1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Thaçi: Në Kosovë është krijuar ambient komod për investimet e huaja

Intervistë me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi pas pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik për Kosovën që u zhvillua në Vjenë.

Hashim Thaçi morri pjesë në Forumin Ekonomik për Kosovën që u zhvillua në Vjenë.

Hashim Thaçi morri pjesë në Forumin Ekonomik për Kosovën që u zhvillua në Vjenë.

Pyetje: Zoti Thaçi, Ju ishit i pranishëm në punimet e Forumit ekonomik për Kosovën këtu në Vjenë. Sipas jush, sa i rëndësishëm është ky aktivitet për ju si qeveri por edhe për qytetarët në Kosovë?

Hashim Thaçi: Ky forum është shumë i rëndësishëm për Kosovën, për faktin sepse në këtë forum në rradhë të parë u bë një prezantim i rrethanave të reja, të krijuara në Kosovë për investitorët e huaj, rrethana këto që i favorizojnë investuesit e huaj. Kosova është shtet i ri, por shtet i mundësisve të mëdha, i mundësive që unë vetë kam besim se mund të shfrytëzohen maksimalisht prej investitorëve të huaj, të fuqishëm, jo vetëm austriakë por edhe të tjerë nga Evropa e mbarë bota. Kosova ka resurse të fuqishme sidomos në fushën energjetike, në termocentrale apo hidrocentrale si dhe në atë solare. Po ashtu, sektori i minierave është me interes, sektori i agrokulturës, infrastriktura, autostradat si dhe qendra sportive e skijimit në Brozovicë. Të gjitha këto janë në rradhë të parë në interes të qytetarëve.

Deri në fund të nëntorit përfundon 38 kilometërshi i parë i autostradës nga kufiri me Shqipërinë në drejtim të Prishtinës, pra në drejtim të kufirit me Serbinë. Vitin e ardhshëm do të fillojë pjesa e autostradës nga Prishtina në drejtim të Shkupit Edhe në sektorin privat po punohet që të zhvillohet më shumë biznesi i vogël dhe i mesëm si dhe të hapen vende pune për të rinjtë, të rritet mirëqënja sociale e q1ytetarëve. Në Kosovë tashmë është krijuar një ambjent i sigurt, komod për investitorët e huaj.

Pyetje: Një nga prioritet që i ofron Kosova investitorëve të huaj sipas jush është fuqia punëtore e re. Kosva ka shumë të rinj por që kanë mbetur edhe pa punë. Si do ta zgjidhë qeveria juaj këtë problem që të rinjtë të kenë perspektivë afatgjatë në vendin e tyre?

Hashim Thaçi: Qeveria e Kosovës është duke punuar në këtë drejtim për reforma të thella në fushën e arsimit, po punohet që niveli i arsimit të jetë bashkëkohor sipas standarteve europiane. Ndoshta Koosva renditet më mirë se disa vende në këtë drejtim në rajon. Edhe njerëzit nga disapora kanë dhënë një kontribut të madh në këtë drejtim. Njerëzit që kanë studjuar në universitet më të njohura në botë janë kthyer në Kosovë duke u bërë pjesë e institucioneve. Ata po ndihmojnë në zhvillimin e biznesit. Aktualisht kemi një ndryshim gjeneratash, qeveria ka në përbërjen e saj mbi 70 për qind të saj njerëz të kualifikuar jashtë. Pra është një zevëndësim i gjeneratës së vjetër me atë më të re, moderne, perëndimore. Pra kemi njerëz të punës dhe të rezultateve konkrete.

Pyetje: Forumi zhvillohet në një kohë kur konfliktit në veri ka ngrirë dhe është kthyer në një mollë sherri për zhvillimet e mëtejshme në vend dhe rajon. A kemi të bëjmë këtu edhe me konflikte interesash ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë zoti Thaçi dhe jo vetëm çështje rendi dhe ligji?

Hashim Thaçi: Ne kemi ndërmarrë masa konkrete që dëshmojnë përkushtimin e institucioneve të Kosovës. Vendimi i 25 korrikut, për të marrë nën kontroll pikat kufitare me Serbinë 1 dhe 31; kanë qenë vendime të drejta sovrane të institucioneve tona. Sigurisht, që problemet nuk ishin të vogla dhe të lehta pasi për 12 vite ishin grumbulluar probleme të ndërlikuara me njëra-tjetrën. Por theksoj se kjo çështje është thjeshtë çështje rendi dhe ligji. Nuk është çështje politike, më 25 korrik ëndërra e Beogradit për ndarjen e Kosovës është shuar njëherë e përgjithmonë. Qytetarët në veri të Kosovës kanë qenë të manipuluar nga Beogradi, apo edhe të inspiruar nga për tu shkëputur nga Kosova. Ne si qeveri nuk jemi në konflikt me qytetarë serbë të veriut, ne duam të jemi afër tyre, të jemi prezent tek ata me investime, me projekte, me shkolla të reja, ambulanca, kanalizime e rrugë të reja.

Pyetje: Dhe pikërisht për të gjitha këto mendoni se krjimi i një ministrie do të arrinte t`i zgjidhte të gjitha këto probleme në veri?

Hashim Thaçi: Ka një vemendje dhe përkushtim më të madh nga institucionet e Kosovës. Mendoj, se duhet të punojmë më shumë që të gjejmë zgjidhje më efektive, më të praueshme, më fleksibël që të ofrojnë më shumë për qytetarin edhe në veri. Qeveria e Kosovës funksionon si një e tërë dhe është unike.

