1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Thaçi dhe Berisha: Shqipëria dhe Kosova - faktorë stabiliteti dhe zhvillimi në rajon

Të dyja qeveritë 'do të konsiderojnë mundësinë e ndërtimit të një termocentrali të përbashkët'. Dy kryeministrat shprehën angazhimin e tyre për "të shkrirë barrierat e lidhjeve të komunikimit rrugor dhe ajror"

Dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Tiranë

Dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Tiranë

Konkretizim i bisedimeve mes kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha dhe homologut te tij Hashim Thaçi ishte nënshkrimi i një memorandumi bashkëpunimi mes dy vendeve. Ky memorandum garanton një proces kooperimi gjithëpërfshirës, për të arritur standardet e duhura për integrimin në NATO dhe në BE. Dy kryeministrat u shprehën për angazhim të thellë për të bashkëpunuar në luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, duke e vlerësuar këtë "si një imperativ madhor për jetën e qytetarëve të të dy vendeve, por edhe si një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme për imazhin ndërkombëtar të dy vendeve". Kryeministri Berisha u shpreh në një konferencë shtypi pas bisedimeve se "Shqipëria dhe Kosova duhet t'i faktojnë vendeve fqinjë dhe mbarë botës se toleranca ndaj krimit të organizuar do të jetë zero".

Delegacionet e të dy vendeve duke vlerësuar energjinë si përparësi madhore, ranë dakord për të bashkëpunuar ngushtësisht në sektorin energjetik, në mënyrë që t’i jepet përgjigja më e mirë problemeve që ekzistojnë, duke qenë se të dy vendet kanë rezerva kolosale për t’u bërë eksportues energjie. Në këtë kuadër të dy qeveritë "do të konsiderojnë mundësinë e ndërtimit të një termocentrali të përbashkët".

Gjate bisedimeve dy kryeministrat shprehën angazhimin e tyre për "të shkrirë barrierat e lidhjeve të komunikimit rrugor dhe ajror, në interesin më të mirë të një zhvillimi të shpejtë të të dy vendeve". Në këtë kuadër Shqipëria do ti ofrojë Kosovës, të gjitha lehtësirat portuale. Projektet në infrastrukturën hekurudhore u vlerësuan si një zhvillim shumë i rëndësishëm për transportin në tërësi, si të pasagjerëve, mallrave, etj. Fushë tjetër e rëndësishme bashkëpunimi do të jetë fusha e arsimit dhe kulturës, per te cilat Kryeministri Berisha u shpreh se "duhet ti prijnë bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve".

Kryeministri i Kosovës Thaçi ka falënderuar homologun Berisha "për mbështetjen dhe lehtësirat që qeveria shqiptare ka dhënë ndaj biznesit kosovar, si dhe ftoi biznesmenët shqiptarë të investojnë në Kosovë, duke garantuar çdo mbështetje për ta". Thaçi u shpreh se "qeveria e Kosovës po punon në mënyrë intensive për vendosjen e raporteve të shtetit të Kosovës me shtete e tjera". Duke përfituar nga rasti ai i rishprehu falënderimet dhe mirënjohjen për Presidentin Bush dhe SHBA-të për "të gjithë mbështetjen që i dhanë zgjidhjes së çështjes së Kosovës".

Kryeministri i Kosovës shprehu optimizëm se dhe dy vendet fqinjë do ta finalizonin aktin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Madje ai tha se këtë "presim ta bëjë dhe Serbia".

Gjatë gjithë ditës së enjte kryeministri i Kosovës ka planifikuar një axhendë të ngjeshur me kontakte të rëndësishme politike në Tiranë. Të premten ai do të marrë nga Bashkia e Tiranës në mënyrë simbolike "Çelësin e Kryeqytetit të Shqipërisë", një rit që i është rezervuar prej vitesh disa prej personaliteteve shumë të shquara politike dhe publike nga vende të ndryshme të botës. Më pas ai do të marrë titullin honorifik "Qytetar Nderi" në qytetin e Vlorës, ku ka programuar dhe një takim të zgjeruar pune me autoritetet lokale atje.

  • Data 19.06.2008
  • Autor Arben Muka/ Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EMuO
  • Data 19.06.2008
  • Autor Arben Muka/ Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EMuO