1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi: Në Kosovë nuk ka vend për ekstremizëm

Bahri Cani14 Gusht 2014

Në intervistë për DW kryeministri i Kosovës në detyrë, Hashim Thaçi prononcohet për arrestimet e fundit të ekstremistëve, mundësinë e koalicioneve, raportin e prokurorit Williamson dhe raportet mes Kosovës e Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/1Cunv
Hashim Thaçi në intervistë me gazetarin Bahri Cani.
Fotografi: DW/B. Shehu

Deutsche Welle: Zoti kryeministër, prej disa ditësh në Kosovë po vazhdojnë arrestimet e personave të dyshuar esktremistë. Sa është Kosova e rrezikuar nga ekstremizmi fetar?

Hashim Thaçi: Angazhimet e fundit të organeve të sigurisë së Kosovës kanë qenë në përputhje të plotë me agjendën tonë të pakompromis në luftë kundër elementëve ekstremistë të çfarëdo ideologjie, që mund të paraqesin rrezik për sigurinë tonë kombëtare. Ne së shpejti do ta kalojmë edhe ligjin për njerëzit që marrin pjesë në luftërat jashtë Kosovës. Jemi vendi i parë dhe qeveria e parë në rajon që po e procedon një ligj të tillë, që është edhe një dëshmi se vërtetë jemi të pakompromis në betejën kundër së keqes. Kosova është vend i lirë dhe i pavarur. Orientimi ynë, i të gjitha institucioneve dhe subjekteve politike, është shumë i qartë - orientim euroatlantik. Ndaj ne do të bashkëpunojmë me të gjitë miqtë ndërkombëtarë. Unë jam zotuar edhe më parë dhe po e përsëris se do të jemi të pakompromis në këtë betejë, për të cilën kemi edhe mbështetjen ndërkombëtare. Dua të theksoj se Kosova kurrë, në asnjë fazë dhe në asnjë rrethanë të angazhimeve të veta për liri dhe pavarësi, nuk ka lejuar dhe toleruar elementë të tillë.

Hashim Taci
Hashim Thaçi në intervistë me gazetarin Bahri Cani.Fotografi: DW

DW: Kosova gjithmonë ka qenë një shembull i mirë i tolerancës fetare. Si ndodhi që elementët radikalë u forcuan kaq shumë?

Hashim Thaçi: Kosova ka qenë dhe do të mbetet një hapsirë e tolerancës fetare, e dialogut të qytetëruar. Këta elementë nuk do të mund ta rrezikojnë këtë shembull të mirë të tolerancës fetare në Republikën e Kosovës. Unë u jam mirënjohës qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e angazhimeve tona në këtë drejtim.

DW: Si është e mundur pra që përkundër këtij përcaktimi u forcuan kaq shumë elementët radikalë fetarë në Kosovë? Ka supozime madje se ata janë financuar nga jashtë dhe nga burime të dyshimta. Keni Ju ndonjë informacion lidhur me këto pohime?

Hashim Thaçi: Të gjitha arrestimet e fundit që kanë ndodhur janë të bazuara në fakte dhe dëshmi të institucioneve të Republikës së Kosovës, të mekanizmave të sigurisë dhe mekanizmave ndërkombëtarë. Institucionet e vendit dhe mekanizmat e sigurisë kanë kryer dhe janë duke kryer një punë të shkëlqyeshme.

DW: Në disa media e kam lexuar se "Kryeministri në detyrë Hashim Thaçi nuk ka qenë fare i informuar për aksionin kundër xhihadistëve në Kosovë" dhe se Ju jeni informuar vetëm pas fillimit të aksioneve. Sa janë të vërteta këto pohime dhe kush e ka dhënë urdhërin për këto arrestime?

Hashim Thaçi: Për çdo angazhim në Kosovë rrespektohen Kushtetuta dhe ligjet, si dhe autoriteti i Kryeministrit, i cili është përcaktuar me Kushtetutë dhe me ligje. Pra dëshiroj të falënderoj të gjithë mekanizmin institucional të Kosovës, duke filluar nga mekanizmat e hetuesisë, policisë, prokurorisë, AIK-un dhe Presidenten për angazhimet e përbashkëta që kanë bërë me Qeverinë e Kosovës në këtë drejtim. Angazhimet në këtë drejtim kanë filluar edhe më parë, por tani ka ardhur momenti që të ndodhë ky aksion i policisë, i cili është vetëm fillimi. Të gjithë ata zëra që po ngrihen sot, duhet të mendojnë edhe për vetveten se në çfarë pozicioni janë, sepse mund të ndodhë që nesër të preken edhe ata.

DW: Domethënë aksionet për arrestime të elementeve radikalë në Kosovë...

