. Sa më tepër që Serbia vonohet si është duke u vonuar në zbatim të marrëveshjes, po aq më larg do të jetë nga Brukseli, prandaj edhe në takimin e fundit që e kam zhvilluar me kryeministrin Vuçiq në Nju Jork, shoh një vullnet për një dinamikë për implementimin e procesit edhe prej tyre.

DW: Lista Serpska tashmë është pjesë e qeverisë së Kosovës, mirëpo, ata vazhdimisht po e potencojnë se për çdo gjë do të konsultohen me qeverinë në Beograd, mund të funksionojë kështu?

Thaçi: Ne nuk mund tua mohojmë serbëve qytetarë të Republikës së Kosovës bashkëpunimin me autoritetet e Beogradit, konsultimet me ta, tek e fundit interesimi i Beogradit për serbët e Kosovës është legjitim, komuniteti gjithkund në rajon komunikon me shtetet përkatëse, por sot Lista Serpska ka pranuar që të respektojë Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës, kanë marrë pjesë edhe në zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme duke respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe tash janë pjesë e parlamentit, qeverisë së Kosovës dhe do të punojmë bashkërisht për të ardhmen e përbashkët evropiane në Kosovë.

DW: Zoti Thaçi, mund të ketë problem me Listën Serpska në formimin e ushtrisë së Kosovës, e cila pa votën e tyre nuk mund të formohet?

Thaçi: Nuk dua të besoj se do të ndodhin vështirësi apo pengesa të patejkalueshme, do të ketë dialog i brendshëm, do të arrihet qartësi e nevojshme edhe në mes nesh por edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare, por dua ta potencoj se ushtria e Kosovës do të formohet.