1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Testi i parë: Macron në Europën Lindore

Presidenti francez, Emmanuel Macron po i përdor ditët e fundit të verës për një tur vizitash në Europën Lindore. Me kërkesat e tij për rregullore më të rrepta për punëtorët e huaj, ai nuk i entuziazmon europanolindorët.

Në itinerarin e udhëtimit të presidentit francez, Emmanuel Macron nuk bëjnë pjesë Varshava dhe Budapesti. Të mërkurën Macron foli në Salzburg në Austri me kryeministrat e Çekisë dhe Sllovakisë, më pas udhëtimin ai e vazhdoi të enjten në Bullgari dhe Rumani.

Qëllimi i Macron kësaj here nuk është të nxjerrë në pah burrin e shtetit, apo të bëjë fansa entuziastë për Europën, vendet lindore të lodhura nga Europa. Presidenti thjesht kërkon kontaktin me vendet europianolindore që kanë "dëshirë për Europën dhe dëshirë për më shumë Europë", siç u tha në Pallatin Elysée.

Kritika: Punëtorët nga Lindja nxjerrin nga tregu francezët

Macron kërkon aleatë për reformimin e direktivave europiane për dërgimin e punonjësve brenda vendeve të BE-së dhe i gjen ata. Kancelari austriak, Christian Kern e mbështet Macron pë rregulla më të forta në BE. Ai paralajmëroi se pa reforma Europa mund të ndahet në një pjesë të vjetër dhe të re.

Edhe Rumania kërkon ujdi për mënjanimin e dumping-ut brenda BE. Për këtë Macron ra dakord të enjten me presidentin rumun, Klaus Iohannis.

Por presidenti francez kërkon edhe luftimin e "dumping"-ut të rrogave brenda BE-së. Kjo është një temë mjaft emocionale mes Lindjes dhe Perëndimit të Europës. Sipas Konferedatës Franceze të Sindikatave kjo direktivë është fajtore për dumpingun social në europë. Punonjës të dërguar nga Lindja nxjerrin nga tregu i punës francezët, ankohet konfederata.

Emmanuel Macron kërkon të forcojë rregulloret për punëtorët e huaj, të ardhur nga vendet e BE-së. Ata duhet të merren në punë me të njëjtat kushte si francezët. Pas bisedimeve me kryeministrat e Austrisë, Sllovakisë e Çekisë, Macron u shpreh se "janë arritur përparime" në këtë drejtim. Deri në tetor do të duhet të përpunohet një rregullore e re që do të kërkojë që për të njëjtën punë, brenda të njëjtit vend të paguhet e njëjta pagë për të gjithë punëtorët.

Macron kërkon më shumë

Ndryshime kërkohen nga Parisi edhe në kohëzgjatjen e dërgimit të punëtorëve të BE-së. Deri më tani këta punëtorë mund të punojnë në një vend të BE si të dërguar deri në 36 muaj. Brukseli po punon për një ndryshim që parasheh punësimin vetëm për 24 muaj.

Por edhe ky shkurtim është shumë pak për presidentin francez. Ai kërkon punësimin e të huajve nga BE vetëm për 12 muaj. Për këtë ai kërkon të gjejë rrugëzgjidhje me vendet europianolindore. Që në qershor ministrja çeke e punës, Michaela Marksova është shprehur se "Franca po shkon shumë larg me propozimet e bëra". Vitin e kaluar 10 vende nga Europa Lindore u ankuan në Komisionin Europian se masat e ashpërsuara për punëtorët e dërguar janë në thelb një masë proteksioniste.

Për presidentin Macron turi në Lindjen europiane është testi i parë se sa pushtet politik janë të gatshëm t'i japin atij europianolindorët. Një reformë të direktivave të BE për punëtorët e dërguar duhet ta miratojnë si vendet anëtare ashtu edhe Parlamenti Europian.

 

Catherine-Laurence Martens/DW