1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Test i shpejtë HIV përmes smartphone

Saktësia diagnostike e testit për HIV është thuajse 100 për qind. Edhe shpenzimet janë 34 dollarë për copë. Por për të marrë aprovimin për tregun botëror, nevojiten më shumë testime.

Në shikim të parë, kutia e vogël dhe e bardhë prej plastike duket jospektakolare: Jo më e madhe se një smartphone, me një pajisje mekanike si pompë. Por ajo mund të bëjë gjëra të mëdha, mendon shpikësi i saj nga Shtetet e Bashkuara: Një diagnozë të sigurt HIV brenda vetëm 15 minutash. Dhe kjo pa pajisje të tjera të shtrenjta laboratorike. "Ne besojmë se pajisja mund të jetë shumë e dobishme sidomos në zonat rurale për zbulimin e rasteve të HIV-it dhe do të parandalojë shumë e transmetimin e HIV," thotë Tassaneewan Laksanasopin, një nga zhvilluesit e metodës së re të testimit.

Si funksionon testi i ri për HIV

Përdorimi i testit duket i thjeshtë: Një e shpuar e vogël tek mollëza e gishtit është e mjaftueshme për të marrë gjakun që duhet për testin. Pika e gjakut vihet në një enë me reagente që reagojnë ndaj antitrupave specifikë për sëmundjen. Kjo enë futet te kutia plastike që është e lidhur me altoparlantin e një smartphone. Që gjaku të shkojë në zonën e testimit, duhet shtypur pompa prej gome që thith gjakun, dhe prodhon një vakum. Një chip lexon pastaj rezultatet e testimit të antitrupave dhe një app në smartphone i analizon ato. Pas kësaj del diagnoza e qartë.

Shpenzimet për materialet janë 34 dollarë për copë, një e një mijta e pajisjeve të shtrenjta që janë të nevojshme për analizat laboratorike. "Pajisja mund të ripërdoret, vetëm chip-i duhet të zëvendësohet pas çdo testi," thotä Laksanasopin. Sidomos punonjësit socialë mund ta përdorin pajisjen në zonat rurale dhe të kenë shpejt një diagnozë të besueshme. Në temperaturë normale reagentët kanë një kohë skandece deri në gjashtë muaj - një faktor ky po aq i rëndësishëm për përdorimin e aparatit në vendet në zhvillim.

Një diagnozë përfundimtare?

Saktësia diagnostike për HIV është thuajse 100 për qind, thotë Laksanasopin. Çfarë është e rëndësishme këtu është fakti se kjo vlerë vlen vetëm për ndjeshmërinë e testit. Ajo tregon se sa "fort" është kalibruar testi, pra me çfarë sigurie e njeh ai infektimin me HIV. Siguria e lartë do të thotë në praktikë që kjo mund të çojë në rezultate të rreme-pozitive të testit. "Nga 100 persona të testuar ka një mesatare prej tetë personash me diagnozë të gabuar, pra që ata janë HIV-pozitiv, edhe pse kjo nuk është e vërtetë," thotë Laksanasopin. Në rast se kemi diagnozë pozitive, duhen analita të mëtejshme. Megjithatë, kjo është praktikë e zakonshme edhe në llojet e tjera të testeve për HIV për përdorim personal.

Laksanasopin dhe ekipi i saj kanë tetë vjet që po merren me hulumtime për testin e HIV-it. Por derisa ai të vihet në përdorim do të kalojnë edhe shumë vjet . "Deri tani ne kemi bërë një seri eksperimentesh me 96 vetë." Për të marrë aprovimin për tregun botëror, nevojiten më shumë testime - dhe njohja nga OBSH-ja. OBSH-ja duhet të sigurojë që në vendet me infrastrukturë të varfër mjekësore në treg të ketë vetëm produkte të sigurta.

Por Laksanasopin është e motivuar dhe këmbëngulëse për të punuar në këtë projekt. "Unë e di se testi ynë mund të ndihmojë shumë njerëz, kur ai dikur të lejohet në treg. Sa më shpejt që dikush merr vesh se është infetuar me HIV, aq më shpejt mund të fillojë trajtimin. Kjo ndihmon për shembull që gratë shtatzëna të mos ua transmetojnë sëmundjen fëmijëve të tyre. Ky është motivimi im."