Hashim Thaçi: Në Kosovë nuk do të ketë vend për ekstremizëm, nuk do të ketë vend për radikalizëm dhe terrorizëm. Kosova është vend i lirë dhe i pavarur. Është vend i shoqërisë me orientim euroatlantik, që do të anëtarësohet në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kosova është vend i ri evropian, i cili do ta vazhdojë betejën për të mirën dhe kundër së keqes, në marrëdhënie të përjetshme të mira me SHBA-në.

DW: Partia Demokratike e Kosovës ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e kaluara, por duket se partitë e tjera nuk janë të gatshme për koalicion me partinë tuaj, apo keni gjetur ndërkohë ndonjë partner për bashkëqeverisje?

Hashim Thaçi: Partia Demokratike e Kosovës ka shënuar në zgjedhjet e qershorit një fitore të thellë, të bindshme, mund të them edhe historike dhe spektakolare. Ajo e ka fituar legjitimitetin e qytetarëve për krijimin e isntitucioneve të vendit dhe do t'i formojë institucionet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Natyrisht që institucionet do të ndërtohen me partnerë.

DW: A jeni duke zhvillur bisedime me subjektet e tjera për bashkëqeverisje dhe koalicion?

Hashim Thaçi: Aktualisht jemi duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pastaj do të fillojmë angazhimet për një koalicion me bazë të gjërë dhe për gjithëpërfshirje - pra për një bazë sa më të gjërë të subjekteve shqiptare dhe përfshirje gjithëetnike.

DW: Cila do të ishte formula më e mirë e qeverisjes në Kosovë?

Hashim Thaçi: Formula më e mirë e qeverisjes është rrespektimi i përcaktimit të qytetarëve për fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës dhe për krijimin prej saj të një koalicioni me partnerë. Pra duhet krijuar një qeverisje me bazë të fuqishme të legjitimitetit dhe legalitetit. Duhet të vazhdojë qeverisja e mirë, do të vazhdojë beteja kundër ekstremizmit, beteja për rendin dhe ligjin, beteja kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe implemenimin e plotë të "Misionit të Ri", të prezantuar nga PDK - nga partia fituese e zgjedhjeve të vitit 2014.

DW: Është e vërtetë që PDK ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e qershorit, por katër partitë tjera politike shqiptare kanë refuzuar bashkëpunimin me partinë tuaj. Është krijuar edhe një koalicion i tri partive (LDK-AAK-Nisma), të cilat pohojnë se kanë shumicën për krijimin e qeverisë. A jeni të gatshëm të kaloni në opozitë, në qoftë se vërtetë nuk e siguroni shumicën e duhur për krijimin e koalicionit qeverisës?

Hashim Thaçi: Koalicioni ynë ka qenë dhe para zgjedhjeve me qytetarët e Kosovës. Edhe pas dy mandateve e kemi fituar legjitimitetin e qytetarëve, gjë që ka ndodhur rrallë me ndonjë parti politike në rajon. Por kjo dëshmon se qytetarët e kanë vlerësuar punën e mirë të PDK dhe Qeverisë së Kosovës. Në spektrin politik kosovar, PDK është partia më stabile dhe më kredibile, partia e votëbesimit të madh qytetar në vend dhe më e rrespektuara prej bashkësisë ndërkombëtare. PDK do të vazhdojë kontratën me qytetarët, falë besimit të fituar nga qytetarët për ndërtimin e institucioneve dhe mekanizmave politikë.

DW: Zoti kryeministër, Kosova gjendet në një periudhë shumë të ndjeshme politike, ndaj do të ishte mirë që t'i sqarojmë gjërat deri në fund: A besoni se Kosova është më afër krijimit të institucioneve apo zgjedhjeve të jashtëzakonshme?

Hashim Thaçi: Kosova nuk është duke kaluar ndonjë krizë as legale, as politike, as ndonjë krizë siç pretendon ndoshta dikush të ndonjë kaosi politik apo institucional. Gjithçka që po ndodh është rrespektimi i plotë i rregullave të shtetit juridik kosovar, të demokracisë, të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ne të gjithë duhet të mësohemi t'i rrespektojmë këto rregulla dhe të kemi durim, sepse shumë shpejt do të vijë momenti i ndërtimit të institucioneve të reja, të dalura nga zgjedhjet e qershorit. Dhe ndërtimi i institucioneve do ta ketë bazë legjitimitetin qytetar.

DW: Domethënë Ju jeni të bindur se PDK megjithatë do të gjejë partnerë për krijimin e koalicionit qeveritar?

Hashim Thaçi: Do të gjej, sepse institucionet nuk do të ndërtohen mbi mllefe, por duke rrespektuar në plotni legjitimitetin qytetar. Askush nuk do të mund t'ia grabitë legjimititin qytetarit të Kosovës.

