1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Thaçi: Marrëveshjet nuk tërhiqen, opozita të kërkojë falje

Protestat e kanë dëmtuar imazhin e Kosovës, por ne do të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve. Qytgetarët duhet të distancohen nga dhuna, thotë për DW ministri i Jashtëm dhe zv/kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Deutsche Welle: Zoti zëvendëskryeministër, cilat ishin rezultatet kryesore të takimit në Aspen Institut në Berlin, ku keni qenë së bashku me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor?

Hashim Thaçi: Ishte një diskutim shumë serioz për tema shumë të rëndësishme, një diskutim që mund të hapë një perspektivë për integrime më të shpejta evropiane të Ballkanit Perëndimor. Mund të them se ka pasur një mbështetje për Kosovën dhe rajonin tonë nga të gjithë pjesëmarrësit. Diskutimet në Aspen respektohen shumë edhe nga Gjermania dhe vendet e BE. Ne të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor jemi në një nivel të zbatimit të kritereve për përspektivën dhe integrimin në BE. Kjo ishte një mundësi shumë e mirë për të prezantuar gjendjen reale në vendet tona por edhe për të prezantuar agjendën, prioritetet dhe vizionin tonë integrues.

Zoti Thaçi, bota po përballet këto ditë më shumë se kurrë me dukurinë e terrorizmit ndërkombëtar. Ndërkohë që Kosova, nisur nga numri i banorëve, është një prej vendeve të para për nga numri i personave që kanë shkuar për të luftuar në Siri dhe Irak. Sa ëshë e rrezikuar vet Kosova nga terrorizmi?

Nuk mund të them që është ndër vendet e para, por as Kosova nuk ka mundur të ikë nga ky fenomen i rrezikshëm global. Kosova vazhdon të mbetet kampione në rajon, në luftën kundër ekstremizmit dhe fundamentalizmit islamik, gjë që është vlerësuar edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry. Ne do të vazhdojmë të jemi të pakompromis, me tolerancë zero, ndaj këtij fenomeni. Do të vazhdojmë të jemi pjesë e koalicionit global antiterrorit. Tashmë e kemi nxjerrë edhe legjilacionin e duhur dhe Kosova do të jetë shumë e vendosur në këtë luftë. Të gjitha institucionet tona janë të organizuara dhe mobilizuara për ta luftuar këtë të keqe, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Kjo betejë do të vazhdojë dhe natyrisht që do të jemi syçelë në mënyrë që të mos ndodhin sulme terroriste në Kosove apo në rajon.

Por ju në Kosovë po përballeni edhe me bllokadën e institucioneve, gjë që edhe më shumë mund ta cënojë gjendjen e sigurisë në vend. Deri kur do të vazhdojë kjo bllokadë dhe sa e ka dëmtuar kjo bllokadë imazhin e Kosovës, pasi Ju, si ministër i Jashtëm jeni edhe në kontakte të shpeshta me qarqet diplomatike?

Hashim Thaçi dhe Bahri Cani

Hashim Thaçi dhe Bahri Cani

Kosova ka ndërtuar një koalicion të qëndrueshëm dy partive të qendrës së djathtë. Sot kemi institucione stabile dhe kredibile. Jemi duke punuar me një efikasitet i cili vlerësohet nga qaytetarët e Kosovës dhe bashkësia ndërobmëtare. Për fat të keq, liderët opozitarë, disa prej tyre, janë duke vepruar dhunshëmn kundër këtij progresi dhe suksesi të Kosovës. Por pushteti nuk fitohet me armë, hekur, thika, gaz dhe gurë. Ai fitohet në kutitë e votimit, në proceset elektorale. Këto veprime të dhunshme të liderëve opozitarë janë duke e dëmtuar Kosovën, të sotmen dhe të ardhmen e qytetarëve të saj. Janë duke i krijuar një imazh të keq vendit tonë. Paralajmërimi për manifestime të tjera është mesazhi më i keq për shtetin tonë.

Këtë pikërisht desha t'ju pyes, sepse më 28 Nëntor, Ditën e Flamurit, kur shqiparët kanë emocione të fuqishme, në Prishtinë do të ketë protesta të reja. Keni frikë nga përshkallëzimi i situatës?

Dita e Flamurit është dita e krenarisë sonë kombëtare, e dinjitetit, unitetit dhe integritetit tonë kombëtar. Njëkohësisht është ditë e gëzimit, festës, kudo, te çdo qytetar dhe në çdo familje, në çdo cep ku jetojnë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë apo në diasporë. Gjithandej ka vetëm gëzim për këtë ditë. Por për fat të keq, disa individë, disa liderë të opozitës, po përpiqen që shqitparëve t'ua prishin këtë gëzim, këtë festë dhe dinjitet me paralajmërimet e tyre për protestat të dhunshme në sheshet e Prishtinës. Kjo thirrje për manifestime të dhunshme në qendër të Prishtinës, është thirrje ogurzezë dhe kobzezë për shtetin e Kosovës. Ata njerëz duhet t'i kërkojnë falje jo vetëm qytetarëve të Kosovës, por të gjithë shqitparëve, për këtë provokim që po bëjnë në këtë ditë të rëndësishme. Por i ftoj të gjithë shqiptarët kudo që janë që të festojnë dhe të distancohen fuqishëm prej këtyre keqpërdoruesve të festave kombëtare.

