1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi dhe Daçiq ende nuk bien dakord për detajet e zbatimit të marrëveshjes

Marina Maksimoviq / Esat Ahmeti / dpa22 Maj 2013

Pas konsultimeve në Beograd e Prishtinë të dy kryeministrat duan të prononcohen „në fundjavë“ përfundimisht për marrëvshjen, bëhet e ditur nga Brukseli.

https://p.dw.com/p/18boj
Fotografi: picture-alliance/AP

Kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës, përkatësisht Hashim Thaç dhe Ivica Daçiq nuk kanë rënë ende dakord për detajet e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Këtë e komunikoi e ngarkura e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Catherine Ashton të mërkurën (22.05.2013) pas bisedimeve dyditore në Bruksel.

Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi megjithatë kanë rënë dakord parimisht për një tekst të përbashkët, lidhur me të cilin ata tani duhet të konsultohen përkatësisht në Beograd dhe Prishtinë. Ata duan që të prononcohen përfdimisht për këtë „në funjavë“. Zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit është kusht për intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve me BE-në, shkruan më tej agjencia gjermane e lajmeve dpa.

BE pret fillimin e zbatimit të marrëveshjes para qershorit

Nga delegacioni i Beogradit u njoftua pas takimit të së martës (21.05.2013) se temat kryesore të diskutimit janë se si do të funksionojnë ndërkohë komunat me shumicë serbe të cilat do të konstituohen pas zgjedhjeve lokale si dhe çështjet që kanë të bëjnë me fushën e policisë dhe drejtësisë. Beogradi gjithashtu theksoi nevojën që Prishtina të ndryshojë legjislacionin e saj në mënyrë që të vijë deri te zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes të dy palëve. Si kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ashtu dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se nuk ka kohë për të humbur dhe ka përsëritur se "nëse Serbia dëshiron të marrë një datë në qershor për negociatat e pranimit duhet të arrijë një marrëveshje për zbatimin deri në fund të javës." Në të njëjtën kohë nga Brukseli është njoftuar se BE-ja pret që marrëveshja në mes të Beogradit dhe Prishtinës të fillojë zbatimin në terren para qershorit dhe çdo vonesë nuk është as në interesin e Beogradit e as të Prishtinës. Paralelisht me bisedimet që kanë të bëjnë me pikat e "Marrëveshjes së Brukselit", grupet teknike po zhvillojnë bisedime edhe për çështjet e telekomunikacionit dhe energjisë elektrike. Palët njoftojnë se nuk janë larg arritjes së një marrëveshjeje edhe për këto dy pika.

Në foto, Hashim Thaçi
Në foto, Hashim ThaçiFotografi: Reuters

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, të hënën (27.05.) pritet t'iu raportojë ministrave të Jashtëm të BE-së të cilët takohen në Bruksel për përparimin në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ndërkaq më 28 qershor, bazuar në hapat konkrete në terren, vendet anëtare të BE-së pritet të vendosin nëse do t'i japin Serbisë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE ndërsa Kosovës datën për nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.