1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Thaçi: Kosova është e orientuar nga Perëndimi dhe integrimi kalon përmes Uashingtonit dhe Brukselit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kundërshton mundësinë e ngrirjes së procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës kritikohet nga opozita për mungesë lobimi për pavarësinë në vendet arabe

Parlamenti në Prishtinë

Parlamenti në Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se rruga e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, kalon nëpërmes Brukselit dhe Washingtonit dhe jo nëpërmes adresave të dyshuara. Kështu i përgjigjet kryeministri, Thaçi, shumë kritikave që iu bënë qeverisë për mungesë lobimi në vendet e botës arabe për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në konferencën ndërkombëtare që u zhvillua në Prishtinë, me temën "Kosova dhe bota arabe", intelektual të shumtë nga vendet e botës arabe, por edhe nga Kosova, thanë se Kosova realisht nuk po zhvillon politikë të jashtme të mirëfilltë dhe kjo është njëra ndër arsyet se pse vendet e botës arabe akoma nuk e kanë njohur pavërësinë e Kosovës.

"Gjithmonë në jetën time kam qenë optimist për Kosovën dhe jam super optimist për të ardhmen e vendit tonë për t’u integruar në NATO dhe BE . Për të ardhmen e Kosovës nuk do të ketë ngrirje, por do të ketë vetëm optimizëm dhe perspektivë integruese dhe zhvillim ekonomik", thotë kryeministri Thaçi. Njëri ndër më të zëshmit, që kritikoi qeverinë për mungesë lobimi për pavarësinë e Kosovës në vendet arabe, ishte publicisti Veton Surroi. Ai thotë se në procesin e njohjes së pavarësisë nuk duhet anashkaluar bota arabe.

"Kosova i përket në formë të natyrshme Perëndimit, por ajo përkatësi nuk e mohon e as përjashton influencën e islamit, që ka lënë mbresa në vendin tonë", thotë Surroi.

Por kryeministri, Hashim Thaçi, thotë se Kosova është e orientuar nga Perëndimi.

" Kosova ka vizion të qartë dhe rruga e Kosovës kalon përmes Uashingtonit dhe Brukselit, e jo përmes adresave të dyshuara", deklaroi Thaçi.

Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur deri tani 46 vende të botës, shumica nga Perëndimi. Pavarësia është njohur edhe nga 6 vende pjesëmarrëse aktive në konferencën islamike, por atë nuk e ka njohur asnjë vend nga bota arabe. Janë 57 shtete të konferencës islamike dhe që të gjitha anëtare të OKB-së. Sipas analistëve, Kosovës në këtë fazë i nevojitet një numër sa më i madh i vendeve që njohin pavarësinë e saj, në mënyrë që në të ardhmen të mund të jetë më lehtë anëtare e OKB-së.

  • Data 26.08.2008
  • Autor Bekim Shehu/Prishtinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F58S
  • Data 26.08.2008
  • Autor Bekim Shehu/Prishtinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F58S