Pyetje: Nëse për të arritur një zgjidhje të këtij konflikti të ngrirë, të këtij ngërci politik që cënon të ardhmen e Kosovës dhe marrëdhënieve me Serbinë do të duhej të uleshit edhe me presidentin Tadiç në një tavolinë, do të ishit i gatshëm për ta bërë zoti Thaçi?

Hashim Thaçi: Mendoj për zgjidhjen e kësaj problematike tani është rendi dhe ligji, respektimi i plotë i dokumentit të presidentit Ahtisari, i respektimit të plotë të pikave dhe kushteve të prezantuara nga kancelarja Merkel për krijimin e ambjentit demokratik dhe të investimeve socialo-ekonomike. Ne jemi dy liderët më të votuar në dy vendet tona, presidenti Tadiç dhe unë. Natyrisht në interesin e dy shteteve, të dy popujve tonë, në interes të paqes, të stabilitetit të bashkëpunimit dhe të perspektivës euroatlantike, do të isha takuar me presidentin Tadiç, pasi ne jemi takuar edhe më herët. Çdo takim çdo bisedë, çdo dialog për interesa ndërshtetërore është në interesin e të gjithëve.

Pyetje: Zoti Thaçi, a ka korrupsion në Kosovë? Mediet gjermane e cilësojnë Kosovën si një vend ku vetëm plaçkitet?

Hashim Thaçi: Në Kosovë korrupsioni është në nivel më të ulët se vendet e tjera në rajon, por që luftohet edhe më së shumti në rajon. Dhe natyrisht se aty ku luftohet korrupsioni ka më shumë zhurmë ndërsa aty ku nuk luftohet ka heshtje ndaj këtij fenomeni. Ne përpiqemi dhe jemi të përcaktuar që të respektojmë moton tolerancë zero ndaj korruspionit dhe krimit të organizuar. Jemi duke punuar ngushtë me të gjitha autoritetet ndërkombëtare. Jemi të përcaktuar për vazhdimin e një qeverisje të mirë, të sundimit të ligjit, të trasparencës të konkurrencës së lirë e në të njëtën kohë të luftës pa kompromis ndaj korrupsionit dhe ndaj gjitha fenomeneve negative. Prandaj e theksoj se ndjehem tepër mirë me qeverisjen që kemi aktualisht. Kemi njerëz me përvojë me ide me vizion, që janë për një modernizim të shtetit të Kosovës. Sigurisht asnjë nuk është mbi ligjin dhe përgjegjësit janë individuale të secilit, por qeveria e Kosoëvs do të mbështesë dhe do t`i ndihmojë plotësisht të gjitha autoritetet e drejtësisë në punën e tyre për rend dhe ligj. Qeveria e mbështet fuqishëm përcaktimin për ndërtimin e Kosovës së re demokratike, të Kosovës Europiane.

Pyetje: Si qëndron puna me investitorët gjermanë në Kosovë zoti Thaçi, a kanë interes ata të investojnë në Kosovë?

Hashim Thaçi: Gjithë investitorët nga bota demokratike, veçanërisht investitorët gjermanë janë të mirëseardhur, janë të ftuar nga unë personalisht, janë shumë të mirëpritur në Kosovë sepse Kosova krijon mundësi që ata të kenë sukses në biznesin e tyre, pasi projektet e tyre sigurisht që janë serioze dhe shumë të rëndëisshme për Kosovën.

Pyetje: Në Kosovë ditë më parë mbërriti edhe prokurori ndërkombëtar që do të ndjekë hetimet lidhur me akuzat e ngritura nga ish eurodeputeti zvicerian, Dick Marty lidhur me tregtinë e organeve në kohën e luftës nga liderëte UCK-s. ku përmendej edhe emri i juaj. Tani që zoti Marty nuk ka imunitet, a do ta padisni atë?

Hashim Thaçi: Unë nuk do dëshiroja ta riaktualizoja këtë temë në kuptimin politik. Raporti është i motivuar politikisht. Unë i jap mbështetje të plotë drejtësisë për sqarimin e plotë të këtij raporti. Sepse Kosova e meriton që kjo barrë që i kanë vënë në kurriz t`i hiqet sa më shpejt, pra të lehtësohet nga kjo barrë e panevojshme dhe e padrejtë.

Pyetje: A është e ardhmja juaj vetëm si president apo kryeministër, nuk e shihni veten edhe si një lider në opozitë?

Hashim Thaçi: Unë po punoj me gjithë potencialin tim dhe energjinë time për t`i shërbyer të gjithë qytetarëve të vendit. Tani kam mandatin e dytë qeverisës, të cilin jam duke e realizuar me përkushtshmëri vizionin të cilin e kam prezantuar para qytetarëve të vendit. E kam fituar besimin e qytetarëve, platformën dhe vizionin që e kam shpalosur para tyre. Këtë kontratë me qytetarët unë nuk e prish me asnjë çmim dhe me asnjë rrethanë tjetër apo post tjetër. Unë do të vazhdoj të jem përgjegjës në angazhimet e mia, në realizimin e premtimeve të mia por të them të drejtën për të ardhmen pas dy viteve, se a do të kandidoj për kryeministër apo për president ende nuk kam menduar sepse jam i fokusuar në punën time aktuale. Ndërsa se kush do të jetë në opozitë e kush në qeveri atë do ta vendosë vullneti i qytetarëve të vendit. Unë kam besim të plotë në vullnetin e qytetareve për vizionin tonë i cili, është vizioni i Kosovës evropiane në zhvillim, i hapjes së vendeve të reja të punës, i Kosovës demokratike, i Kosovës europiane.

Intervistën e zhvilloi Mimoza Cika- Kelmendi

Redaktoi: Aida Cama