1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tetori Gjerman 2011 në Tiranë dhe energjitë e rinovueshme

Në kuadër të aktiviteteve të Tetorit gjerman, në Tiranë është hapur ekspozita teknologjike “Të rinovueshme - Made in Germany”, që e sjell për publikun shqiptar DENA, Agjencia Gjermane për Energjinë.

Ekspozita e DENA-s, Tiranë

Ekspozita e DENA-s, Tiranë

Ekspozita e DENA-s Agjencisë Gjermane për Energjinë (Deutsche Energie- Agentur) është një udhëtim në botën e re të energjisë së rinovueshme - e njohur ndryshe edhe si “energjia për të sotmen dhe të ardhmen”. Ajo vjen në Tiranë në kuadër të Tetorit gjerman 2011, që ka motton ”Klimë - Energji - Ndryshim.”

Ekspozita po vizitohet nga një publik i larmishëm: kureshtarë, profesionistë të fushës dhe ekspertë , të rinj dhe të reja të apasionuar pas teknologjive të kohës. Harald Schindler, Atasheu për kulturën dhe mediat në Ambasadën Gjermane në Tiranë, njëherazi Drejtor i projektit të Tetorit të sivjetëm gjerman e cilëson interesante dhe të dobishme për gjithë vizitorët.

Energjia e erës, ajo diellore dhe hidrike janë energji të së ardhmes

Energjia e erës, ajo diellore dhe hidrike janë energji të së ardhmes

Interes për energjitë e rinovueshme

“Kjo ekspozitë është interesante pasi tregon në radhë të parë se çfarë është energjia e rinovueshme dhe se cilat janë burimet e saj. Njëherazi ajo tregon shembuj konkretë sesi gjenerohet dhe përdoret energjia nga burime të rinovueshme, pra që nuk mbarojnë. Kështu kemi energji që përftohet nga dielli dhe teknologji të ndryshme për të patur prej saj rrymë elektrike. Kemi energji nga era, nga uji dhe nga nxehtësia në thellësi të tokës. Ekspozita tregon në detaje se çfarë është tanimë e realizueshme nga pikëpamja teknologjike dhe çfarë mund të jetë e aplikueshme për Shqipërinë".

Shqipëria ka një start të mirë në këtë drejtim pasi më shume se 90% e energjisë së saj prodhohet nga burimet hidrike, pra të rinovueshme përmes proceseve natyrore. Por potencialet e saj në përdorimin e burimeve të tjera të rinovueshme të energjisë mbeten ende pothuajse të pashfrytëzuara.

Logoja e Tetorit Gjerman

Logoja e Tetorit Gjerman

Gjermania - avanguardë e teknologjive për përftimin dhe shfrytëzimin e energjive të rinovueshme

Ndryshe ndodh në Gjermani. Kushdo që udhëton në territorin e saj me automjet apo tren, sheh shumë panele diellore mbi çatitë e shtëpive apo taracat e godinave, gjeneratorë që përftojnë energji nga era, impiante për shfrytëzimin e nxehtësisë që ka toka në thellësitë e saj. Por kjo thotë Z. Schindler është vetëm” maja e aisbergut”.

“Pas ngjarjeve në Fukushima të Japonisë, Qeveria Federale Gjermane vendosi të mbyllë të gjitha centralet bërthamore deri në vitin 2022. Kështu që burimet e rinovueshme të energjisë do të luajnë një rol shumë më të madh në të ardhmen bashkë me përdorimin efikas të energjisë. Kompanitë gjermane zotërojnë rreth 60% të tregut botëror në fushën e energjive të rinovueshme.

Kjo është një fushë që do të rritet në të ardhmen: energjia është e domosdoshme për funskionimin e shoqërive dhe ekomomive moderne. Ne mendojmë që energjia do të jetë një nga çështjet kryesore të shek. XXI për të gjitha vendet e botës, përfshirë këtu edhe Gjermaninë dhe Shqipërinë.” vë në dukje z. Schindler.

Harald Schindler, atasheu gjerman për kulturën në Tiranë

Harald Schindler, atasheu gjerman për kulturën në Tiranë

Pse energjia e rinovueshme në krye të axhendës botërore?

Energjia e rinovueshme sjell zbutjen e ndryshimeve klimatike. Ngrohja globale e shkaktuar nga gazrat me efekt serrë mbetet një nga rreziqet më të mëdha për njerëzimin në shekullin që po jetojmë. Kjo pasi aftësia e atmosferës për të thithur ndotje pa shkaktuar asnjë efekt të rrezikshëm tanimë është konsumuar prej kohësh. Por ka edhe arsye të tjera që e bëjnë energjinë e rinovueshme teper të rëndësishme për të ardhmen: qymyr- guri, nafta, gazi natyror dhe uraniumi në centralet atomike që prodhojnë energji paraqesin rreziqe të mëdha. Pa harruar që sasitë e tyre në natyrë  nuk janë pafund dhe çmimet, si lëndë të para kanë tendencë vetëm të rriten.

Nxitje edhe për Shqipërinë?

Nga stenda në stendë ekspozita “ Të rinovueshme- Made in Germany” tregon avantazhet e përdorimit të energjive të rinovueshme: ato nuk ndotin atmosferën dhe mjedisin, nuk mbarojnë kurrë ngaqë rinovohen në mënyrë të vazhdueshme përmes procesesh natyrore dhe sigurojnë ngrohje dhe ventilim të pastër. Pa lënë këtu pa përmendur zvogëlimin e vartësisë nga importi dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Teknologjitë innovative, praktike dhe efikase që paraqet kjo ekspozitë tregojnë se ato mund të plotësojnë kërkesat e çdo lloj burimi të rinovueshëm të energjisë. “Të rinovueshme - Made in Germany” është një nxitje dhe më shumë për hartimin e  legjislacionit dhe të politikave përkatëse që do të mundësojnë ardhjen e këtyre teknolgjive sa më shpejt edhe në Shqipëri.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi