1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Thaçi e Daçiq, takohen të martën në Bruksel

Çështja e logos së Republikës së Kosovës në fletëvotime nuk do të diskutohet në Bruksel, thotë Thaçi. Kryeministri kosovar u bëri thirrje serbëve të veriut të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq, takohen të martën me 27.08. serish në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së arritur me 19 prill. Telekomunikacioni dhe Energjia, janë zyrtarisht temat e paralajmëruara për diskutim. Para nisjes për në Bruksel, kryeministri Hashim Thaçi, u shpreh optimist që marrëveshja për Energjinë dhe Telekomunikacionin, do të arrihet në takimin e 27 gushtit.

Temë debati në mediat kosovare por edhe te ato në Serbi tash e disa ditë është çështja e perdorimit të “logos se Republikës së Kosovës”, në fletëvotimet për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 3 nëntor të këtij viti.

Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq, ka thënë se “nëse në fletvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit perdoren simbolet e Republikës së Kosovës, atëherë ai nuk do t'i thërret serbët për pjesëmarrje në zgjedhje”.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha në një mbledhje të qeverisë se çështja e logos në fletëvotime, nuk do të diskutohet në takimin e 27 gushtit. “Sa i përket zhurmës që është bërë për logo, Qeveria e Kosovës, delegacioni i Kosovës, nuk e ka ndonjë mandat sa i përket kësaj çështje. Kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe është në autoritetin e plotë të Komisionit Qendror Zgjedhor të Republikës së Kosovës, ku janë të përfaqësuara të gjitha partitë politike. Kështu që, kjo çështje nuk shtrohet për diskutim në Bruksel dhe nuk është as në autoritetin e Qeverisë së Kosovës që të merr ndonjë vendim”, tha sot kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri Thaçi, tha se në Bruksel me homologun e tij serb Daçiq, do të diskutojnë për zgjedhjet e tre nëntorit, ndërsa inkurajoi serbët që të marrin pjesë në to. “Sa i përket zgjedhjeve, ne do të diskutojmë që edhe Serbia t'i inkurajojë serbët për pjesëmarrje në zgjedhje. Dhe në të njejtën kohë, përsëri, megjithëse janë bërë të shpeshta, por nuk do të ndalemi së inkurajuari serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje, që ata të respektojnë afatin e rregullt kohor për regjistrimin e partive politike, lëvizjeve qytetare apo kandidatëve të pavarur” tha kryeministri Thaçi.

Sidoqoftë serbët e veriut të Kosovës megjithë dakordimin e qeverisë në Beograd, akoma vazhdojnë të shprehen kundër pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit ku për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë do të mbahen edhe në veri të Kosovës.