DW: Kur do të vazhdojë dialogu me Serbinë, pasi që në Kosovë aktualisht ka një lloj vakuumi të pushtetit. Ndërkohë që Serbia ka hartuar edhe një statut për bashkësinë e komunave serbe, sipas së cilit një pjesë kompetencave mbetet në Serbi?

Hashim Thaçi: Dialogu është duke vazhduar edhe tani, në nivele të ndryshme në Bruksel. Takimet janë duke u zhvilluar dhe po vazhdon implementimi i Marrëveshjes së Brukselit. Natyrisht që ka një ngadalësim të implementimit. Por dialogu do të jetë një nga parakushtet e domosdoshme për vazhdimin e implementimit të Marrëveshjes së Brukselit. Pra momentalisht kemi një pasivitet, por jo edhe ndërprerje të dialogut. Dialogu do të vazhdojë deri sa nuk i normalizojmë në plotni marrëdhëniet Kosovë - Serbi dhe të ndërtojmë marrëdhënie të mira si vende të pavarura dhe sovrane, të cilat duan të anëtarësohen në BE.

DW: Zoti kryeministër, një prej kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare është edhe krijimi i Gjykatës speciale për krimet e luftës, me të cilën është dakorduar edhe parlamenti i kaluar i Kosovës. Mendoni se do të krijohet shpejt kjo Gjykatë, pas këtyre mosmarrëveshjeve të shumta rreth koalicinit qeveritar?

Hashim Thaçi: Nuk është duke ndikuar fare në këtë drejtim ngadalësimi i krijimit të institucioneve. Kuvendi i Kosovës ka marrë vendimin për krijimin e Gjykatës speciale, kështu që Kosova do t'u përgjigjet obligimeve të veta dhe kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare. Kam besim të plotë se skena politike kosovare edhe në këtë drejtim do të jetë unike.

DW: Si e vlerësoni raportin e zotit Williamson, i cili nuk i përjashton madje as krimet më të rënda në Kosovë. Ai pohon se krimet e luftës janë bërë me dijeninë e krerëve të UÇK? Si e vlerësoni këtë raport?

Hashim Thaçi: Unë nuk dëshiroj të spekuloj dhe të ngre paragjykime, apo të bëj interpretime të cilat janë jashtë autoritetit tim kushtetues dhe ligjor. Por një gjë mund të siguroj: Institucionet e Kosovës do t'i kryejnë të gjitha obligimet e veta karshi këtij procesi të rëndësishëm.

DW: Më 28 gusht në Berlin, me ftesën e Kancelares Angela Merkel, do të mbahet takimi i krerëve të vendeve të Evropës Juglindore. Kush do ta përfaqësojë Kosovën në këtë takim, pasi që edhe këtu ka pasur spekulime në disa media?

Hashim Thaçi: Kosova do të përfaqësohet prej kryeministrit të Kosovës dhe ftesa është drejtuar prej Kancelares Merkel. Kjo do të jetë një konferencë e rëndësishme që organizohet për Ballkanin Perëndimor nga Gjermania dhe paraqet edhe një vazhdimësi në rolin e rëndësishëm të Gjermanisë në Kosovë dhe në gjithë rajonin. Në këtë takim do të jenë edhe kryeministrat e të gjithë rajonit. Ndaj është një mundësi e komunikimit ndërkryeministror, por edhe për komunikim të drejtëpërdrejtë që është shumë e rëndësishme.

DW: Si e vlerësoni rolin aktual të Gjermanisë në Kosovë kur në kontekstin e dialogut flitet edhe për një lloj Brukseli 2, të propozuar nga kancelarja Merkel?

Hashim Thaçi: Natyrisht që roli i Gjermanisë është jashtazakonisht i rëndësishëm edhe për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Të gjithë i kujtojmë qëndrimet e kancelares Merkel pas veprimit të Policisë së Kosovës në vitin 2011, se duhet të normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe qëndrimet e kancelares Merkel në Beograd në prani të ish-Presidentit të Serbisë Boris Tadiq. Këto qëndrime janë bërë edhe bazë e dialogut në Bruksel, ndaj edhe Marrëveshja e Brukselit ka qenë një meritë e veçantë dhe është arritur me mbështetjen e Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE dhe SHBA, e cila ka pasur një rol të pazëvendësueshëm për arritjen përfundimtare të asaj marrëveshjeje. Nuk mund të ketë ndonjë marrëveshje të BE në rajon, pa rolin e SHBA, pa sigurinë dhe garancitë e tyre për implementim. Pra roli i Gjermanisë do të jetë aktiv dhe dinamik, sepse roli i vendeve të BE-së është i pazvëndësueshëm. Dua të theksoj edhe rëndësinë e angazhimit të Gjermanisë në kuadër të Kforit. Ndaj mendoj se Kosova vërtetë duhet t'i forcojë edhe më shumë raportet me Gjermaninë dhe me të gjitha vendet e tjera të BE.