Zoti Thaçi, këto protesta po udhëhiqen nga dy prej bashkluftëtarëve tuaj të dikurshëm, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, të cilët thonë se janë të shqetësuar shumë për vendin. Cili është mesazhi juaj për dy bashkëluftëtarët e dikurshëm?

Vlerësim më të lartë për kontributin dhe sakrificën që e kanë bërë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Por këtu kemi dallime konceptuale, sepse unë jam përcaktuar për ndërtimin e shtetit, konsolidimin e shtetit, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë, ndërtimin e një shtetit ku respektohen ligjet, e drejta, rendi dhe rregulli. Ku duhet të ketë punësim dhe mirëqenie sociale. Askush nuk mund t'i referohet së kaluarës për të dëmtuar të sotmen dhe shtetin tonë të përbashkët, për të rrënuar demokracinë në vend.

Por këto ditë ka pasur informacione se ju mund të futeni në koalicion me ish - bashkluftëtërat tuaj. Sa reale janë paralajmërimet për ndryshime eventuale në qeverinë e Kosovës?

Koalicioni është jashtëzuakonisht stabil, jemi duke funskionuar shumë mirë dhe kemi një bashkëpunim të ngushtë. I kemi dy të tretat në parlament. Kemi institucione me legjitimitet të plotë qytetar, të dala nga zgjedhjet e lira, fair, transparente dhe demokratike, të pranuara prej të gjithë spektrit politik vendor dhe të vlerësuara lartë nga faktori ndëkombëtar. Nuk do të ketë zgjerim të koalicionit. E di që dy prej këtyre partive mezi presin që ta fusin krahun në ndonjë segment qeveritar. Por diçka e tillë nuk do të ndodhë. Nuk do të ketë zgjerim të koalicionit, nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në qershor të vitit 2018, siç parashikohet me Kushtetutë dhe ligje. Dhe partnerët e koalicionit sërish do të jenë fitues.

Nëse do të jenë fitues do të shihet në zgjedhje, por opozita ka kërkuar tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nga marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Do t'i tërhiqni nënshkrimet?

Të dyja këto janë marrëveshje ndërkobmëtare, marrëveshje për të cilat kemi konsultuar edhe ekspertët juridikë. Marrëveshjet janë në përputhje me kornizat tona kushtetuese dhe ligjore. Çështja e asociacionit është dërguar nga presidentja, me vullnetin dhe mbështetjen tonë të plotë, në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim të kushtetueshmërisë. Ne do të presim vlerësimet e Gjykatës dhe çdo opinion i Gjykatës do të respektohet. Ndërsa sa i përket marrëveshjes për demarkacionin, do të punohet edhe me ekspertë ndërkombëtarë evropianë dhe amerikanë, për të shikuar deri në milimetër të gjitha gjërat që po diskutohen. Por këto marrëveshje nuk do të tërhiqen. Marrëveshjet mund të ristudiohen nga ekspertë vendas dhe ndërkobmëtarë, deri në nivel arbitrazhi ndërkombëtar. Por ne nuk mund të sillemi joseriozisht. Ne besojmë se kemi pasur të drejtë për atë që kemi nënshkruar dhe do të vazhdojmë si shtet të implementojmë marrëveshjet shtetërore, të nënshkruara në Bruksel. Unë besoj se opozita duhet të tërhiqet. Nuk janë të rreziksme marrëveshjet e shtetit të Kosovës me BE, të nënshkruara me përkrahjen e SHBA. Të rrezikshme për Kosovën janë dhuna, thikat, armët dhe gurët që po përdor opozita.

Do të thotë: nëse Gjykata Kushtetuese e shpall jokushtetuese marrëveshjen për asociacionin, ju jeni të gatshëm ta rinegocioni këtë me palën serbe?

Unë nuk mund të prejudikoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ne do ta respektojmë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë ne besojmë se marrëveshja e nënshkruar në Bruksel është e drejtë dhe në suaza kushtetuese dhe ligjore.

Ju në Berlin jeni takuar edhe me homologun tuaj Ivica Daçiq, me të cilin si kryeministra keni nënshkruar më 2013 Marrëveshjen e Brukselit. Si ishte atmosfera në këtë takim, në veçanti pas fushatës serbe kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe sa real është vazhdimi i dialogut me Serbinë në këto kushte?

Ne kemi qenë në një takim të përbashkët por nuk kemi pasur takim bilateral. Serbia e ka dëmtuar atmosferën konstruktive me fushatën e saj kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Por ne do të vazhdojmë me përpjekjet tona. Ne jemi vend sovran dhe nuk do të bëjmë dialog me Serbinë për të drejtat tona dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndëkombëtare. Ne jemi vend i pavarur dhe vendimet do t'i marrim vet.

Domethënë, Ju prisni vazhdimin e dialogut, por për çështje të tjera?

Dialogu është rruga e vetme për t'i zgjidhur problemet. Por natyrisht që duhet pasur kujdes që ky proces të mos shndërrohet në një proces joefikas. Unë shpresoj që zonja Mogherini, me mbështetjen e SHBA, do ta vazhdojë këtë proces për normalizimin e raporteve mes shteteve të Kosovës dhe Serbisë.